Historike/ Bayer Leverkusen fiton pas 120 vitesh titullin e parë në Bundesligë, thyen dominimin e Bayern Munich (VIDEO)

GJERMANI - Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampioni i Bundesligës për sezonin 2023-24 edhe pse duhen pesë ndeshje deri në fundin e sezonit në elitën e futbollit gjerman. Pas 120 viteve nga krijimi i klubit (1904), "Aspirinat" shijojnë për herë të parë këtë trofe të lakmuar, duke shkruar historinë.

Duhej Xabi Alonso në stol, Granit Xhaka në regji dhe yje si Tah, Andrich, Tella, Hoffman, Boniface, Wirtz, Frimpong, Grimaldo dhe Schick me shokë që Leverkusen të shkruante historinë dhe të thyente dominimin 11 vjeçar të Bayern Munich.

Për javën e 29-të të sezonit, djemtë e Alonsos fituan 5-0 kundër Werder Bremen (Boniface, Xhaka, Wirtz (3x) autorët e golave) dhe me këtë sukses janë zyrtarisht kampionët e rinj në Gjermani. Tifozët ishin përgatitur për një festë të tillë, teksa dita e sotme ishte e veçantë për ta.

Qyteti ishte i veshur me ngjyrat e kuqe dhe të zeza, ndërsa mijëra ishin në rrugë duke shoqëruar ekipin për në stadiumin "BayArena". Xhaka me shokë nuk zhgënjyen dhe bënë që data 14 prill 2024 të shënohet me gërma të arta në historinë 120-vjeçare të Leverkusen.

Ky titull është më i veçantë pasi vjen me një rekord prej 43 ndeshjesh pa humbje këtë sezon në të gjitha kompeticionet, duke bërë që "Aspirinat" të jenë ekipi i vetëm në ligat elitare që ka mbyllur llogaritë e titullit këtë sezon.

Në fund tifozët zbritën nga tribunat në fushë, me festën që është legjitime edhe me flakadanë.

Historia - Tifozët e Leverkusenit kanë pritur për një kohë të gjatë suksesin pasi kanë duruar një sërë humbjesh të dhimbshme, duke përfunduar nënkampion në 2011, 2002, 2000, 1999 dhe 1997.

Klubi gjithashtu humbi finalet e Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve në 2002. Vetëm tifozët 'e moshuar' kujtojnë fitoren e Kupës së Gjermanisë në 1993, ose fitoren e Kupës UEFA në 1998.

Tre trofe kishin në histori "Aspirinat". Një UEFA Cup në 1988, një Kupë Gjermanie në 1993 dhe 1 titull në Bundesliga 2 në vitin 1979. Ky është trofeu i parë pas 31 vitesh për klubin, pas Kupës së Gjermanisë në 1993.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:30
'Urime djali im', e ëma uron Granit Xhakën për titullin kampion në Bundesligë! S'mungon flamuri kuqezi (VIDEO)


Granit Xhaka ishte protagonisti i një sezoni të madh me Bayer Leverkusen. "Aspirinat" fituan 5-0 kundër Uerder Bremen dhe siguruan titullin e parë kampion në histori.

Pesë javë para fundit të sezonit, Leverkusen siguroi matematikisht titullin dhe festa ishte e madhe. Në këtë triumf nuk mund të mungonte as një lojtar me gjak shqiptar si Granit Xhaka, si edhe flamuri kuqezi në stadium.

Mesfushori kishte familjen në stadium, me të ëmën që uroi Xhakën. 'Blick Sport' ka publikuar një video ku shihet mesfushori shqiptar duke u përqafuar me nënën e tij, gruan dhe dy vajzat.

 

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille