Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video për Samitin e katërt të Diasporës që do të mbahet në datat 13, 14 dhe 15 prill në Tiranë.
Videoja e mirëseardhjes është një përmbledhje e figurave më të rëndësishme shqiptare, të realizuara me Inteligjencë Artificiale. Kontributorë, gjuhëtarë, shkrimtarë, piktorë e rilindas të shquar kanë marrë ‘jetë’ përmes teknologjisë.
I pari që çel ‘paradën’ virtuale është autori i “Mesharit”, Gjon Buzuku, për të vijuar me tre vëllezërit Frashëri që i dhanë zemër Rilindjes, At Gjergj Fishta ose ‘Homeri’ shqiptar, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza.
Secili prej tyre ulet në një fron me shqiponjën dykrenare apo thjesht ngrihet për të përshëndetur.
Figura të tjera janë Fan Noli, Faik Konica, Jeronim de Rada, por nuk janë lënë pas as artistë si Marie Kraja, Ibrahim Kodra, Onufri, Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Pietro Marubi etij.
Më pas, froni u lihet penës së artë si Ismail Kadare e Migjeni për ta mbyllur me Mit’hat Frashërin që ishte ideologu i çështjes kombëtare.
Mbrëmjen e së hënës, më 13 prill, ora 18.00 do të mbahet Ceremonia e Mirëseardhjes në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, një mbrëmje me muzikë shqiptare që do të shërbejë si pikëtakimi i parë për të vlerësuar kontribute të spikatura e frymëzuese.

Më 13 prill do të zhvillohet në Shqipëri samiti i Diasporës dhe do të zgjasë për 3 ditë. Në axhendë, ditën e parë të do mbahet ceremonia e mirëseardhjes në Teatrin e Operas dhe Baletit. Dy ditët e tjera, janë planifikuar në total 17 panele diskutimi me të figura nga vendet e rajonit, 8 panele më 14 prill dhe 9 të tjerë më 15 prill. Ditën e fundit, një marrëveshje do të nënshkruhet mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Komente











