HIV/AIDS, 870 të prekur në Shqipëri 
ISHP: 87 raste të reja vetëm në 2015

HIV/AIDS, 870 të prekur në Shqipëri <br />ISHP: 87 raste të reja vetëm në 2015
870 raste janë raportuar deri në muajin nëntor si të prekur nga virusi Hiv/Aids në vendin tonë ndërsa vetëm gjatë 2015 janë shënuar 87 raste të reja. Shifrat bëhen publike nga një raport i ISHP dhe janë pranuar sot nga Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj në një aktivitet kundër HiV-AIDS.
 
"Në vendin tonë, në bazë të të dhënave të mbledhura e të raportuara nga ISHP-ja, deri në nëntor 2015, janë regjistruar 870 raste të raportuara me HIV/AIDS në Shqipëri.  Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Shqipëri, nuk ka epidemi të gjeneralizuar, apo të përqëndruar, të infeksionit HIV. Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV, ose 0.03%, dhe incidencë 0.003%. Por ndonëse prevalenca e infeksionit HIV në Shqipëri është e ulët, vihet re një prirje në rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit. Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitivë për 2015 (nëntor 2015) është 87 persona, ku midis tyre raportohet edhe një fëmijë, ndërsa numri i përgjithshëm i fëmijëve të infektuar shkon në 40," tha Beqaj.

Sipas ministrit, HIV/AIDS mbetet një fenomen ende urban në vendin tonë, ndërsa numri më i madh i rasteve është në Tiranë.

“72.8% e personave vijnë nga zonat urbane dhe 27.2% nga ato rurale. Përsa i përket shpërndarjes gjeografike, numri më i madh i rasteve, ose 48% e tyre, janë raportuar në Tiranë, më pas, me një diferencë të madhe nga Tirana, paraqiten Durrësi (6.9%), Elbasani (6.0%), Shkodra (4.8%), Vlora (4.2%), Lushnja (3.6%), etj. Vetëm në rrethet Pukë, Përmet dhe Kolonjë, nuk janë raportuar raste me HIV,”  shtoi Beqaj.

Sipas ministrit Beqaj duhet më shumë punë për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit ndaj HIV/AIDS.

“Nëse diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të. Mjaft njerëz kanë ende shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme. Një pjesë e konsiderueshme e personave me HIV nuk janë në dijeni. Ne duhet ta ulim në minimum këtë numër dhe t’u ofrojmë njerëzve trajtimin për të cilin kanë nevojë,” u shpreh ministrti Beqaj, gjatë një takimi të zhvilluar në kuadrin e Ditës Botërore të ndërgjegjësimit kundër HIV/AIDS.

Në mbyllje të takimit Beqaj tha se në këto ditë ndërgjegjësimi, motoja e Ministrisë së Shëndetësisë është: “Drejt ZEROS: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS!”.

Fjala e plotë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj
 
Kjo ditë e solidaritetit njerëzor, siç është fushata globale e ndërgjegjësimit që zhvillohet në kuadër të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit kundër HIV/AIDS-it, është një mundësi e mirë për të vlerësuar ecurinë e luftës së përbashkët, por njëkohësisht, edhe një moment reflektimi dhe kujtese, për të kuptuar se sa shumë mbetet ende për të bërë kundër kësaj të keqeje.
 
Por, për të kujtuar se sa shumë rrugë kemi bërë deri më sot, besoj, se nuk do të mund ta përshkruaja më mirë se sa Princesha Diana fillimin e betejës me këtë të keqe, e cila thoshte se, HIV-i nuk i bëjnë njerëzit të rrezikshëm sa të shmangim shtrëngimin e duart dhe përqafimin me ta: Vetëm Zoti e di se sa shumë ata kanë nevojë për këtë gjë!
 
OBSH-ja thekson se shtrirja e terapisë antiretrovirale për të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV është çelësi për t'i dhënë fund epidemisë së AIDS-it brenda një brezi. "Objektivi i Zhvillimit të Mijëvjeçarit për të përmbysur epideminë e HIV-it, u arrit para afatit në 2015 - një arritje e pabesueshme që dëshmon për fuqinë e veprimit kombëtar dhe solidaritetit ndërkombëtar", deklaron Drejtorja e Përgjithshme e OBSH-së, Dr. Margaret Chan.

Zgjerimi i terapisë antiretrovirale (ART) ka rezultuar në një reduktim të ndjeshëm të vdekjeve që lidhen me AIDS-in, ndërkohë që përpjekjet përherë e më efektive parandaluese, e kanë reduktuar numrin e infeksioneve të reja me HIV në Botë. Që kur kjo epidemi arriti kulmin në vitin 2004, numri i vdekjeve ka rënë me 42%, duke shpëtuar rreth 7.8 milionë jetë gjatë 15 viteve të fundit, sipas të dhënave të fundit të një raporti të ri të OBSH-së.
 
Po ashtu, numri i infeksioneve të reja ka rënë me 35% që në kapërcyell të shekullit të ri. Në nivel global, deri në qershor 2015, afro 16 milionë njerëz, nga 37 milionënjerëz gjithsej që jetojnë me HIV, raportohet të kishin marrë terapi antiretrovirale.

Ndërkohë, në vendin tonë, në bazë të të dhënave të mbledhura e të raportuara nga ISHP-ja, deri në Nëntor 2015, janë regjistruar 870 raste të raportuara me HIV/AIDS në Shqipëri. 

Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Shqipëri, nuk ka epidemi të gjeneralizuar, apo të përqëndruar, të infeksionit HIV. Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV, ose 0.03%, dhe incidencë 0.003% (Nëntor 2014, popullata sipas INSTAT 2014).

Por, pavarësisht ndalimit dhe përmbysjes së incidencës së infektimit me virusin HIV/SIDA globalisht deri në vitin 2015, dhe ndonëse prevalenca e infeksionit HIV në Shqipëri është e ulët, vihet re një prirje në rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit. Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitivë për 2015 (Nëntor 2015) është 87 persona, ku midis tyre raportohet edhe një fëmijë, ndërsa numri i përgjithshëm i fëmijëve të infektuar shkon në 40.

 HIV/AIDS mbetet një fenomen ende urban në vendin tonë, pasi 72.8% e personave vijnë nga zonat urbane dhe 27.2% nga ato rurale. Përsa i përket shpërndarjes gjeografike, numri më i madh i rasteve, ose 48% e tyre, janë raportuar në Tiranë, më pas, me një diferencë të madhe nga Tirana, paraqiten Durrësi (6.9%), Elbasani (6.0%), Shkodra (4.8%), Vlora (4.2%), Lushnja (3.6%), etj. Vetëm në rrethet Pukë, Përmet dhe Kolonjë, nuk janë raportuar raste me HIV.
 
Ashtu siç mund të provohet lehtësisht edhe nga të dhënat, nëse diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të.

 Por shpesh, stigma dhe mitet apo stereotipitë e pengojnë diçka të tillë. Në kushtet e mungesës së vlerësimeve të përhapjes së infeksionit HIV në Shqipëri, është ende e vështirë të njohësh shkallën e përhapjes së tij.

 Mjaft njerëz kanë ende shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme. Gjithashtu, studimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV, nuk janë në dijeni të diçkaje të tillë.

Ne duhet ta ulim në minimum këtë numër dhe t’u ofrojmë njerëzve trajtimin për të cilin kanë nevojë. Duhet të këmbëngulim, duke bërë çdo përpjekje të mundshme për edukimin dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, dhe për të përkrahur çfarëdolloj nisme tjetër që shërben për të luftuar diskriminimin kundër HIV, kudo ku ne ndeshemi me të.

Kjo është edhe arsyeja përse shënohet Dita Botërore e SIDA-s – ripërtëritja e vendosmërisë sonë për të shpëtuar jetët e njerëzve. Në Ministrinë e Shëndetësisë, puna jonë në këtë drejtim synon, që në planin afatgjatë, Shqipëria të mbetet një vend me prevalencë të ulët, ku ka përherë e më pak infeksione te reja HIV, nëpërmjet konsolidimit të një sistemi shëndetësor të aftë t'iu përgjigjet prirjet të rritjes së sjelljeve me risk për infektim nga HIV, ofrimit të kujdesit e trajtimit mjekësor cilësor për te gjithë njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS, dhe krijimin e një mjedisi mbështetës për reduktimin e stigmës dhe diskriminimit dhe  mbështetje sociale.

 Duke i’u bashkuar thirrjes për ndërgjegjësimin lidhur me parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në këtë ditë, motoja jonë është:
 “Drejt ZEROS: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS!”.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë