BRUKSEL-Parlamenti holandez ka votuar kundër propozimit të qeverisë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Në një shkrim ekskluziv, portal EurActiv shkruan se parlamenti holandez ka miratuar vendimin, që obligon qeverinë e kryeministrit Mark Rutte të refuzojë propozimin e KE për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Vendimi mund të shkaktojë goditje të rëndë për shpresat e pranimit të Shqipërisë që sipas KE e PE ka plotësuar kushtet dhe duhet t’i jepet statusi. Në të gjitha çështjet lidhur me zgjerimin e BE vendimet merren në unanimitet. Sipas EurActiv kjo thotë se Shqipëria ka humbur shansin për tu bërë vend kandidat në takimin e ministrave të BE më 19-20 dhjetor.
 
Bushati
Ministri i Jashtëm Bushati përpara një auditori studentesh citoi Mandelën për çdo vendim negativ për statusin. “Duket gjithmonë e pamundur deri sa të kryhet”, tha ai. “Jemi përballë një BE që duket sikur po i mbaron fryma ku vendet e rajonit janë ndarë në dy pjesë, ato që janë integruar e po ecin me shpejtësi, të tjerat që janë në vendnumëro. E dimë çdo thotë vendnumëro, të humbësh ritmin”, tha ai. Në rast se vendimi final është ‘JO’, Bushati tha lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit do vazhdojnë. “Një model për t’u ndjekur në rajon është Kroacia anëtarësimi i së cilës në BE u parapri nga ndëshkimi ligjor i ish-kryeministrit për korrupsion që gjërësisht njihet sot si ‘sanaderizmi’”, tha Ministri.
 
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)