Histori tronditëse/ 19- vjeçarja në Korçë shkon të dhurojë gjak, zbulon se ka kancer

Në studion e "Rreze Dielli" në Report Tv, u trajtua sot historia prekëse e vajzës nga Korça Darda Dhimo. 19 - vjeçarja, studente e psikologjisë përmes një komunikimi në skype, me një buzëqeshje admiruese dhe forcë të adhurueshme, tregoi sesi e zbuloi sëmundjen e leuçemisë. Ajo tha se gjithçka ndodhi fare rastësisht dhe se nuk pati asnjë shenjë të sëmundjes teksa një ditë shkoi të dhuronte gjak, të bënte një vepër humane, të ndihmonte bashkëmoshatarët e saj, por aty jeta e saj do të merrte kthesën. Analizat e menjëhershme treguan që jo vetëm s'mund te dhuronte gjak por ajo që mësoi në ato çaste ishte tronditëse.

”Nga një analizë gjaku teksa dëshiroja të dhuroja gjak, zbulova se vuaja nga sëmundja e leuçemisë dhe në ato momente jeta ime dhe e familjes time ndryshoi” tha ajo në fillim të bisedës, duke shtuar se edhe pse fati e përballi me një sëmundje të tillë, sot ajo po tregon një forcë të admirueshme, duke luftuar me të gjitha forcat.  

Mjekët u alarmuan dhe mbetën të habitur për faktin se sëmundja nuk i kish dhënë asnjë sinjal, ndërkohë që familja e saj besimtare e krishterë u ul në gjunjë dhe i lutej Zotit për të shpëtuar vajzën e tyre. Darda u dërgua drejt Selanikut nëpërmjet ndihmës së organizatave fetare. Aktualisht Darda është duke ndjekur terapinë intensive, ndërsa në rrjetet e saj sociale shkruan: 

 “Dje mjeku dha diagnozën: leuçemia akute. Gjithsesi, e vetmja zgjidhje që sugjerojnë mjekët është transplantimi i palcës, plus të gjitha procedurat duhet të ndiqen diku tjetër jashtë vendit. Tani e di që do të jetë një luftë e madhe e ndjekur nga shumë gjëra, shumë kimoterapi dhe shumë trajtime që do të çojnë në efekte anësore. Por në përgjithësi unë jam njeriu më paqësor këtu dhe Zoti më ka dhënë mua dhe mamasë time shumë forcë, edhe pse mjekët janë thjesht të befasuar dhe nuk kanë shumë shpresë këtu. Unë mund të bëj gjithçka nëpërmjet Krishtit që më forcon!"

Ndërkohë që reagimi i qytetarëve korçar ishte i menjëhershëm. Ata zgjodhën të pedalojnë një ditë me biçikleta për Dardën, në bulevardin e Korçës, me moton: “Askush s’lufton i vetëm” duke ftuar çdo njeri që ka mundësi dhe dëshirë të japë kontributin personal për të shpëtuar një jetë.  

“Doja që kjo histori të bëhej publike pasi shumë njerëz që janë në kushtet e mia të motivohen, jeta nuk është për të gjithë e ëmbël, e nëse vjen me kripë, duhet të mësosh të luftosh” u shpreh adoleshentja, teksa nuk harron të buzëqeshë, duke na dhënë të gjithëve një leksion force.

Korçarët shpresojnë që kjo ëndërr e keqe e saj të marrë fund sa më shpejtë, për t’a lejuar adoleshenten të vazhdojë pasionet e saj. Gjatë pedalimit, qytetarët korçarë treguan pjesën më humane, për t’u bërë bashkë si një familje e madhe, si për të dhënë mesazhin që janë një në të mirë e në të keq. Darda po e lufton tashmë betejën e saj, jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria është me të.  

Në fund të bisedës ajo i'u bëri thirrje pedagogëve të psikologjisë të krijojnë mundësinë që këtë vit ajo të ndjekë online fakultetin, pasi e ka të pamundur të vijë në Tiranë, për shkak se sistemi imunitar është ende i dobët nga seancat e kimioterapisë.  

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 13/10/2023 21:38

    Shërim të shpejtë dhe bashkim me familjen!!

    Përgjigju
  • Alba: 11/10/2023 23:06

    Allahu te ruajt. Lufto dhe shpreso se Zoti do te te ndihmoje. Ashtu siç me ndihmoi dhe mua.

    Përgjigju
  • Prind: 10/10/2023 14:30

    Zot te lutem bëje me te miren per kete engjell!????????????

    Përgjigju
    • Nje nene: 13/10/2023 00:24

      Zoti qofte me ty! Sherim te shoejte e kurajo! Do e mposhtesh semundjen me besim ne vetvete.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja