TIRANË - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi dje (10 dhjetor) se nuk ka ndërmend të njohë 10 marsin e vitit 2025 si datë të përfundimit të mandatit të saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë ajo vendosi ti drejtohet me një kërkesë për opnion Komisionit të Venecias.
Megjithatë sot, me anë të një njoftimi Gjykata e Lartë bën me dije se ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në gjykatën Kushtetuese, duke njohur kështu vakancën pas mbarimit të mandatit të Zaçes.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, në respekt të Kushtetutës, të ligjit nr. 8577/2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ", ndryshuar me ligjin nr. 99/2016, të vendimit nr. 2, datë 16.01.2023 të Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë dhe me përgjegjësinë e plotë për të përmbushur funksionin që i është ngarkuar, hap procedurën për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar.
Afati i pranimit të kërkesave të kandidatëve është 30 ditë nga data e publikimit të njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Gjykata e Lartë i përcjell Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata e Lartë e konsideron të përfunduar mandatin e Zaçes pas datës 10 mars 2025. Sipas Gjykatës së Lartë, njoftimi për mandatin aktual të Holta Zaçes është bërë në vitin 2021, ku thuhej se vendi vakant që krijohet pas largimit të Vitore Tushes (paraardhëse e Zaçes), së cilës i mbaroi mandati më 2017, zgjidhet gjyqtari i ri i cili qëndron në detyrë deri më mars të vitit 2025.Holta Zaçaj, vijon më tej njoftimi i Gjykatës së lartë, u zgjodh në 16 janar 2023 si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, 'me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025'.
1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
c) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
Lista e kandidatëve do të bëhet publike në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, me qëllim që institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, t'u jepet mundësia të paraqesin pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi ne perditesim...
Lajmi kryesor: