Homazhe në MPJ, në nderim të Ambasadorit Bushati

TIRANE - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, u  zhvilluan sot ceremonia e homazheve në nder të Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati, i cili ndërroi jetë një ditë më parë si pasojë e një sëmundje e rëndë kronike.
Familjarë, miq, politikanë dhe përfaqësues të trupës diplomatike zhvilluan homazhe në nder të diplomatit Bushati për rreth dy orë. Pas përfundimit të homazheve, kortezhi u drejtua për në varrezat e Tufinës ku dhe u krye ceremonia mortore.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të Ambasadorit Petrit Bushati. Ministri është shprehur se "fisnikëria, përkushtimi e profesionalizmi i tij do t'i mungojnë shërbimit të jashtëm. Ndonëse për pak kohë, ndjehem me fat që e kisha bashkëpunëtor të afërt. Njohës i shkëlqyer i rajonit, ushtrues i funskioneve të larta në organizata rajonale, së fundmi Petriti shërbente si Ambasador i Shqipërisë në Maqedoni. Gjatë karrierës së spikatur në shërbimin e jashtëm ai ka qënë gjithashtu Ambasador i Shqipërisë në SHBA, Suedi, Serbi.Tek Petrit Bushati kombinohej talenti i rrallë i diplomatit me fisnikërinë e një burri të lartë. Është shumë pak të thuhet se do na mungojë. Sikundër humbjen e tij do ta kemi të vështirë për ta rikuperuar.Ngushëllime familjes së tij!Shpirti ju prehte në paqe".
Hoxhaj ngushëllon homologun shqiptar për vdekjen e ambasadorit Bushati
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut shqiptar, Ditmir Bushati, për vdekjen e ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati.
Në letër, ministri Hoxhaj në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për popullin dhe Qeverinë e Shqipërisë si dhe për familjen e ambasadorit Bushati.
Ministri Enver Hoxhaj ka vlerësuar lartë kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e ambasadorit Bushati për diplomacinë dhe shtetin shqiptar gjatë shërbimit të tij të çmuar si ambasador në Maqedoni, në SHBA, Suedi, Serbi si dhe gjatë funksioneve të larta në organizatat rajonale.
Nishani: Humbje e thellë për diplomacinë shqiptare
Edhe Presidenti Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime  për ambasadorin Bushati duke theksuar se "ndarja nga jeta e Ambasadorit Bushati është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm shqiptar, ku ka shërbyer e kontribuar me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash. Ai do të kujtohet me respekt edhe nga diplomatët e rinj shqiptarë, mentor i shumë prej të cilëve gjatë këtyre viteve, ai ka qenë".
Diplomati Bushati u emëruar ambasador në Maqedoni në fillim të vitit 2014.
Gjatë karrierës së tij të spikatur në shërbimin e jashtëm, Ambasador Bushati  ka shërbyer si Ambasador i Shqipërisë në Suedi në vitin 1988-1991, më pas nga 1997-2001 ka shërbyer në ambasadën e SHBA, ndërsa nga 2002-2006 ka qenë ambasador i Shqipërisë në Beograd.
Ambasador Petrit Bushati, ka lindur në Tiranë me 20 tetor 1948.Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, 1970. Fakulteti Histori Filiologji, Gjuhë Angleze
Karriera Profesionale
2009-2013- Sekretariati i Përhershëm Ndërkombëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC PERMIS), Stamboll
Pozicioni: Menaxher Ekzekutiv për fushat e bashkëpunimit në Energji, Teknologjinë e Komunikimit dhe të Informacionit, Bankave dhe Financave, Emergjencave civile.
2007-2009- Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria e Cështjeve të Europës Juglindore.
2002-2006- Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Unionin Serbi-Mal i Zi.
2001-2002 -Drejtor i Drejtorisë së Amerikave, Ministria e Punëve të Jashtme.
1997-2001- Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
1993-1994-Instituti i Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme, Tiranë.
1994-1997- Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Teknike (GTZ), Tiranë.
1991-1992- Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Shumëpalëshe, OKB-se dhe Organizatave Ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme, Tirane.
1987-1991- Ambasador në Suedi, Danimarkë, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.
1983-1987- Sekretar i Parë, zv.shef Misioni i Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare të OKB-së, Vienë, Austri.
1972-1983- Përkthyes, redaktor, përgjegjës redaksie për shtypin e huaj, Agjencia Telegrafike Shqiptare, Tiranë.
Veprimtaria në Organizatat Ndërkombëtare
Petrit Bushati ka marrë pjesë dhe ka kryesuar delegacione të Shqipërisë në mbledhje të ndryshme të Organizatave Ndërkombëtare të sistemit të OKB-se UIT, UNIDO, AIEA, UNEP, UNHCR, si dhe në OSBE, Këshillin e Evropës, etj.
1990- Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Nju-Jork.
1990-1991- Kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Mbledhjen e zyrtareve të lartë të OSBE-së, Kopenhage.
Kryetar i përhershëm i delegacionit të Shqipërisë në mbledhjet e zyrtarëve të lartë të OSBE-së në, Pragë dhe Viene, anëtar delegacioni në mbledhjet e Ministrave të Jashtëm të OSBE-së në Helsinki, Nju-Jork, Berlin.
1992- Përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavine, Gjenevë.
Veprimtaria publike
Gjatë karrierës si ambasador dhe diplomat, Z. Petrit Bushati është ftuar për të mbajtur leksione mbi konfliktet në rajon dhe ka bërë prezantime për politikën e Jashtme të Shqipërisë në institucione presigjoze të marrëdhnieve ndërkombëtare si në Universitetitn e Harvardit, Fletcher School of Diplomacy, Universitetin e Princeton, Universiteti LaSalle i Filadelfias, Technical University of Chicago, si dhe në një numër institutesh studimore e qendra akademike në SHBA, Institute for Peace, Ëillson Center, Center for International Strategic Studies etj.
Gjatë konfliktit në Kosovë 1998-1999, është ftuar në panele dhe debate të mediave qendrore amerikane dhe ka dhënë një numër intervistash si në CNN Larry King Live, CNBS, C-Span, Fox, BBC World, Washington Post, Washington Diplomat,etj
Në vitin 2002 ka drejtuar mbledhjen përgatitore të Drejtorëve të MPJ të vendeve të Ballkanit në kuadrin e samitit të SEECP që u mbajt në Tiranë.
Gjuhët e huaja: Anglisht, gjermanisht, italisht, frengjisht./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?