Aktori Fitim Makashi është ndarë ditën e djeshme nga jeta në moshën 82-vjeçare, ndërkohë që sot në teatrin 'ArTurbina' janë mbajtur homazhet në nderim të tij.

Në homazhe morën pjesë emra të njohur të botës së teatrit, kinematografisë, por edhe shok e miq të artistit.

I pranishëm ishte edhe djali i Fitimit, Redoni, i cili u përlot teksa foli për gazetarët për ndarjen nga jeta të të atit.

Redoni tha se ende i dukej si një ëndërr vdekja e të atit, teksa shtoi se prania e miqve dhe të afërmve të babait ja lehtësonte sadopak dhimbjen.

Ai tregoi edhe një historik të shkurtër të jetës së të atit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa tha se Fitimi ndihej më mirë në vendin e vet, mes miqve të tij, pavarësisht se shkoi në SHBA për të ndjekur ëndrrën e tij.

“Na ra kështu, si një.... Dhe në kohën që po flasim bashkë më duket si një ëndërr. Miqtë e kanë respektuar shumë babain dhe kjo ma heq pak atë dhimbjen. Këta kanë qenë një brez që nuk kthehen më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre... Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Sado sado është një dhimbje që vetëm brenda e ndiejmë. U shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën ato trazirat dhe në atë periudhë ai, si nëna dhe babai, u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme”, tha mes të tjerash Makashi.

Ndërkohë në homazhe mori pjesë edhe aktorja Rajmonda Bulku, e cila e përshkroi Fitim Makashin si një njeri me karakter, luftarak dhe brilant në profesionin e tij.

“Ju nuk e kuptoni sesa dhimbje, por dhimbje e bukur, sepse sa bukur ta kujtosh një njeri sesa shpirt të madh kishte. Ashtu siç kishte në rolet e tij xheneroze, ashtu ishte edhe në jetë. Një Fitim që do ta kujtojmë gjithmonë. Gjithmonë luftoi që në ato ambientet e teatrit të kishte një palestër që aktorit i duhej. Ishte edhe luftarak me heshtjen dhe mençurinë e tij. Pra një njeri i përkushtuar në profesion, një partner i shkëlqyer, shumë xheneroz. Aktor brilant i karaktereve të ngrohta. Fitimi krijonte një karakter që e mbaje mend, nuk e harroje”, tha Bulku.

Ndërsa për aktorin Mehdi Malkaj, Fitim Makashi ishte një njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Malkaj tha se më shumë do e ndjenin artistët mungesën e Fitim Makashit, sesa vetë familja e tij.

“Iku një njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ishte njeri. Neve do ta ndjejmë më shumë se familja dhimbjen e madhe që ka familja”, tha Malkaj.

Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai vuante nga demenca dhe së fundmi kishte kryer edhe një operacion që i kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

R.Xh/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?