Shumica e nxënësve mësojnë në shkollë se perimetri i tokës është afërsisht 40.000 kilometra, por nuk mësojnë se ekonomia globale varet vetëm nga 160 prej atyre kilometrave. Bllokimi i dy kalimeve të ngushta detare – Ngushtica e Hormuzit dhe ajo e Tajvanit – mund ta kthejnë ekonominë pas në kohë, nëse jo në Epokën e Gurit siç kërcënoi se do të bënte me Iranin Donald Trump, atëherë të paktën në mesin e shekullit të 20-të, para se Rolling Stones të dilnin për herë të parë në radio.

Përgjatë një muaji e gjysmë, Irani e ka shndërruar Ngushticën e Hormuzit, e cila në pikën e saj më të ngushte është rreth 33 kilometra e gjerë, në një sallë qitjeje mbi det. Trafiku i anijeve ka rënë, me cisternat që lundrojnë në mënyrë nervoze pranë ngushticës, ndërkohë që barkat dhe dronët iranian luajnë role piratësh me to. Kjo ndalesë po e mbyt ekonominë botërore, pasi një pjesë e mirë e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror, kalon përmes kësaj ngushtice.

Megjithatë, kjo nuk përbën vetëm një konflikt në Lindjen e Mesme. Ajo është një provë gjenerale për një konflikt në Azi, e cila jep Kinës një plan beteje për Tajvanin. Ngushtica e Tajvanit, që në pikën e saj më të ngushtë është e gjerë rreth 81 kilometra, luan të njëjtin rol si Hormuzi, por për gjysmëpërçuesit. TSMC-ja e Tajvanit prodhon më shumë se 90% të çipave më të avancuar të botës – “trurin” e qendrave të të dhënave të AI, avionëve luftarakë dhe smartfonëve.

Të alarmuara nga vulnerabiliteti që paraqesin çipat e huaja, SHBA miratuan në 2022 aktin “CHIPS and Science,” për të joshur prodhuesit që të ngrenë fabrika brenda vendit. Pavarësisht planeve për ndërtimin e fabrikave në Teksas, Ohajo dhe Nju Jork, SHBA ende varet nga mikroçipet e importuara – sikurse shumica e vendeve. Kështu, një bllokadë kineze apo një pushtim i Tajvanit do ta vdiste urie sistemin nervor teknologjik të shekullit të 21-të. Humbjet globale mund të arrinin deri në 10 trilionë dollarë, një shifër që nuk do të përbënte më recension, por një arrest kardiak të zinxhirit të furnizimit.

Presidenti Xi Jinping me gjasë nuk dëshiron të mbahet mend në historinë 4.000-vjeçare të Kinës si udhëheqësi që arriti të ndërtojë bateri makinash më të mira se sa Elon Musk. Imitimet e Tesla-s gjithashtu s’janë veçse xhingla. Xi dëshiron të arrijë atë që Mao Zedong premtoi dikur: një Kinë, pa asteriske, pa ishuj renegatë që i bëjnë karshillëk lidershipit komunist. Ai do që të thyejë më në fund ngërçin 75-vjeçar, duke i tërhequr trashëgimtarët e Çang Kai Shekut nën kontrollin e Kinës.

Vetëpërmbajtja avullon nëse Xi beson se Amerika mund të hezitojë apo të bëjë Pazar pas një sulmi ndaj Tajvanit. Nëse marina më e fuqishme e botës nuk mund t’iu garantojë kalim të sigurtë cisternave të naftës nëpër një ngushticë të kontrolluar nga një fuqi rajonale e dëmtuar, flota e të cilës është tkurrur në disa barka të vogla si ato që mund të merren me qira gjatë pushimeve verore në Nantucket, atëherë përse do mendonte Xi se SHBA-të janë të gatshme të rrezikojnë aeroplanmbajtëse, nëndetëse dhe mijëra jetë amerikanësh për të thyer një bllokadë kineze në Tajvan?

Në një rast të tillë, Tajvani nuk ngjan edhe aq me një fortesë se sa me një pikëpyetje të madhe. Ata që merren me teorinë e lojës, e quajnë këtë dilemë të “angazhimit të besueshëm” – kur kundërshtari yt duhet të besojë patjetër se ti do të bësh atë që pritet, ose përndryshe matrica bie.

Historia është një mësues i ashpër me hezituesit. Kur Musolini vuri në provë Lidhjen e Kombeve nëse do të reagonte ndaj pushtimit të Etiopisë dhe zbuloi se ishte një organizatë pa dhëmbë, Hitleri mbajti shënim. Kur Presidenti egjiptian Gamal Abdel Nasser mori në kontroll Kanalin e Suezit në 1956-ën, Britania dhe Franca u dorëzuan në momentin që Ajzenhaueri skeptik nuk i mbështeti. Së fundmi, Presidenti rus Vladimir Putin marshoi në Krime pasi Presidenti Obama hezitoi të reagonte kur Presidenti sirian Bashar al-Assad përdori armë kimike. Besueshmëria, kur shpërdorohet, nuk është diçka që rimëkëmbet lehtësisht.

Ilaçi është i qartë, i hidhur dhe i vonuar. Amerika duhe ta hapë Ngushticën e Hormuzit me vendosmëri, duke dërguar atje anije shoqëruese, anije për heqjen e minave, duke goditur pikat nga ku sulmon Irani dhe duke marrë në kontroll ishujt Abu Musa, si edhe Tunbin e Madh dhe të Vogël. Pasi Ngushtica të jetë siguruar, SHBA-të duhet të dërgojnë atje anijet gjigande që shfaqen në Portin e Nju Jorkut çdo 4 korri. Asgjë nuk thotë “jemi të hapur për biznes” si anijet me vela të shekullit të 18-të që lundrojnë pranë foleve të djegura të artilerisë iraniane.

Në afatgjatë, SHBA duhet të përshpejtojë ndërtimin e anijeve, të furnizohet me municione me precision të lartë dhe të mbështesë më shumë rrjete të naftës dhe gazit në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më tej. Në 2020-ën, Greqia, Egjipti, Autoriteti Kombëtar Palestinez dhe Izraeli – qeveri që rrallëherë bien dakort me njëra-tjetrën – krijuan Forumin e Gazit të Mesdheut Lindor me fuqi të tjera rajonale, për të shfrytëzuar fushat e sapozbuluara të gazit. Fatkeqësisht, adminsitrata Biden tërhoqëi mbështetjen amerikane ndaj tëubacionit të propozuar mes Izraelit dhe Europës. Por ky është pikërisht ai lloj projekti që do mund të ulë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit.

Dilema që mbetet është e zymtë: të rihapet me forcë Ngushtica e Hormuzit, ose të shohim se si Xi hedh në letër datën për pushtimin e Tajvanit, e gjitha teksa diplomatët europianë dërgojnë letra me tone të forta. Duke refuzuar thirrjet e Trumpit për përforcime, Europa e ka shfaqur veten si përfituese e paaftë për të mbrojtur ekonominë globale. Dhe kjo pavarësisht historisë së gjatë të Amerikës si polici i rrugëve detare të botës, duke mbajtur të hapura kalimet, në mënyrë që vendet europiane dhe aziatike – përfshi Kinën – të mund të shfrytëzonin në maksimum energjinë me kosto të lirë dhe t’i zhvasnin mallrat e tyre nga çdo continent.

Lajmi i mirë është se SHBA ende ka marinën më vdekjeprurëse të botës dhe muskujt ekonomikë për të duruar më shumë se çdo rival. Irani shërbeu si një test për ta, ndërsa Tajvani do të jetë provimi i vërtetë. Xi dhe ekipi i lidershipit të tij i kanë studiuar hapat e ndërmarra nga Trump para luftës në Iran dhe gjatë saj. Me prtishmëritë kaq të larta, mendja luftarake dhe e paparashikueshme e Trumpit mund të mos jetë dhe aq një problem se sa një aset strategjik./ Project Syndicate