“Strategjike është krijimi i një administrate profesionale që të garantojë realizimin e detyrave. Përshëndesim angazhimin në luftën kundër korrupsionit dhe kemi besimin se në këtë drejtim është futur një frymë e re.”- tha ambasadori Hoffman sot në kryeministri.
Në godinën e kryeministrisë u zhvilluan sot paradite konsultimet qeveritare rreth politikave për zhvillim në vijim të formësimit të mëtejshëm të Bashkëpunimit Ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë:
Duke prezantuar qëllimin e qeverisë për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe punëdhënëse Peleshi tha se Gjermania është donatori më i madh në bashkëpunimet dy palëshe.
"Republika Federale e Gjermanisë është donatori i dytë më i madh për Shqipërinë për periudhën 2000-2012, me një vlerë angazhimi prej 715 milionë euro dhe çka më domethënëse, është donatori i parë dypalësh. Tregues i rëndësishëm është angazhimi i qeverisë gjermane gjatë dy protokolleve të fundit 2010- 2012, me një fond prej 117 milion euro. "
Ai ftoi Gjermaninë të jetë pjesë e bashkëpunimit në të ardhmen me Shqipërinë në dy projekte prioritare të qeverisë Rama atë të “Menaxhimit të integruar të ujrave dhe të mbetjeve”
Sa i takon sistemit energjetik e cila është shtylla e dytë e bashkëpunimit financiar me një gamë të gjerë aktivitetesh. Ato përfshijnë kryesisht investime për përmirësimin e sistemit të transmetimit, ku vlen të theksohet linja Tiranë-Podgoricë, me vlerë 45 milion euro, apo rehabilitimin e hidrocentraleve kryesorë në jug të vendit, Bistrica I dhe II.
"Me synimin për t’u bërë pjesë e tregjeve rajonale të energjisë, bashkërisht me KFW-në, ne po fillojmë një projekt tjetër madhor dhe me rëndësi të veçantë për ne, si linja e Interkonjeksionit me Kosovën, duke siguruar për të dy vendet diversifikim burimesh dhe rrjedhimisht, qëndrueshmëri energjetike. Në të ardhmen ne shpresojmë të realizojmë edhe linjën e transmetimit me Maqedoninë, duke i dhënë kështu rajonit një perspektivë të re për sektorin energjitik."
Nga ana e tij ambasadori i Gjermanisë u shpreh shumë optimist se bashkëpumimi mes dy qeverive do të vazhdojë të jetë i shkëlqyer.
“Jam shumë optimist se në 4 vitet e ardhshme do të bashkëpunojmë shkëlqyer për të përmirësuar jetën e shqiptarëve”- tha Ambasadori i Gjermanisë.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)