Historike! Papa Françesku
shpall shenjtore Nënë Terezën

Historike! Papa Françesku<br />shpall shenjtore Nënë Terezën
Ditë historike! Papa Françesku ka shpallur shenjtore humanisten shqiptare Nënë Tereza. Humanistja shenjtërohet 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali i II-të dhe 19 vjet pas vdekjes.
 
Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën në një ceremoni madhështore dhe shumë emocionuese në sheshin 'Shën Pjetër' të mbushur me qindra e mijëra besimtarë nga e gjithë bota ku binin në sy flamujt shqiptar dhe ai i Kosovës.
 
Papa Francesku lexoi formulën e shenjtërimit në gjuhën latine e më pas shpërthyen duartrokitjet. Në altar u vendosën relike të shenjtores së saposhpallur.
 
Ati i Shenjtë u shpreh se murgesha shqiptare u angazhua në mbrojtje të jetës dhe ngriti zërin aq sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, ndërsa theksoi se mëshira ishte për Nënë Terezën dritë për njerëzit e varfër.
 
Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit! Ndoshta do të jetë e vështirë ta thërrasim Shën, por Shenjtëria e saj është kaq pranë nesh! Një Nënë që u bë Shenjt.
 
Nënë Tereza e ngriti zërin dhe sfidoi të pushtetshmit e tokës, fajtorë të varfërisë
” u shpreh Ati i Shenjtë në fjalën e tij para 100 mijë besimtarëve dhe 13 delegacioneve zyrtare mes tyre edhe personalitete te politikes shqiptare.
 
Papa Françesku tha se Nënë Tereza ishte një bujare e mëshirës hyjnore që do të kujtohet gjithmonë nga të gjithë.
 
“Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje.
 
U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.
 
Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
 
Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.
 
Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë
"tha Papa.
Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan u mbajt në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Shën Terezës në shqip. Në mbarë botën, e jo vetëm në Kishë, u përjetua me gëzim pritja për shenjtërimin e Nënë Terezës.
 
Të pranishëm sot në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës ishin edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha ishin në selinë shenjtë. Në Vatikan ishin edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri.
nishani nene tereza

rama vatikan
 Shenjtërimi i Nënë Terezës është festuar edhe ne Kalkutë. Ndërsa në Shqipëri po zhvillohen një varg aktivitetesh.
 
Shenjtërimi i Nënë Terezës është një moment historik për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, teksa një pjesë e tyre ishte edhe në Vatikan.
 
Sheshi 'Shën Pjetër' ishte blinduar nga masat e rrepta të sigurisë me 3 mijë agjendë, ndërsa ishin mbi 100 mijë besimtarë, 15 delegacione dhe mbi 600 gazetarë që përcollën shenjtërimin e Nënë Terezës.
papa nene tereza

sheshi shen pjeter vatikan

sheshi shen pjeter vatikan

Minutë pas minute ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe aktivitetet

Ora 12:58 Meta: I përket mbarë njerëzimit, na detyron të reflektojmë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i pranishëm në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës u shpreh se humanistja shqiptare tashmë i përket të gjithë njerëzimit, ndërsa frymëzoi në të gjithë botën për të ndihmuar dhe për t’i shërbyer njerëzve më të varfër.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës apo procesi i kanonizimit, padyshim që është një ngjarje për të gjithë njerëzimin sepse Nënë Tereza i përket mbarë njerëzimit me modelin e jashtëzakonshëm që ajo solli dhe frymëzoi në të gjithë botën për të ndihmuar dhe për t’i shërbyer njerëzve më të varfër, më të uritur, më në nevojë, në një mënyrë tepër të thjeshtë, të përulur dhe modeste.

Dhe padyshim që edhe për ne si shqiptarë, kudo ku jemi dhe jetojmë, është një ngjarje e jashtëzakonshme për shkak të origjinës dhe të gjakut të saj”,
tha Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shenjtërimi i Nënë Terezës, është edhe një detyrim për të reflektuar edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar.

“Padyshim që kjo na bën që të krenohemi, por sigurisht kjo na detyron edhe të reflektojmë edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar dhe krejt të veçantë të njerëzimit në mënyrë që të punojmë të gjithë më shumë për të qenë të përulur para atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe për mbështetjen tonë, për më shumë solidaritet dhe shpirt sakrifice ndaj tyre. Dhe natyrisht edhe për të qenë më paqësor dhe bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe me të gjithë në jetën tonë të përditshme”, theksoi Meta.


Ora 12:45Shenjtërimi, Papa ofron pica napoletane për të pastrehët
Pas meshës së Shenjtërimit të Nënë Terezës Papa Françesku ka ofruar një drekë me pica napoletane për 1500 të varfër që jetojnë e strehohen në shtëpitë e Misionareve të Nënë Terezës.

Ora 12:30 Papa përshëndet të pranishmit në shesh
Pas shenjtërimit Papa ka zbritur në shesh për të përshëndetur të pranishmit që ishin ceremoni. Të pranishëm në sheshin 'Shën Pjetri' ishin mbi 100 mijë besimtarë nga e gjithë bota. 

Ora 12:20 Papa mbyll ceremoninë, bekon kombet
"Ndërsa po i afrohemi përfundimit të këtij kremtimi, dëshiroj t’ju përshëndes e t’ju falënderoj ju të gjithëve, që morët pjesë.
 
Në mënyrë të posaçme, Misionaret e Misionarët e Bamirësisë, familje shpirtërore e Nënë Terezës. Themeluesja juaj Shenjte ju ruajtët gjithnjë në udhën tuaj e ju nxjerrtë hirin të jeni përherë besnike ndaj Zotit, Kishës, të varfërve.
 
Me mirënjohje plot respekt përshëndes autoritetet e larta të pranishme, posaçërisht ata të vendeve, që lidhen në mënyrë të veçantë me figurën e Shenjtores së re, si dhe delegacionet zyrtare e shtegtarët e panumërt, ardhur nga këto vende, në këtë rrethanë të lumtur. Zoti i bekoftë Kombet tuaja!
 
E me dashuri ju përshëndes të gjithë ju, të dashur vullnetarë e veprimtarë të mëshirës. Ia besoj secilin nga ju mbrojtjes së Nënë Terezës: ajo ju mësoftë ta kundroni e ta adhuroni çdo ditë Krishtin e Kryqëzuar, për ta njohur e për t’i shërbyer në vëllezërit nevojtarë. E kërkojmë këtë hir edhe për të gjithë ata, që u bashkuan me ne përmes mediave, në të katër anët e botës.
 
Në këtë çast dëshiroj t’i kujtoj të gjithë ata, që e shkrijnë jetën në shërbim të vëllezërve, në rrethana të vështira e të rrezikshme. Mendoj posaçërisht për shumë Rregulltare, që e dhurojnë pa kursim jetën e tyre. Të lutemi posaçërisht për rregulltaren misionare spanjolle, motrën Izabela, që u vra dy ditë më parë në kryeqytetin e Haitit, vend i vënë në sprovë të rëndë, për të cilin uroj të marrin fund këto akte dhune e të ketë më shumë siguri për të gjithë. Kujtojmë edhe motra të tjera që, kohët e fundit, pësuan dhunë në disa vende.
 
E bëjmë këtë, duke iu drejtuar në lutje Virgjërës Mari, Nënë dhe Mbretëreshë e gjithë shenjtorëve
"tha Papa në mbyllje të ceremonisë në Vatikan. 

Ora 11:15 Papa: Nënë Tereza, bujare e mëshirës hyjnore/  Fjala e plotë e Papa Françeskut
Papa Françesku tha se Nënë Tereza ishte një bujare e mëshirës hyjnore që do të kujtohet gjithmonë nga të gjithë. Ati i Shenjtë u shpreh se murgesha shqiptare u angazhua në mbrojtje të jetës dhe ngriti zërin aq sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës. Papa vazhdoi më tej duke theksuar se mëshira ishte për Nënë Terezën dritë për njerëzit e varfër.
 
"Kush mund ta përfytyrojë se çfarë do Zoti? Detyra jonë është ta nuhasim thirrjen e Zotit dhe vullnetin e tij. Por duhet të pyesim, cili është vullneti i Zotit, duhet të pyesim dhe kuptojmë se çfarë i pëlqen atij. Mesazhi i profetëve përmblidhet në shprehen "Mëshirë".

Zotit i pëlqen cdo vepër mëshire. Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë i japim të hajë dhe pijë vetë Jezusit. Pra e kemi prekur mishin e Krishtit. Nuk ka tjetër rrugë përveç dashurisë. Angazhimi që kërkon Zoti, është i thirrjes për bamirësi. Nënë Tereza në jetën e saj ishte bujare e mëshirës hyjnore, ishte gjithnjë e gatshme për të gjithë. Ajo u angazhua në mbrojtje të jetës e ngriti zërin aq sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës.

Mëshira ishte për Nënë Terezën dritë për njerëzit e varfër. Misioni në periferitë e qyteteve mbetet në ditët tona, si dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike mbarë botës, le të jetë Nënë Tereza modeli.

Asaj do të vazhdojmë ti themi Nënë Tereza, pavarësisht nga shenjtëria. Të kujtojmë Nënë Tereza e cila thoshte “Ndoshta nuk flas gjuhën e tyre por mund të buzëqesh". Të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj, dhe dhurojmë buzëqeshje sidomos atyre që vuajnë. Hapim kështu horizonte humantiteti dhe mirëkuptimi"tha Papa. 


Ora 11:10 Gjet Ndoj: Dokumentet për jetën shumë shpejt në Shqipëri
Gjet Ndoj, ish-drejtori i Arkivës së Shtetit ka thënë në një intervistë për Report Tv se shumë shpejt në Arkivën e Shtetit do të vijnë shumë dokumente të cilat faktojnë detaje nga jeta e nënë Terezës, por edhe e familjes së saj.

Ndoj ka saktësuar se kjo do të arrihet falë bashkëpunimit me djalin e priftit që pagëzoi nënë Terezën në Shkup dhe se këto dokumente do të merren nga arkivat e Luzernës në Zvicër.

Por, Gjet Ndoj, si ish-drejtor i Arkivave ka thënë se Shqipëria nuk ka pasur mundësi që të ketë dokumente të aktivitetit të Nënë Terezës, pasi shenjtorja shqiptare aktivitetin  saj e ka pasur jashtë Shqipërisë.

Lidhur me dokumenteve arkivore, Shqipëria nuk futet në arkivat e pasura, pasi aktiviteti i nënë Terezës ka qenë në Irlandë, Itali dhe në Kalkutë e Indi e më pas në gjithë botën. Dokumentacioni më i pasur nuk është në Shqipëri, por për shkak të bashkëpunimit, Arkivat e kanë nisur një gjë të tillë për të sjellë gjithçka për Nënë Terezën dhe jemi në negociata me arkivat e Zvicrës, Luzernë, ku Albert Ramaj ka pasur një mbledhje dhe përkujdesje për koleksionin e dokumenteve të Nënë Terezës. Me atë unë kam komunikuar, si drejtor i përgjithshëm i Arkivave dhe më ka premtuar se dokumentacioni do të vijë këtu. Albert Rama është nipi i priftit që pagëzoi nënë Terezën në Shkup. Në këto dokumente do të paraqitet jeta e Nënë Terezës, por edhe e familjes së saj” tha Ndoj.

Sipas Ndojt, shenjtërimi i Nënë Terezës është një arsye për të bërë që çdo shqiptarë të ndihet krenar.

Sot ne kemi arsye të ndihemi krenar pak më shumë se të tjerët, pasi ajo ka thënë se ka gjak shqiptar. Kjo na bën të ndihemi krenar që nga gjaku shqiptar lindi një figurë emblematike” tha ai.

Ora 10:44 Papa Françeku shpall të shenjtë Nënë Terezën
Ati i Shenjtë lexoi formulën e kanonizimit duke e regjistruar Nënë Terezën si Shën Tereza. Papa Francesku lexoi formulën në gjuhën latine e më pas shpërthyen duartrokitjet. Menjëherë në altar u vendosën relike të shenjtores së saposhpallur. Tashmë humanistja shqiptare është shpallur e shenjtë, pasi iu njohën dy mrekullitë. 

papa cermonia nene tereza

Ora 10:37 "Nënë Tereza ia kushtoi jetën të varfërve"
Njëri nga kardinalët bëri një përshkrim të Nënë Terezës duke theksuar se "Ajo ka pasur në shpirt gjithmonë Krishtin. Nënë Tereza ka falur shumë dashuri në të gjithë botën. Ajo i është dedikuar ndihmës së njerëzve në nevojë gjithë jetën e saj'. Ndërsa më pas mesha ka vazhduar me disa lutje. 

Ora 10:30 Ka nisur në Vatikan ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës

Ora 10:25 Shenjtërimi, Meta ndjek meshën e shenjtë në ‘Shën Pjetër”
Kryetari i Kuvendit Ilir meta ka marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, në sheshin “Shën pjetur” në Vatikan. Ai është shoqëruar edhe nga disa deputetë të Kuvendit, mes të cilëve Jozefina Topalli dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

meta vatikan

Ora 10:20 Çifti martohet ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës
Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës një çift ka vendosur që të kurorëzojë me martesë lidhjen e tyre në katedralen e Shën Palit.

foto dasme shen pali

Ora 10:18 Shenjtërimi, Basha: Ditë e madhe për kombin shqiptar
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se shenjtërimi i nënë Terezës është një frymëzim për të gjithë shqiptarët, por edhe mbarë qytetërimit për ndihmë dhe shenjtërim ndaj të pamundurve.
 
Basha ka shtuar se, kjo është një ditë e madhe për kombin shqiptarë dhe se nënë Tereza është shenjtorja më re e Kishës Katolike.
 
"Në Shën Pjetër, sot një ditë e madhe për kombin shqiptar! Nënë Tereza, gjak prej gjakut tonë do të jetë sot shenjtorja më e re e Kishës Katolike, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për tju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve"tha ai.

Ora 10:10 Veliaj: Më shumë mirësi dhe dashuri sesa inat dhe mllef
Kryebashkiak Veliaj pas zbulimit të pllakës tha se edhe në Shqipëri mund të lindë një njeri i shenjtë dhe se në një ditë të shënuar si sot njerëzit duhet të mendojnë si të dhurojnë shumë dashuri dhe mirësi sesa mllef.

"Ka shumë njerëz që thonë a mund të lindë një trëndafil nga ferra, por mesa duket mund të lindë. Një forcë mirësie dhe dashurie për të treguar jo vetëm gjërat që nuk funksionojnë por të bëjnë që gjërat të funksionojnë.

Falenderoj imzot Ramiro Molinari Ingles për shërbimin diplomatik në Shqipëri. Mirënjohje për motrat e Nënë Terezës, në Shqipëri ka 6 qendra të tilla, kujdesen për njerëz që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, por edhe njerëz të braktisur. Ju jemi mirënjohës për shërbimin në qytetin tonë. Mirënjohje edhe për ata njerëz që me përulësinë e tyre shërbejnë në këtë qytet.

Në një qytet me një milion probleme është shumë e lehtë që të tregosh problemin, por duhet të bëjmë më shumë gjëra me mirësi dhe dashuri sesa me inat dhe mllef. Përulje me mirësi atyre që kurojnë cdo ditë problemet e Tiranës. Tirana i bashkohet shumë festimeve në Vatikan. Kur ceremonitë të kenë mbaruar do të kemi  një titull të ti, Shën Tereza, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e Kalkutës.

Nga një vend i vogël si Shqipëria mund të lindin njerëz të shenjtë, si Nënë Tereza. Mendoj se duhet të kalojmë ditën duke medituar pak, që çdo kush të jetë i shenjtë në komunitetin që shërben. Harmonia fetare është burim frymëzimi për shumë gjëra në Shqipëri"përfundoi ai.

pllakata nene tereza

Ora 10:05 Imzot Ramiro Molinari Ingles: Ju sjell përshëndetjen e Papës
I pranishëm në zbulimin e pllakatës ka qenë edhe imzot Ramiro Molinari Ingles, i cili u shpreh se "Ju sjell përshëndetjen e Papa Françeskut. Nderojmë sot veprën e Nënë Terezës, që sot do të shenjtërohet".Imzot Ramiro Molinari Ingles përfundoi misionin në Shqipëri. 

Ora 10:00 Përurohet pllakata, Kumbaro: Sot, ditë e madhe
Kryebashkiaku Veliaj dhe ministrja Kumbaro kanë përuruar në sheshin me emrin e humanistes shqiptare në Tiranë pllakatën përkujtimore për Nënë Terezën. Pllaka është zbuluar nga Veliaj dhe ministrja e Kulturës Kumbaro.

Në fjalën e saj ministrja Kumbaro është shprehur se 'Sot është një ditë e madhe për një dashuri të madhe. Një figurë kaq e madhe është vështirë ta shprehim. Nderin më të madh që mund të bëjmë është  të sjellim një lutje të saj. "Njeriu është i paarsyeshëm, duaje.

Nëse bën  një të mirë, do të thonë e bën për qëllime personale, nuk ka rëndësi bëje. Mirësia që mund që bëni mund të harrohet, nuk ka rëndësi, por bëje. Njerëzit që ke ndihmuar mund të mos jenë mirënjohës, nuk ka rëndësi, ndihmoji". 

pllakati nene tereza

Ora 09:45 Pas pak nisin aktivitetet në Tiranë
Bashkia e Tiranës ka organizuar disa aktivitete me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Në sheshin me emrin e humanistes shqiptare në Tiranë do të përurohet pllakata përkujtimore për Nënë Terezën. Ndërsa do të ndiqet live shenjtërimi nga sheshi 'Shën Pjetër' në Vatikan.
 
Ora 09:40 Nishani: Nënë Tereza simbol ndërkombëtar, krenar që ka gjak shqiptari
Presidenti Bujar Nishani gjate koncertit te organizuar ne Vatikan mbrëmjen e djeshme për shenjtërimin e Nënë Terezës u shpreh se ndihet me fat që është dëshmitar i kësaj dite historike. Ai tha se të gjithë shqiptarët ndihen krenar që Nënë Tereza është me origjinë shqiptare

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë