/ATSH-DPA/ - Franca është gati për veprim për ta mbajtur Greqinë në zonën euro, deklaroi sot presidenti francez, François Hollande gjatë një takimi të qeverisë franceze kushtuar krizës financiare greke.
"Franca është në favor të qëndrimit në eurozonë të Greqisë dhe Parisi është i gatshëm të veprojë deri në kohën kur edhe vetë grekët do të duan të qëndrojnë në bllokun aktual të vendeve", theksoi ai.
"Greqia vendosi të ndërpresë negociatat. Më vjen keq për zgjedhjen e saj pasi ishim pranë arritjes së një marrëveshjeje", shtoi ai.
Në ndërkohë, Komisioni Evropian deklaroi sot se vendimi i Greqisë për kontrollin e kapitaleve ishte plotësisht i drejtë dhe i justifikuar.
"Në situatat aktuale, stabiliteti i sistemit financiar dhe bankar në Greqi përbën një çështje thelbësore për interesin publik që ka lidhje me vendosjen e shtrëngesave të përkohshme për rrjedhjen e kapitaleve", tha me anë të një deklarate eurokomisioneri për Shërbimet Financiare, Jonathan Hill./  a.jor.