Speciale/ 'Kalvari' i Teatrit në 2 vjet, nga dhënia me PPP tek shembja!

TIRANË- Çështja e Teatrit Kombëtar, e ka zanafillën në 8 shkurt të 2018-ës, kur një grup artistësh u mblodhën për të kundërshtuar disa pika të projektligjit për “Ligjin për artin dhe kulturën” në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve. Po në atë takim, ku të pranishëm qenë përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore dhe Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, si Robert Ndrenika, Mehdi Malkaj, Altin Basha, Arben Derhemi, Alert Çeloaliaj, Kastëriot Çipi, Bujar Asqeriu, artistët i përmendën ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaros, thashethemet që po qarkullonin në lidhje me një projekt, për të ndërtuar një godinë të re teatri me PPP (Partneritet Publik Privat), po aty ku ishte Teatri Kombëtar. Pas një këmbëngulje të gjatë, patën një takim me ish-ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ua mohoi ekzistencën e një projekti të tillë.

“Këta duan tokën ta vjedhin or vëlla, e kuptoni tani? Unë mendoj se për këta nuk ka shumë rëndësi nëse ka apo nuk ka teatër. Këta duan tokën ta vjedhin. Janë lidhur”, u shpreh asokohe, aktori Robert Ndrenika.  

Prej aty, do të nisnin çdo mbrëmje ora 19.00 në agoret e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, protesta në mbrojtje të godinës. Ndërkaq, më 16 shkurt në Bashkinë e Tiranës, Kompania “Fusha” i kishte dorëzuar në Bashkinë e Tiranës, një propozim për koncesion, ku thuhej se në atë kompleks do të ndërtonte një teatër të ri, si dhe një bllok ndërtesash komerciale.

Ndonëse, Kumbaro u tërhoq nga projektligji, dhe mohoi të kishte një projekt për godinën e Teatrit, një javë më vonë, e vërteta do të rezultonte ndryshe. Kryeministri Edi Rama, jo vetëm që do të tregonte plan për një teatër të ri me PPP, por do të bënte prezantimin e tij, në pasditen e 12 Marsit 2018 në kryeministri (COD). Takimi s’do të kalonte pa zhurmë, kryeministri i pret fjalën aktorit Robert Ndrenika, ndërsa foli e ilustroi projektin e arkitektit danez Bjarke-Ingels. E gjitha kjo sipas tij, “do të ndikonte në zhvillimin e artit në vend”.

Ndonëse, protestat kundër shembjes, po bëheshin gjithnjë e më të forta, me përkrahjen e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, opinionistë, shkrimtarë, historianë dhe intelektualë, po aq serioze ishin dhe objektivat e kryeministrit. Më 10 qershor 2018, duke i shpërfillur zërat kundërshtues, Qeveria paraqet një projektligj të jashtëzakonshëm, ku kërkohej t’i kalonte pa konkurs toka e Teatrit Kombëtar kompanisë “Fusha”. Më 27 qershor 2018,  pasi ligji u diskutua me kërkesë të Ministrisë̈ së Kulturës me “procedurë të përshpejtuar”, Këshilli i Ministrave e miratoi projektligjin, i cili u firmos nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi.

Pas shumë diskutimesh, ku u përfshi edhe kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj, në 28 qershor 2018, një takim në tavolinë pa praninë e medias, me aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Robert Ndrenika dhe regjisorin Altin Basha, Veliaj lajmëroi se kishte arritur një marrëveshje. Lajmi befasoi sa artistët, që po rezistonin prej muajsh, ashtu edhe mediet, e megjithatë, artistët kundër shembjes u shprehën se kjo marrëveshje nuk ishte bërë në emër të tyre, por vetëm të këtyre 4 artistëve, ndaj nuk mund të vendosnin ata për fatin e Teatrit. Këtu nisi edhe ndarja e artistëve pro dhe kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Mes tubimeve, e debateve të forta, por paqësore nga ana e artistëve, në 5 korrik 2018, ligji me PPP për Teatrin kalon në Parlament me 75 vota pro.

Ndërkaq, në ditët që do të pasonin mediet do të bënin publike, planet për ndërtimin e kullave deri në 20 kate edhe në tokën e Teatrit Kombëtar (në total 5522 m2).

Teatri u mor mbrojtje nga artistët dhe Aleanca
Në 24 korrik të 2019-ës, në orët e para të mëngjesit, policia mësyn në Teatrin Kombëtar,artistët e sinjalizuar gjenden menjëherë në mbrojtje të godinës. Krijohet përplasje fizike mes dy palëve, ndërkohë Teatri rrethohet. Një grup artisësh e aktivistësh arrijnë̈ të futen në Teatër dhe ngujohen aty, për orë të tëra. Pas 12 orësh policia tërhiqet. Prej asaj dite, Teatri merret në mbrojtje nga artistët e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Protestat bëhen të përditshme, dhe Teatri ruhet 24 orë. Qëndresën e forcojnë edhe më tepër me shfaqje, rreth 70 të mbajtura, diskutime, mbrëmje poetike, ekspozita, ku bashkohen edhe artistë të huaj.

Presidenti Meta, çon Teatrin Kombëtar në Kushtetuese
Pas këtyre, më 27 korrik 2019 Presidenti kthen ligjin në Parlament, duke evidentuar 9 shkelje, ku ngriti shqetësimin për mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo PS, siç premtoi në 20 shtator të 2018-ës e riktheu ligjin e rishikuar për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Votimi në seancë u bojkotua nga opozita, po ashtu mungonin Kryeministri Rama, dhe ministri i Diasporës Pandeli Majko. Kalvari i këtij ligji, do të vijonte më tej me kthimin për herë të dytë në Parlament nga presidenti Meta.

2 padi nga Meta dhe kallëzimet e Aleancës
Presidenti Meta ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Teatrin Kombëtar në 27 korrik të vitit 2019, dhe më pas e ktheu sërish tetor, duke e konsideruar ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar si antikushtetues dhe kriminal. Ndërsa, në 14 maj 2020, ai padit në Gjykatën Kushtetuese Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.377, për vendimin e tij, si antikushtetues.

Ndërsa, Policia Bashkiake i dorëzoi në datë 13 maj 2020 një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, në të cilën i shpjegonte që tashmë institucioni është në pronësi të bashkisë, edhe ata duhet ta lironin brenda pesë ditëve. Artistët e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, pas kërkesës për Auditim të Veliajt në KLSH (datë 11 maj) paditën në Prokurorinë e Tiranës (datë 15 maj 2020), 3 specialistë në Institutin e Ndërtimin, që kanë firmosur në 2018-ën relacionin për shembjen, pa qenë pjesë e ekspertizës që ka bërë Instituti i Ndërtimit në 2018-n.

24 mars 2020 EuropaNostra merr në mbrojtje Teatrin
Teatri Kombëtar në Shqipëri u zgjodh, si një nga 7 vendndodhjet e trashëgimisë më të rrezikuara për vitin 2020 nga EuropaNostra në mbështetje  nga Banka Europiane e Investimeve në 24 mars të 2020-s me motivacionin: “Teatri Kombëtar i Shqipërisë, si shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne-italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, përballet me rrezikun më të afërt të shembjes”.

Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe atyre Bashkiak
Në 26 shkurt të 2020-ës Bashkia e Tiranës dha lajmin se kompania “Fusha” ishte tërhequr, dhe se do të qe ky institucion që do të ndërtonte Teatrin e ri Kombëtar, përmes mbështetjes financiare të Qeverisë. Mandej në 8 Maj 2020, sipas një Vendimit nr 377 Teatri do të Teatri do të kalonte nga në varësi të Ministrisë së Kulturës, në pronësi të Bashkisë. Po aq i shpejtë sa kjo VKM, do të ishte edhe Vendimi i Këshillit Bashkiak për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar” në datë 14 maj 2020, ndryshe nga sa ishte lajmëruar për një ditë më vonë. Votën e tyre këshilltarët e dhanë online, pa u diskutuar më herët. Më tej, u dha lajmi se në 18 maj 2020 ora 11.00 do të bëhej mbledhja e Këshillit Bashkiak për të prezantuar projektin e Teatrit të ri Kombëtar.

17 maj 2020 Teatri Kombëtar dhe Eksperimental shemben
Mësymja e policisë në datë 17 maj në Teatrin Kombëtar, ishte paralajmëruar edhe më herët prej artistëve dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Prej reagimit të menjëhershëm të medieve dhe artistëve, si dhe forcave kryesore opozitare, duket se ora 23.00 në të cilën, siç thuhej ishte planifikuar “sulmi”, nuk u duk fort favorizuese. Prania e kreut të PD-së Lulëzim Basha, dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhit deri në orët e para të mëngjesit  të 17 majit (4.30) i shtoi orët e pritjes për forcat e rendit. Gjatë këtyre orëve, artistët përcillnin sinjalizimet, se Shteti përmes forcave blu, do të hynte në Teatër, për të përshpejtuar shembjen. Megjithatë, rreth orës 3 të mëngjesit, Basha dhe Kryemadhi janë larguar nga godina, dhe pengesat ishin më të vogla. Rreth 10 makina, kanë rrethuar Teatrin, dhe afro 1000 trupa të Policisë dhe Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zbarkuar në kompleksin teatror, duke u përpjekur të largonin prej aty të pranishmit. Mediat janë larguar të parët, duke mos i lejuar gazetarët e pranishëm të merrnin as sendet personale, që kishin në ambientet e Teatrit, ndërsa operatorët që përpiqeshin të xhironin atë që po ndodhte, u kërcënuan “se do t’u thyheshin kamerat”. Artistët dhe aktivistët u larguan me forcë nga sheshi i Teatrit, dhe ndaj atyre që u përpoqën të rezistonin, agresiviteti ishte më i madh. Siç e patën lajmëruar, qëndrestarët e Teatrit, rezistuan deri në fund duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Aktorja Juli Emiri dhe Neritan Liçaj si dhe Mirela Karavina e Eldon  Luarasaj (djali I artstëve Mihal edhe Edi Luarasit), gjatë aksionit të policisë u zhvendosën menjëherë për në tarracën e Teatrit, ndërsa arkitekti Astrit Seranaj, u fut në Sallën e Madhe. Ndërkaq që prej orës 4.30 kishte mbërritur fadroma e parë, dhe ata, nisën të dëgjonin lëkundjet e Teatrit që po shembej, me ta brenda. “Kur erdhi policia ne hymë lart. Ishte me ne dhe Don Luarasi. Po mendoja sa keq. Diktatura të atit i hoqi lirinë, tani po na prish Teatrin. Ishim brenda, erdhi fadroma dhe dolëm”, thotë Karabina.

