Holanda ndryshon qëndrim, i
thotë Po Shqipërisë për statusin

Holanda ndryshon qëndrim, i <br />thotë Po Shqipërisë për statusin
DUBLIN, Irlandë - Holanda zyrtare duket se ka ndryshuar qëndrim lidhur me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në BE. Ndryshe nga pohimi i mëparshëm (në nëntor nga ambasadori Martin De La Beij dhe më herët nga qeveria e Holandës më 26 tetor) se Holanda i thoshe Jo statusit dhe se Shqipëria nuk ka bërë progresin e duhur, ministri i Jashtëm Frans Timmermans tha se Holanda mbështet fuqimisht integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Deklarata është bërë sot gjatë punimeve të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, që po mbahet në Dublin, në takimin e realizuar mes ministrit Edmond Panaritit dhe homologut Frans Timmermans.

“Holanda mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE pasi në këtë mënyrë mund të sigurohet një stabilitet i qëndrueshëm në rajon, ku me integrimin në BE të të gjithë rajonit, nocioni i kufijve gjeografikë nuk do të ketë më kuptim”, sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Në këtë njoftim bëhet e ditur se Frans Timmermans, ndryshe nga zyrtarët e tjerë të Holandës të cilët më parë kanë deklaruar të kundërtën, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të realizimit të reformave për integrimin në BE.

“Ai shtroi domosdoshmërinë e plotësimit të të gjithë rekomandimeve të bëra nga Komisioni Evropian, ndërsa shprehu mirëkuptimin për kërkesën e Ministrit Panariti që Këshilli i Ministrave, në takimin që të mbahet gjatë këtij muaji, të vlerësojë arritjet dhe progresin e dukshëm të arritur nga Shqipëria në rrugën e integrimit evropian. Gjithashtu, Ministri Timmermans vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon”, bën të ditur zyra e shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashme në Shqipëri.

Ministri Panariti theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda këtij viti do të ishte një inkurajim për Shqipërinë për të vazhduar realizimin e reformave dhe për tu përgatitur për hapjen e negociatave për anëtarësim.

EDHE BRITANIA MBESHTET INTEGRIMIN E SHQIPERISE NE BE
Edhe Britania mbështet ambiciet e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Deklarata vjen e bërë publike përmes Ministrit britanik për Evropën David Lidington, gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Panariti.

Lidington përshëndeti progresin e shënuar nga Shqipëria në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat u evidentuan në raportin e fundit të progresit.
Ai shtroi domosdoshmërinë për miratimin në një kohë të shpejtë të ligjeve të mbetura pasi në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet për një qëndrim pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Në vijim, Ministri britanik theksoi se Britania e Madhe do të ndjekë me vëmendje organizimin vitin e ardhshëm të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat duhet të respektojnë standardet më të mira demokratike, njofton zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme.

LETONIA MBESHTET INTEGRIMIN E BALLKANIT PERENDIMOR NE BE

Ministri i Jashtëm Panariti u takua sot në Dublin dhe me Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics në kuadrin e punimeve të Takimit të Ministrave të Jashtëm të OSBE.

Ministri i Jashtëm letonez, tha se Letonia mbështet fuqimisht integrimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE bazuar në meritat e secilit vend. Njëkohësisht ai vuri në dukje se vend i tij nuk mbështet vendosjen, nisur nga interesa të brendshme të disa vendeve anëtare, të kritereve shtesë për vendet e rajonit të ndryshme nga ato që ka vendosur Komisioni Evropian. Ai shprehu gatishmërinë e qeverisë letoneze për t’i ofruar çdo lloj asistence teknike qeverisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian.

Në vijim biseda u përqendrua në zhvillimet në rajon dhe në rrezikun që sjellin tendencat ekstremiste dhe mungesa e perspektivës evropiane për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura