VLORE- Armando File e ka lidhur jetën me detin që në vogëli. I rritur ne Vlore, pasioni për peshkimin lindi natyrshëm dhe vazhdon ende sot, me të njëjtën dëshirë e përkushtim.

“Që 10 vjec unë ikja nga shkolla dhe gjuaja peshk me mjete rrethanore me rrota penjsh dhe elektroda”, tha ai.

I riu ushtron një aktivitet mjaft të rrallë, qe quhet peshkimi nënujë. Ai gjuan peshqit me pushkë me shtizë, pa përdorur bombola oksigjeni. Për Armandon, nuk është thjesht një mënyrë peshkimi, por një sport që kërkon forcë, durim dhe përgatitje të mirë fizike.

“Jam peshkatar sportiv që nuk lejohet të gjuash natën vetëm ditën. Unë kam shkuar deri në 22 metra por kam pasur probleme me veshët dhe tani shkoj deri në 15 metra”, shton më tej.

Edhe pse ka jetuar për shumë vite në Itali dhe tashmë e ndan jetën mes dy vendeve, Armando nuk është shkëputur asnjëherë nga deti. Ai tregon se qëndron në ujë nga 4 deri në 7 orë, në varësi të kushteve atmosferike dhe gjendjes së detit.

“Në ushtroj zanatin e zdrukthtarit industrial ndërsa peshkimin sportiv e ushtroj vetëm për pasion. Kam gjuajtur këtu në Vlorë por dhe në Itali ku kam jetuar për 20 vite”.

Armando u bë viral në nëntorin e kaluar pasi kapi një peshk rreth 35 kg në Gjirin e Vlorës. Sportisti nga Vlora preferon detin e trazuar, pasi aty adrenalina dhe sfida janë më të mëdha. Ai merr pjesë në gara me peshkatarë të tjerë dhe thekson se këtë pasion nuk do ta braktisë kurrë.