Të pikasur nga policia, dhe të tmerruar, nga ajo që po ndodhte, tentuan, së bashku me Robert Budinën, të qëndronin me çdo kusht në Teatër, për të parandaluar shembjen e tij, por konfrontimi me një numër të madh policësh qe i pamundur për ta. Të tronditur, Liçaj, Seranaj, Emiri, artisti pamor Pleurad Xhafa, 37 artiste dhe qytetarë u shoqëruan për në Komisariatin nr.1. Ora 5 e gjen Teatrin të rrethuar nga të katërt anët dhe protestuesit jashtë tij duken të dëshpëruar. Emdond Budina, Mehdi Malkaj, Adriana Tolka, Rudi Erebara, Ervin Bejleri e të tjerë aktorë prej jashtë barrikadave që i ndajnë me kordonin policor, arrijnë të shikojnë ballinat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, godinave 82-vjeçare futuriste të ndërtuar nga arkitekti italian Giulio Berte, që shemben. Në vitin 1938 nisi ndërtimi i godinave, që përfundoi në vitin 1939. Prej vitit 1944 u quajt kinema “Kosova”, në vitin 1945 godinat nisën të funksiononin, si Teatri Popullor. Këtë periudhë u zhvillua edhe gjyqi special që çoi në ekzekutimin e disa emrave të njohur të politikës së kohës.  Për një periudhë ka funksionuar si klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve edhe Artistëve. Ndërsa, prej vitit 2000 kur ministër i Kulturës ishte Edi Rama është hequr ideja, që godina nuk ishte funksionale edhe duhet që të zhvendosej diku tjetër. Derisa mëngjesin e 17 majit, kur ishte nisur shembja mendja sinjalizoi se brenda në teatër, përpos rekuizitës, gardërobës dhe objekteve të tjera me vlerë mund të kishte edhe të tjerë protestues, puna për rrënimin total u shty për pak minuta.

Nga jashtë barrikadave u komunikua se po bëhej zhvendosja e materialeve me vlerë, ndërkohë grumbulli i artistëve dhe qytetarëve të revoltuar shtohet pranë Ministrisë së Brendshme, në hyrje të Pedonales. Për çdo rast, policia krahas armatimit të rëndë, me vete ka edhe gazin lotësjellës.

Të shoqëruarit në komisariat
Artistët Juli Emiri, Neritan Liçaj, Pleurad Xhafa, Robert Budina,Xhino Musollari, e të tjerë, që tentuan të bënin rezistencë për të mbrojtur godinën e Teatrit, u shoqëruan për në komisariatin nr.1, e më tej, secili u dërgua në komisariatet pranë qendrave ku banonin. Pas ndjekjes së procedurave, nisën të liroheshin, duke iu bashkuar përsëri protestave, tashmë jashtë kompleksit të rrethuar. Ndër të fundit artistë që u liruan ishin Budina dhe Liçaj, e ky  fundit, gjatë protestës u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike. I ulur këmbëkryq, me zë të ngjirur, dëshpërimi për eliminimin e objektit mëmë të kulturës, ku ai interpretoi dhjetëra role, i lexohej në portret…

Rebelimi jashtë teatrove
“Turp!”, “Poshtë Diktatura!”, “Duam liri, duam vendin!”, “Shpërnda Parlamentin”… Thirrjet e të rebeluarve nga shembja e dy godinave, nëpërkëmbjes që ju bë qëndresës 27-mujore të artistëve, agresivitetit verbal e fizik, tashmë dëgjoheshin pranë Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë Tiranë!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ppshte doktatura: 18/05/2020 08:23

    Largimi i Bashes dhe Kryemadhit nje ore perpara shembjes tregon me se miri qe ata kane patur dijeni per aksionin e shembjes se Teatrit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale