Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Rama ka mbërritur në Bruksel për Konferencën Ndërqeveritare ku për mediat, ai theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë. Delegacioni përbëhej nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, tha Rama.
I pyetur se çfarë mendon për mungesën e vetos në disa çështje nga shtetet anëtare, Rama tha se e mbështet, por lidhet me unionin politik dhe anëtarësimin me të drejta të plota.
“Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për t'u bërë. Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian”, tha kryeministri.
Më pas, ai tha se si një nga vendet më pro-europiane, Shqipëria është e gatshme për të vijuar më tej.
“Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne. Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, tha kryeministri.
Pasi vendi kaloi me sukses objektivat e ndërmjetme për grupin e “Themeloreve”, ky takim i radhës në Bruksel do të shërbejë për të përcaktuar piketat përmbyllëse për këtë grupkapitull ku përfshihen Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, si dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Gjetja e konsensusit mes vendeve anëtare për t’i dhënë më në fund dritën jeshile hapit tjetër të rëndësishëm të integrimit ka ardhur me një ashpërsim të termave në dokumentin final, të aprovuar javën e shkuar nga përfaqësuesit e vendeve anëtare. Dokumenti i Këshillit të BE ka gjuhë më kushtëzuese se ai i Komisionit, duke vënë theksin te rezultatet konkrete për sundimin e ligjit dhe reformat. SPAK dhe presionet politike ndaj tij dalin në plan të parë, ndërsa korrupsioni cilësohet si “shqetësim thelbësor”.
Më herët, opozita kishte deklaruar se procesi i anëtarësimit ishte bllokuar duke renditur si arsye kryesore mosdorëzimin e Belinda Ballukut në duart e SPAK duke votuar pro imunitetit të saj në Kuvend.
Lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Bruksel me Zëvendësministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Takimi është zhvilluar para nisjes së Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit.
Kryeministri Edi Rama është pritur sot në një takim në Bruksel nga kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever.
Rama ndodhet në Bruksel sëbashku me një ekip negociator, pasi do të marrë pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për procesin e negociatave të anëtarësimit.
Konferenca e 8-të konsiderohet një moment i rëndësishëm në fazën aktuale të negociatave, pasi fokusohet në përmbylljen e kushteve të ndërmjetme që përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Komente









Ai lloj surrati flet shume. Jo BE qe nuk futemi, por do na nxjerrin edhe nga Ballkani. Dhe per kete ka fakte. Lejedrejtimi shqiptar nuk njihet ne France, nderkohe gjithe Ballkanit i njihet ky dokument. Dhe kjo fale kesaj lloj fytyre, qe per karrigen e korrupsionit vazhdon dhe mashtron pa fund, nderkohe qe e besojne vetem ata qe duan te mashtrohen.
Përgjigju