Forumi për Holokaustin/ Rama dorëzon emrat edhe të 1485 hebrenjve të shpëtuar nga Shqipëria: Strehuam gjithsej 3750 hebrenj! Tradita vijon me afganët

“Të luftosh antisemitizmin nuk lidhet vetëm me luftën kundër kësaj murtaje përmes fakteve të Holokaustit, por me luftën kundër gjithçkaje raciste, fondamentaliste, përjashtuese për të tjera qenie njerëzore”.

Kështu ka deklaruar Kryeministri Rama në Forumin Ndërkombëtar mbi Përkujtimin e Holokaustit në Suedi, duke shtuar se “kjo është edhe arsyeja pse besoj fort që, jo vetëm antisemitizmi i drejtpërdrejtë, por çdo formë relativizmi apo zbutjeje, në emër të larmisë së opinioneve hap rrugë që kjo murtajë të hajë atë çka është e mirë brenda nesh dhe shoqërive tona”.

Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar te kodi i nderit të shqiptarëve.

“Do të merrte gjatë po të tregoja sesi ndodhi dhe arsyet për këtë, por në themel qëndron ligji ynë zakonor, kodi i nderit i shqiptarëve, kushtetuta jonë e parë, nëse mund ta them kështu, që nga mesjeta. E gjitha nis me një paragraf që thotë se shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Përkthimi fjalë për fjalë nuk është “e mikut” në kuptimin e njerëzve që fton, po e shtegtarit që, në kërkim të strehës, mund të të trokasë në derë. Pason një shpjegim të tërë për trokitjen në derë, detyrimin për ta hapur dhe ndëshkimi më i ashpër i ligjit zakonor është për ata që nuk e respektojnë këtë paragraf. Forma më e rëndë e çnderimit është të tradhtosh mikun”, tha ai.

Në këtë forum, Rama zbuloi se pas studimeve të kryera, numri i hebrenjve të strehuar në Shqipëri rezulton shumë më i lartë se sa dihej deri më sot. Listën me 3750 emra, Rama ia dorëzoi në forum, Kreut të Muzeut të Holokaustit.

“Sipas regjistrit të Yad Vashem-it (Muzeu i Holokaustit) hebrenjtë që u shpëtuan në Shqipëri ishin 2265 dhe kjo listë i përket vitit 2005... Por ne kemi vazhduar të studiojmë, kemi vazhduar të hyjmë më në thellësi përmes një ekipi shumë të mirë pranë Akademisë së Shkencave, i drejtuar nga një profesor i shquar dhe kështu sot, i dorëzova zotërisë së nderuar një listë të re, që shkon në 3750 emra. Ky është një kontribut shtesë që Shqipëria jep për muzeun ku jemi shumë krenarë të bëjmë pjesë, po aq sa jemi krenar që Shqipëria është vlerësuar ndër "Të drejtët mes kombeve", për shkak të veprës së vet gjatë Holokaustit”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se Shqipëria ishte vendi i parë që u hapi dyert dhe pranoi të strehonte 4000 afganë, pasi shqiptarëve u vjen natyrshëm t’i gjenden atij që është në nevojë, ashtu siç ishim ne tridhjetë vjet më parë, kur iknim nga regjimi brutal dhe gjetëm dyer që na u hapën kur kishim nevojë.

Fjala e plotë kryeministrit Edi Rama

‘Dyshoj nëse të gjithë në këtë sallë e njohin historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndaj do më duhet të përsëris atë çka thashë në një prej seancave; Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe është vendi që u kthye në një strehë të sigurt për hebrenjtë, të cilët erdhën pikërisht për të gjetur strehë e për të shpëtuar pikërisht në atë kohë kur në kontinentin tonë, të ishe hebre, ishte praktikisht një dënim me vdekje.

Do të merrte gjatë po të tregoja sesi ndodhi dhe arsyet për këtë, por në themel qëndron ligji ynë zakonor, kodi i nderit i shqiptarëve, Kushtetuta jonë e parë, nëse mund ta them kështu, që nga mesjeta. E gjitha nis me një paragraf që thotë se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Përkthimi fjalë për fjalë nuk është “e mikut” në kuptimin e njerëzve që fton, po e shtegtarit që, në kërkim të strehës, mund të të trokasë në derë. Pason një shpjegim të tërë për trokitjen në derë, detyrimin për ta hapur dhe ndëshkimi më i ashpër i ligjit zakonor është për ata që nuk e respektojnë këtë paragraf. Forma më e rëndë e çnderimit është të tradhtosh mikun.

Kështu, hebrenjtë në Shqipëri ishin edhe më parë një komunitet i vogël dhe Shqipëria ishte mes të paktave vende Europë që përcaktonte me ligj të drejtën e Shabatit të tyre. Shabati ishte e drejtë ligjore dhe asnjë subjekt punëdhënës i sektorit publik ose privat nuk mund ta penalizonte, një person, një hebre pse s'ishte në punë për shkak të Shabatit. 

Po çfarë bëmë me gjithë këtë histori më pas? Mendoj se për ne është thelbësore që të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim dhe të bëjmë sa më shumë të mundemi që fëmijët tanë, jo thjesht të mësojnë prej kësaj historie, por edhe t’i rrinë besnikë këtij kodi nderi.

Ne qemë vendi i parë që u hapi dyert afganëve dhe pranoi të strehonte 4000 afganë, e meqë ra fjala, kundërshtia në vendin tonë ishte e papërfillshme, pasi shqiptarëve u vjen natyrshëm t’i gjenden atij që është në nevojë, ashtu siç ishim ne tridhjetë vjet më parë, kur iknim nga regjimi brutal dhe gjetëm dyer që na u hapën kur kishim nevojë.

Së fundi, për ta përmbyllur, u ndjeva i prekur nga rastësia në këtë forum që, në të njëjtën seancë plenare më parë, ishte i pranishëm kreu i Yad Vashem-it (Muzeut të Holokaustit); sepse erdha këtu me një dokument që përmban lajme të reja për këtë histori, në kuptimin që, sipas regjistrit të Yad Vashem-it, hebrenjtë që u shpëtuan në Shqipëri ishin 2265 dhe kjo listë i përket vitit 2005... Por ne kemi vazhduar të studiojmë, kemi vazhduar të hyjmë më në thellësi përmes një ekipi shumë të mirë pranë Akademisë së Shkencave, i drejtuar nga një profesor i shquar dhe kështu sot, i dorëzova zotërisë së nderuar një listë të re, që shkon në 3750 emra. Ky është një kontribut shtesë që Shqipëria jep për muzeun ku jemi shumë krenarë të bëjmë pjesë, po aq sa jemi krenar që Shqipëria është vlerësuar ndër "Të drejtët mes kombeve", për shkak të veprës së vet gjatë Holokaustit.

Në të njëjtën kohë, këta dy libra, janë ajo çka do të bëhet pjesë e programit mësimor, programit parauniversitar në shkollat tona, sërish, me  krenari që tashmë, në Izrael, në shkolla, rasti shqiptar ka hyrë si pjesë e programit shkollor. Të njëjtat tekste për mësuesit dhe nxënësit në Izrael do të jenë pjesë e programit të ri arsimor për vitin 2022-2023 dhe më tej. Kaq kisha.

Gazetarja: Duke qenë se nuk kemi kohë do ju sfidoj të më jepni një fjali si përgjigje secili ndaj kësaj pyetjeje: “Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të luftuar antisemitizmin?” Me një fjali. Kryeministri Rama, me një fjali, cila është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të luftuar antisemitizmin?

Kryeministri Edi Rama: Me një fjali mund të jetë e vështirë dhe për dikë që vjen nga Ballkani mund të jetë edhe më e vështirë.

Gazetarja: Po prandaj është sfidë...

Kryeminitri Edi Rama: ... se ne jemi mësuar të flasim me shumë fjali, por do të thoja që, së pari antisemitizmi nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë, ka të bëjë me vetë qeniet njerëzore. Të luftosh antisemitizmin nuk lidhet vetëm me luftën kundër kësaj murtaje përmes fakteve të Holokaustit, por me luftën kundër gjithçkaje raciste, fondamentaliste, përjashtuese për të tjera qenie njerëzore. Kjo është arsyeja pse besoj fort që, jo vetëm antisemitizmi i drejtpërdrejtë, por çdo formë relativizmi apo zbutjeje, në emër të larmisë së opinioneve dhe të qëndrimeve në raport me antisemitizmin, hap rrugë që kjo murtajë të hajë atë çka është e mirë brenda nesh dhe shoqërive tona.’- tha Rama.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale