Në kuadër të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Gjermania e Holanda kanë deklaruar mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Arritja e standardeve të përkohshme në grupkapitullin “Themeloret” shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratë.
Dy vendet vlerësojnë standardet e përkohshme për “Themeloret”, por thonë se pavarësia e gjyqësorit dhe lufta ndaj korrupsionit janë kushte të panegociueshme për anëtarësimin.
Gjithashtu kanë nënvizuar se vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Arritja e standardeve të përkohshme përbën pikënisjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës. Miratimi i IBAR-it shpreh pritshmëritë tona të qarta dhe inkurajimin për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe lufta e pakushtëzuar kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë, janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo përfshin gjithashtu garantimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, ato shtojnë se do të vijojnë me monitorimin nga afër të zhvillimeve.
Komente







