Historia e zhdukjes së Bleona Matës

Historia e zhdukjes së Bleona Matës
Fati i 6-vjeçares Bleona Mata, e zhdukur pa asnjë gjurmë prej 22 majit 2010, vazhdon të mbetet ende mister. Koha e gjatë që ka kaluar, duket se e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimi të rëndë.

Më 22 maj 2010, Bleona Mata, vajza 6-vjeçare, gjendej në kullotën e fshatit Zapod, në një terren të vështirë, por jo të pamundur për fëmijë të rritur në fshat. Me të kanë qenë pesë vajza: Alketa, njëzetetrevjeçare, halla e vajzës së humbur; Qamilja, katërmbëdhjetëvjeçare, kushërirë e parë e babait të Bleonës, fqinje dhe e afërt me vajzën; Rudina, nëntëmbëdhjetë vjeç; Diana gjashtëmbëdhjetëvjeçare.

Hetimet kanë shkuar deri në Greqi, duke ndjekur dyshimin se vajza mund të jetë marrë nga një person, i cili ka shkuar fillimisht në Maqedoni, por ende nuk ka asnjë shpresë për gjetjen e saj.

Grupi hetimor ka shtrirë hetimet prej kohësh në disa drejtime për çështjen e vajzës nga Zapodi i Kukësit, e cila u zhduk më 22 maj të vitit 2010.

Një pistë është se ajo mund të ketë ndërruar jetë.

Grupi hetimor ka mbajtur në përgjim shumë numra telefoni për një kohë të gjatë, sidomos të familjarëve të Bleona Matës, por edhe nga ky përgjim nuk ka rezultuar ndonjë fakt i ri, që të çojë në gjetjen e motiveve të zhdukjes së saj.

Por, duke mbetur në vendnumëro, ndërkohë që çështja ka shkuar drejt pezullimit, pasi nuk gjendet asnjë fakt i ri, grupi i punës ka rivlerësuar edhe një herë dëshmitë e vajzave dhe të afërmve të fëmijës së zhdukur.

Nga rivlerësimi, në qendër të hetimeve kanë mbetur vetëm tri dëshmitë e vajzave, të cilat e kanë parë për herë të fundit.
Për to, ka dyshime të forta se nuk kanë treguar të vërtetën, por nuk dihet nëse ato e kanë bërë në bashkëpunim fshehjen e informacionit, apo vetëm njëra prej tyre nuk ka rrëfyer gjithçka.
Bëhet fjalë për hallën e viktimës, Alketa Mata, si dhe dy shoqet e saj Gentiana dhe Qamile Mata.

Për tre të lartpërmendurat, grupi hetimor shprehet se ato e shpjegojnë në mënyrë të njëjtë momentin e bashkimit të Bleona Matës me to në mal, ku tregojnë se i kishte këmbët e lagura, ishte shumë ftohtë dhe që ishte veshur hollë.

Secila pretendon se kanë lënë shoqen me Bleonën në vendin e ngjarjes para se ajo të zhduket, por asnjëra nuk e pranon, duke hedhur fajin te njëra-tjetra.

Për grupin hetimor nuk përjashtohet mundësia se Bleona Mata mund të ketë vdekur nga i ftohti dhe kjo nuk tregohet nga asnjë prej vajzave që kanë parë një fakt të tillë. Policia dhe prokuroria kanë dërguar për ekspertizë edhe prova të tjera, si xhupat, por nuk është gjetur asnjë shenjë gjaku, apo objekt tjetër i dyshimtë për vrasjen e mundshme të Bleona Matës.

Udhëkryqet për ngjarjen janë të shumta, ndërkohë që janë mbushur tre vite nga ngjarja e rëndë dhe askush nuk di të tregojë për fatin e saj.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie