Në raftet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ruhen mijëra metra shirita 35 mm që mbajnë historinë e kinemasë shqiptare. Por që këto pamje të mos humbasin me kalimin e viteve, nuk mjafton vetëm një magazinë e sigurt. Pas tyre qëndron një punë e përditshme, e heshtur dhe shumë e specializuar, që pak njerëz e njohin.
Prej afro dy dekadash, Hermelinda Troqe është personi që kujdeset që kjo trashëgimi të mbijetojë. Inxhiniere kimiste me profesion, ajo punon mbi një material delikat, shiritin analog 35 mm, ku çdo ndryshim i temperaturës, lagështisë apo përbërjes kimike mund të lërë gjurmë të pakthyeshme.
Në pamje të parë, puna e saj duket larg laboratorëve klasikë. Por në të vërtetë, kimia është mjeti kryesor për të mbrojtur historinë e filmit shqiptar. Çdo bobinë përbëhet nga materiale me strukturë komplekse kimike, si polimeret, bazat e acetatit ose poliestrit dhe emulsione të argjendit, të cilat me kalimin e kohës degradojnë nëse nuk ruhen në kushtet e duhura.
Për këtë arsye, çdo ditë nis me kontrollin e gjendjes së shiritave. Hermelinda inspekton ndryshimet fiziko-kimike, monitoron shenja të degradimit si sindroma e uthullës apo kristalizimi i emulsionit dhe kontrollon nivelin e aciditetit, lagështisë dhe faktorë të tjerë që mund të dëmtojnë materialin.
Por puna nuk mbaron me diagnostikimin. Një pjesë po aq e rëndësishme është krijimi i kushteve ideale të ruajtjes. Temperatura, lagështia relative dhe ajrosja e ambienteve kontrollohen sipas standardeve shkencore, për të ngadalësuar plakjen kimike të shiritave dhe për të zgjatur jetën e tyre sa më shumë.
Në procesin e konservimit nuk mungon as puna manuale. Çdo shirit pastrohet me kujdes dhe trajtohet me procedura të specializuara përpara se të kalojë në fazën e digjitalizimit dhe skanimit me cilësi të lartë. Në të njëjtën kohë, mirëmbahen edhe pajisjet, materialet e ambalazhimit arkivues dhe infrastruktura mbrojtëse, në mënyrë që fondi filmik të ruhet në siguri maksimale.
Është një profesion që rrallë del në plan të parë, por pa të shumë prej filmave shqiptarë do ta kishin të vështirë t'i rezistonin kohës. Në pikëtakimin mes shkencës dhe kulturës, Hermelinda Troqe kujdeset që kujtesa filmike e Shqipërisë të mos mbetet vetëm një kujtim, por një pasuri e ruajtur edhe për brezat që do të vijnë.


Komente
Komento