Zëvendës-guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bankën e Italisë, ku u prit nga zv.guvernatorja e Parë e Bankës së Italisë, Chiara Scotti

Përmes një njoftimi, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se vizita është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy bankave qendrore.

Banka e Shqipërisë njofton se në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë e Bankës së Italisë, veçanërisht në fushën e sistemeve të pagesave.

Banka njofton se diskutimet u ndalën veçanërisht në ecurinë e projektit TIPS Clone, si një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri dhe në përafrimin e saj me standardet evropiane.

Palët shkëmbyen informacion mbi progresin e projektit, si dhe mbi aspektet teknike dhe operacionale që lidhen me hapat e mëtejshëm të zbatimit të tij.

Njoftimi i Bankës së Shqipërisë:

Vizitë zyrtare e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Holta Zaçaj, në Bankën e Italisë

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Holta Zaçaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Italisë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy bankave qendrore.

Gjatë vizitës, zj. Zaçaj u prit nga Zëvendësguvernatorja e Bankës së Italisë, zj. Chiara Scotti. Në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë, veçanërisht në fushën e sistemeve të pagesave.

Zj. Zaçaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Banka e Italisë i ka ofruar Bankës së Shqipërisë ndër vite, përmes asistencës teknike, shkëmbimit të ekspertizës dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

Diskutimet u ndalën veçanërisht në ecurinë e projektit TIPS Clone, si një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri dhe në përafrimin e saj me standardet evropiane. Palët shkëmbyen informacion mbi progresin e projektit, si dhe mbi aspektet teknike dhe operacionale që lidhen me hapat e mëtejshëm të zbatimit të tij.

TIPS Clone është një projekt strategjik, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të shpejta, të përputhshme me standardet evropiane. Projekti do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke përshpejtuar transaksionet për bizneset dhe qytetarët, si dhe duke krijuar hapësira për zhvillimin e produkteve inovative financiare. Në këtë kuadër, u vlerësua mbështetja e Bankës së Italisë në realizimin e projektit, i cili përbën një shtyllë të rëndësishme të iniciativës “Cashless Albania” dhe bazohet në praktikat më të mira evropiane.

Bashkëbiseduesit nënvizuan gjithashtu rëndësinë e koordinimit dhe angazhimit të përbashkët për zbatimin me sukses të sistemit TIPS Clone, si dhe për përmbushjen e investimeve dhe përgatitjeve të nevojshme nga pjesëmarrësit e tregut.

Në vijim, palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore, si në fushën e sistemeve të pagesave, ashtu edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e vijimit të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës teknike, në mbështetje të proceseve të modernizimit institucional dhe integrimit evropian.