Të rinjtë shqiptarë paralajmërohen nga reklamat e Home Office se do të përdoren si “skllevër” nga bandat e krimit të organizuar nëse hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Reklama digjitale, që do të fillojnë transmetimin muajin e ardhshëm në Shqipëri, synojnë të dekurajojnë emigrantët duke përdorur histori “të jetës reale” të të rinjve që përdorën kontrabandistët për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
Njëra prej reklamave, me muzikë të zymtë në sfond, tregon profilin e një shqiptari që iu “premtua një punë e paguar mirë,” por më pas thotë: “Unë isha skllav.”
Reklama përfundon me paralajmërimin: “Të përpiqesh të hysh ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar mund të të kushtojë gjithçka.”
Një reklamë tjetër paraqet një emigrant të paligjshëm që thotë se ka marrë “borxh shumë para për udhëtimin,” por shton: “Ata nuk tregojnë sa gjatë duhet të punoj apo sa shumë u detyrohem.”
Një reklamë e tretë u thotë shikuesve: “Ata thanë se familja ime do të dëmtohej nëse nuk ndiqja udhëzimet.”
Secila prej reklamave përfundon me paralajmërimin e Home Office: “Merrni faktet mbi emigracionin e paligjshëm.”
Qeveria tha se reklamat ishin krijuar për të përgënjeshtruar “mitet dhe keqinformimet që shpërndahen nga kriminelët për të mashtruar njerëzit.”
Një rekord prej 12,000 shqiptarësh kaluan Kanalin me varka të vogla në vitin 2022. Por numri ka rënë ndjeshëm pas një marrëveshjeje të shpejtë kthimi midis qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të deportuar emigrantët e paligjshëm nga Britania.
Bandat përdorin rrjetet sociale
Bandat shqiptare të drogës i janë përgjigjur mungesës së emigrantëve për të punuar në fermat e tyre të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar duke rekrutuar hapur punëtorë në TikTok.
Krerët e bandave po përdorin rrjetet sociale për të reklamuar vende pune si "kopështar në shtëpi" për të rritur bimët e kanabisit – dhe po ofrojnë marrëveshje të veçanta ku, në vend që të paguhen shpenzimet, ata do të marrin deri në 30 për qind të fitimeve nga shitjet e drogës në rrugë.
Martin Heëitt, drejtuesi i Komandës së Sigurisë Kufitare, tha: “Kjo fushatë ndihmon në shkatërrimin e modelit të biznesit të këtyre kriminelëve dhe mbron njerëzit nga rënia pre e gënjeshtrave të tyre të rrezikshme, duke siguruar kufijtë tanë si pjesë e Planit të Ndryshimit të Qeverisë. Duke punuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Shqipëria, ne po shënjestrojmë bandat kriminale në çdo hap, po pengojmë operacionet e tyre përtej kufijve dhe po i nxjerrim autorët përpara drejtësisë. Komunikimi është një pjesë kyçe e kësaj pune, duke dërguar një mesazh të qartë te emigrantët e mundshëm se këtyre kriminelëve nuk mund t’u besohet.”
Bandat shqiptare kanë dominuar tregun e brendshëm të kanabisit, ku bimët rriten në shtëpi apo në objekte industriale të braktisura duke përdorur teknologji hidroponike të importuar nga fermat e tyre në Shqipëri.
Në dekadën e fundit, ata kanë zëvendësuar vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kanabisit për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar. Reklama të ngjashme janë promovuar edhe në Vietnam, i cili tani është vendi nga ku ka më shumë emigrantë që kalojnë Kanalin, më shumë edhe sesa Shqipëria, dhe është ndër pesë vendet kryesore për kalime.