Historike, Kosova fiton betejën
me Serbinë, pranohet në UEFA

Historike, Kosova fiton betejën<br />me Serbinë, pranohet në UEFA
Kosova fiton betejën me Serbinë duke u anëtarësuar në Federatën Europiane të Futbollit. Kosova është anëtarja e 55 e UEFA-s. Kosova mori votat e duhura, 28 për pranimin në UEFA, ndërsa kundër pranimit të Kosovës votuan 24 anëtarë nga federatat evropiane, 2 abstenuan.
 
Vendimi u morr në Kongresin e Zakonshëm të Konfederatës Europiane, të zhvilluar në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
 
Fillimisht pati polemika për nenin 5 të statutit të UEFA, që parashikon se një shtet duhet të jetë pjesë e qeverisë së futbollit europian vetëm nëse është pjesë e OKB.
 
Neni u hodh në votim, Kongresi i Budapestit nuk e miratoi ndryshimin e amendamentit, por nuk i mbylli derën aspiratës së Kosovës, pasi Kongresi vendosi që kërkesa të hidhej në votim e ndarë nga amendamenti duke rezultuar më pas i suksesshëm për shtetin e dytë të shqiptarëve.
 
Përfaqësuesi ligjor i UEFA-s kritikave të Serbisë, por edhe atyre qëbazonin mbrojtjen e tyre te neni 5 i statutit që përcakton anëtarësimet iu përgjigj prerë se “Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Prandaj anëtarët e Kongresit do të vendosin vet nëse Kosova e meriton të pranohet në UEFA apo jo”tha ai.
 
Pas anëtarësimit në UEFA-s edhe pranimi në FIFA është çështje ditësh dhe pritet të realizohet më 12 dhe 13 Maj në Kongresin e Mexico City. Kosova do të nisin procedurat për t’u përfshirë në programin e kualifikueseve të Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi nëse pranohet edhe në FIFA.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka deklaruar për mediat në Prishtinë se  pas betejës së fituar në Kongres është uruar edhe nga Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karadzic, pavarësisht kundërshtive të forta.

Megjithatë në deklaratën pas pranimit të Kosovës, Tomislav Karadzic është shprehur se “Futbolli sot ka hyrë në kthetrat e politikës dhe ky vendim i marrë nga UEFA do të ketë pasoja katastrofale".
 
Ndërsa Fadil Vokrri më i kënaqur se kurrë dhe i përlotur nga emocionet e suksesit më të madh të futbollit kosovar në Europë u shpreh se “Tashmë duhet të fokusohemi në Kongresin e FIFA-s, i cili do të mbahet me 13 maj, ku na është hapur rruga që të marrim pjesë në kualifikime për Kupën e Botës”.

Pas anëtarësimit në UEFA dhe që pas pak ditësh pritet që të ndodhë e njëjta gjë edhe në FIFA, pyetja që shtrohet është se sa futbollistë që luajnë aktualisht me Shqipërinë dhe shtete të tjera do t’i bashkohen vendit të tyre. 

Ora 12:50 Duka: Mos keni frikë, Kosova duhet në UEFA
Në fund fjalën e ka marrë dhe Presidenti i FSHF, Duka që u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të UEFA, që votojnë pro pranimit të Kosovës në UEFA.

“Ne merremi me futbollin dhe duhet te mendohet vetëm për futbollin dhe jo për politiken. Kosova është një realitet.

Kosova është shtet ka zhvilluar ndeshje miqësore, ka organizuar turne, kërkojë nga të gjithët që të japin dritën e gjelbër për pranim duke pasur parasysh këtë sport te mrekullueshëm në Kosovë.

Kosova është shtet i pavarur nga Serbia. Ndoshta disa kanë frikë nga pranimi i Kosovës, pasi kanë në kombëtare lojtarë të tyre” e mbylli Duka duke thumbuar Zvicrën.
 
Ora 12:45 Serbia: Mos e pranoni Kosovën, po hapni ‘Kutinë e Pandorës’
Pas Fadil Vokrrit fjalën e ka marrë Presidenti i Federatës së Futbollti të Serbisë, Tomislav Karaxhiç, i cili ka ka  kërkuar që të votohet kundër pranimit të Kosovën.
 
“Jam kundër një federate që nuk i plotëson kushtet për pranim në UEFA. Duhet t’i themi jo politikës, jo ndasive, pasi politika është përzier në sport. Pranimi i Kosovës është hapja e ‘Kutisë së Pandorës’”, është shprehur Karaxhix.
 
Ora 12:30 Vokrri: Marrëveshja me Serbinë nuk e pengon pranimin
Pas rrëzimit të nenit e ka marrë fjalën Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili ka kërkuar mbështetjen e kolegëve të tij për pranimin e shtetit më të ri në Europë në UEFA, pasi kështu do t’iu jepej edhe një stimul të rinjve.
 
Vokrri ka deklaruar se edhe marrëveshja Kosovë-Serbi nuk e pengon anëtarësimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare.
 
Kryetari i FFK-së iu ka bërë apel të pranishmëve që të votojnë pro vendimit për pranim të Kosovës, pasi e meriton të jetë pjesë e saj.

Ora 12:00 Neni i Kongresit dhe OKB
Kosova ka dështuar në hapin e parë në rrugën për pranimin në UEFA, pasi Kongresi i Budapestit nuk e ka miratuar ndryshimin e amendamentit që do të pasonte në vazhdim votimin për pranimin e shtetit më të ri në qeverinë e futbollit europian.
 
Shtetet anëtare të UEFA’s nuk e kanë miratuar ndryshimin e statutit, që do t’i mundësonte një shteti anëtarësim edhe pa qenë anëtare e OKB-së.
 
Kosova mori 33 vota, 20 ishin kundër, ndërsa 1 abstenoi, ndërsa për kalimin e amendamentit i duheshin 2/3 ose 36 vota.
 
Mos ndryshimi i nenit nuk e ka dekurajuar aspak Kosovën, pasi përfaqësuesi ligjo u shpreh se “Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Prandaj anëtarët e Kongresit do të vendosin vet nëse Kosova e meriton të pranohet në UEFA apo jo”tha ai.

Tashmë pritet se si do të vendoset në Kongres për votimin e Kosovës apo jo për pranimin në UEFA.

Ja si mundet të pranohet Kosova
Sot është një ditë vendimtare për futbollin e Kosovës, pasi shteti më i ri në Europë pritet që të anëtarësohet me të drejta të plota në qeverinë e futbollit europian, UEFA.
 
Vendimi do të merret në Kongresin që do të zhvillohet në Budapest të Hungarisë, ndërsa Kosovës i duhet vetëm një shumicë e thjeshtë prej 28 votash nga 54 shtete për të marrë miratimin.
 
Nga 54 vende anëtare në UEFA, 36 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe pritet të votojnë pro anëtarësimit.
  
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, është njohur nga më shumë se 100 shtete të botës, ndërsa janë ndërkombëtarizuar të gjitha federatat e sporteve në Kosovë, qershia mbi tortë pritet të jetë sot pranimi në UEFA-s dhe më pas në 13 maj në FIFA.
 
Anëtarësimi deri sot ishte penguar me faktin se për të qenë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s duhet më parë të jesh pjesë e OKB, por pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar bëri që qeveria e futbollit në kontinentin e vjetër t’i hapë rrugë shtetit të dytë të shqiptarëve.
 
Pranimi i Kosovës do të thotë një kombëtare më vete nga Shqipëria dhe pjesëmarrëse në garën për Botërorin e Rusisë, nëse kalon edhe testin final në FIFA më 13 maj.

uefa
kosova
kosova


Redaksia online
(d.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Erdogan inauguron xhaminë eNamazgjasë/ Arapi: Tallja ndaj myslimanëve mori fund! Tanini: Arkitektura e saj është brutale! Mirë që nuk ka emrin e ndonjë sulltani

Erdogan inauguron xhaminë eNamazgjasë/ Arapi: Tallja ndaj myslimanëve mori fund! Tanini: Arkitektura e saj është brutale! Mirë që nuk ka emrin e ndonjë sulltani