Historia e ekspozitës së Guri Madhit

Historia e ekspozitës së Guri Madhit

Guri dhe Pandi Madhi

Po mbushen 35 vite nga 1 qershori i vitit 1987, ditën kur në sallën anësore të Pallatit të Kulturës në Tiranë, u hap ekspozita e Guri Madhit me punime të krijimtarisë së tij të viteve 1982-1987. 

Për këtë ekspozitë është folur disa herë vitet e fundit. Artisti multidimensional Genc Përmeti e vlerëson ekspozitën dhe efektet e saj në disa intervista dhe komente rreth artistit. Artisti dhe kritiku, Dr. Abaz Hado e ka vlerësuar në disa emisione për artin pamor. Ndërsa pedagogu dhe studjuesi Dr. Ermir Hoxha e përmend në studimin e tij lidhur me historinë e artit shqiptar 1). 

Unë e kam jetuar nga afër historinë e hapjes së kësaj ekspozite. Ato vite punoja në Ministrinë e Financave dhe atë periudhë të majit dhe qershorit 1987 pata kohën e mjaftueshme t’i qëndroja afër babait tim.

Shtysën për hapjen e ekspozitës piktori e mori nga shumë miq dhe artistë, të cilët insistuan që veprat e tij në stilin e ri ekspresionist të shfaqeshin në publik.

Piktori u bind dhe vendi i parë të cilit i’u drejtua ishte Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Por drejtori i atëhershëm i këtij institucioni, Fuat Dushku, e refuzoi kërkesën, duke i kthyer përgjigje negative.

I fyer, por njëkohësisht i mësuar me përballjet e vazhdueshme dhe pengesat, artisti nuk u dorëzua. Ambienti tjetër ku mund të ekspozonte ishte Pallati i Kulturës. Ndaj, piktori u takua me drejtorin e ketij institucioni dhe njëkohësisht shkrimtarin Spiro Gjikondi. Me shume dashamirësi, Spiro e mirëpriti kërkesën e piktorit dhe aprovoi qe ekspozita te hapet ne sallën e vogël te ekspozitave te Pallatit (aty ku sot është salla e studimit e bibliotekës kombëtare).

Pavarësisht gjetjes së sallës, sfida më e madhe, ajo për vetë artistin, do të fillonte tani. Veprat duhet të aprovoheshin një më një nga autoritete të posaçme të përcaktuara nga regjimi i asaj kohe. Kështu do të fillonte për ekspozitën odisea e komisioneve.

Në ditët e para të majit të vitit 1987, piktori ftoi në studion e tij për të parë punimet, piktorin  Petro Kokushta (në atë kohë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve për artet figurative) dhe piktorin Zamir Mati (inspektor në Lidhjen e Shkrimtarëve). Atë ditë në studion e piktorit ishin dhe disa artistë të tjerë.

Përshtypjet e tyre për veprat e reja të piktorit ishin tejet pozitive. Duke parë një pikturë pas tjetrës, të impresionuar ata vlerësuan veprat dhe ishin plotësisht dakord me idenë e piktorit që ekspozita të hapej menjëherë. Më datën 22 maj, mikrobusi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve transportoi punimet për në sallën e Pallatit te Kulturës, aty ku do të hapej ekspozita. 

Të nesërmen e asaj dite, teksa inspektimet kishin filluar, gruaja e piktorit (nëna ime) duke u kthyer për në shtëpi, rastësisht takon X. Y., inspektor i arteve në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës. I pakënaqur, inspektori i’u drejtua:

-         Pashë ato punimet e ekspozitës. Nuk e nderojnë Guri Madhin ato. Ne presim tjetër nivel, na del tjetër.

    Filloreta Madhi e kundërshtoi, por ai paralajmëroi:

-         Kështu si po të them unë. Dhe sa te jem unë ekspozita nuk do të hapet.

Piktori u mërzit për këto pengesa të reja, bisedoi me vëllezërit e tij Stavrin dhe Raqin. “Do vazhdojmë përpjekjet deri në hapjen e ekspozitës”- vendosen njëzëri.

Pas dy ditësh u mblodh Komisioni i Arteve Figurative të rrethit të Tiranës, por asgjë nuk u vendos. Atëherë u vendos të thirrej Komisioni i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Ecejaket vazhdonin përgjatë gjithë këtyre ditëve. Piktori 66-vjeçar po kalonte ditë të vështira. Puna e disa viteve me radhë, punime të cilat i kishin parë dhe vlerësuar kolegët dhe miqtë, rrezikonin të mos ekspozoheshin.

Sot është më e lehtë të kuptohet hezitimi dhe skepticizmi i këtyre inspektorëve dhe anëtarë të komisioneve. Ata kishin të drejtë. Në fund të fundit, ato vepra nuk kanë asnjë lidhje me artin e realizmit socialist.

Me 28 maj 1987, u mblodh komisioni qeveritar i arteve (niveli më i lartë i  komisioneve të artistëve) ku bënin pjesë drejtues partiakë të artit dhe artistë të njohur si Kristaq Rama, Sali Shijaku, Mumtaz Dhrami, Vilson Kilica, Shaban Haderi, etj. Atë ditë do të merrej vendimi përfundimtar.

Ne prisnim jashtë Pallatit të Kulturës. Piktori me të shoqen , dy vëllezërit e tij  dhe unë. 

Sapo filloi diskutimi, nga salla e ekspozitës doli Shaban Haderi dhe propozoi që ndonjë nga vëllezërit e Gurit (Stavri ose Raqi) të hynte në sallë për të dëgjuar diskutimet. Por asnjë prej tyre nuk pranoi.

-         Nuk ka rëndësi hyrja jonë - tha Stavri - ju vendosni çfarë do bëhet.

Shabani (gjithashtu mik i ngushtë i Guri Madhit), buzëqeshi dhe u fut brenda në sallë.

Diskutimet vijuan rreth 1 orë. Atë ditë kam parë një Guri Madhi ndryshe. Ndryshe nga qetësia që e karakterizonte, ai tashmë ishte kthyer në një luftëtar, si ata të veprave të tij. Në fund të fundit edhe ai luftonte për lirinë e tij, lirinë e shprehjes së tij artistike.

Më së fundi pritjes tonë i erdhi fundi. Dy nga anëtarët e Komisionit dolën dhe u drejtuan  nga piktori.

-         Çfarë vendosët ? - pyeti piktori.

-         Profesor, rri i qetë. Ekspozita do të hapet.

-         Dëgjoni këtu - iu kundërpërgjigj piktori - mjaft keni luajtur me mua gjithë jetën. Tani nuk ju fal më.

Unë nuk e kisha pare kurrë piktorin në një acarim të tillë, por i dhashë shumë të drejtë. Ai kishte kaluar një jetë në durim dhe kishte ardhur koha për të reaguar.

Më pas mësuam për diskutimet. Të gjithë anëtarët e Komisionit kishin rënë  dakort që ekspozita të hapej. Ndërhyrja kryesore kishte qenë e piktorit Sali Shijaku, i cili u shpreh se "Këto punime ndryshe,  mund t'i vendosësh kudo dhe të qëndrojnë për mrekulli".

Si çdo komision dhe ky hoqi disa  vepra  nga ekspozimi (“Dy partizanët”,  dy natyra të qeta, ”Portret malësori”, etj.). 

Komisioni kërkoi që portretit të Aides t’i dalloheshin gishtat e duarve (duart ishin pllaka, pa asnjë përcaktim). Ndryshe do hiqej nga ekspozimi.

Të njëjtin fat e priste dhe  “Autoportret në moshë të re”, nëse nuk do të shkurtonte basetat (favoritet), të cilat për Komisionin ishin të gjata. 

Të nesërmen (29 maj 1987), piktori mori bojërat, penelat dhe në sallën e ekspozitave bëri korrigjimet, sipas kërkesave të Komisionit. Pas ekspozitës, piktori do t’i rikthente vetes përsëri favoritet në ”Autoportret në moshë të re”, ashtu siç është dhe sot.

Ndonëse me modifikime dhe përjashtime, lodhja, mërzitja, ankthi, mbaruan. Efekti dhe mbresat që do të linte ekspozita ishin e vetmja gjë e rëndësishme tashmë. 

Djathtas, foto nga ceremonia e hapjes se ekspozites, ku te pranishem ishin dhe Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror te P.P.Sh-se ne ate kohe, Alfred Duçi (kryetar I komitetit te cultures dhe arteve). Ne foton majtas : Skulptori Shaban Haderi duke mbajtur fjalen e hapjes se ekspozites.
. . .

Ekspozita u hap më 1 qershor 1987, në orën 18. Në përurimin e saj kishin ardhur disa qindra artdashës, miq, të afërm, artistë (emrat e rreth 200 pjesëmarrësve i kemi shënuar që pas mbarimit të ekspozitës, me vëllain tim Vason). Kishin ardhur edhe nga Durrësi, Korça, Kruja. Ambienti në hyrje të sallës u mbush plot, aq sa shumë njerëz u detyruan të prisnin jashtë. 

Fjalën e hapjes e mbajti Shaban Hadëri, i pakursyer në vlerësimet ndaj mikut të tij. Fill pas saj salla u hap. Ekspozita pati sukses të menjëhershëm. Të gjithë vizitorët përqafonin dhe uronin profesorin 66-vjeçar. Në ekspozitë kishte ardhur dhe inspektori X. Y., që e takoi dhe e uroi  piktorin. Unë menjëherë i thashë babait tim:

-         Nuk e meriton t'i japësh  dorën.

-         S'ka gjë,- u përgjigj piktori me zemërgjerësinë e tij të përhershme.- Rëndësi ka që të ketë kuptuar dhe një ditë do ta kuptojë më mire.

Në darkë Radio Televizioni Shqiptar transmetoi kronikën e hapjes së ekspozitës.

 Ekspozita qëndroi e hapur rreth nje muaj. Tre libra u mbushën me përshtypje të kësaj ekspozite, një prej të cilëve duhet të ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa një tjetër u zhduk që ditët që ajo qëndronte hapur. Një tjetër ndodhet në studion muze të piktorit.

Nga kjo ekspozitë 4 vepra u blenë nga Galeria Kombëtare e Arteve: “Portreti i piktorit A. Buza”, “Liqeni në dimër”, “Natyrë e qetë me 3 vazo” dhe “Në ateljenë e piktorit”.

Në një prej mbrëmjeve pas hapjes së ekspozitës, piktori organizoi një darkë për miqtë e tij Sali Shijaku dhe Shaban Hadëri. Në darkë ishte dhe vëllai i piktorit Raqi dhe unë.

Kishim një magnetofon  Sharp (me kaseta) atëherë. U mata shumë herë

që t’i inçizoja pa u kuptuar prej tyre, por më dukej vetja sikur po i spiunoja. Por më pas e quajta gabim të madh mosveprimin tim. Gjatë gjithë darkës u diskutua për lirinë e artit. Dhe inçizimi do të ishte sot prova e vërtetësisë së bisedës së tyre. 

Ekspozita frymëzoi veçanërisht artistët e rinj, të cilët u befasuan jo pak nga paraqitja ndryshe e piktorit. Për ekspozitën u shkruajt një artikull në gazetën "Drita" nga piktori dhe kritiku i ri Abaz Hado, i cili evidentoi dhe vlerësoi qartazi frymën e re që po sillte kjo ekspozitë.

Mbi këtë ekspozitë dhe veprën e Guri Madhit, u realizua dokumentari “Portret”, që do të ishte dhe mbrojtja e diplomës e regjisorit të ri Artur Zheji në përfundim të Akademisë së Arteve.  Me këtë dokumentar kushtuar  Piktorit të Popullit Guri Madhi, regjisori i ri meritoi notën 10. Kam qenë prezent bashke me prindërit dhe vëllanë tim, në shfaqjen premierë të dokumentarit, në prani të Komisionit të Diplomimit (në një sallë të Televizionit Shqiptar).   

Në këtë dokumentar janë disa analiza artistike nga artistë dhe kritikë të artit. Por vlerësimi për ekspozitën nga Skulptori i Popullit Kristaq Rama evidentoi erën e ndryshimeve në artin shqiptar, promotor i të cilave ishte babai im, Guri Madhi.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë