Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka qenë ditën e sotme tema e ditës së diskutuar në opinionin publik. Edhe në Report Tv, në ‘Sot live në Shqipëri’ gazetari Shkodran Hoti, ka folur rreth detajeve lidhur me prapaskenat e konstituimit të Kuvendit.
Sipas Hotit, seancën do duhej ta drejtonte deputeti më i vjetër, por ai ia dha në formë antikushtetuese, sipas gazetarit, presidentes Vjosa Osmani. Nga ana tjetër, Hoti tha se Albin Kurti shkeli ligjin kur në fakt firmosi dorëheqjen dhe u kthye sërish në zyrë.
"Deputeti më i vjetër që do duhej të drejtonte Kuvendin e Kosovës sipas ligjit, ia la detyrën e drejtimit presidentes. Sipas organizatave që mbikëqyrin ligjet e Kuvendit, thuhet se kjo nuk është e saktë në raport me Kushtetutën e vendit. Ndaj për seancën e radhës është dhe i obliguar deputeti që ka qenë dhe ai që u caktua si drejtuesi i seancës sot, që është më i vjetër në moshë. Nuk kanë dhënë dorëheqjen ata që do duhej sipas Kushtetutës ta japin dorëheqjen. E vërtetë është që ekziston një dokument që thuhet se Kurti dha dorëheqjen. Por ai dha dorëheqjen dhe u kthye sërish në zyrë, kjo e bën dhe antikushtetuese."-tha Hoti.
Gazetari Hoti tha se as opozita nuk i bën dot, sipas tij, votat për konstituimin dhe qeverinë e re, sepse të gjitha partitë në linjën e tyre bëjnë gjithsej 59 mandate.
"Kemi një situatë që partia në pushtet nuk i ka as votat e partive minoritare. Pra nuk po bëhet fjalë për kundërshtinë e partive opozitare, sepse fundja te opozitarët, ato së bashku i kanë 44 mandate. Edhe të gjithë ata që janë në linjë me ta bëjnë 59 mandate. LDK dhe PDK e kanë kundërshtuar këtë raport në Kuvendin e sotëm si antikushtetues."-tha Hoti.
Detajet e reja, sipas Hotit, nga negociatat mes Vetëvendosjes dhe Nismës së Limajt, kanë qenë që kjo e fundit ka kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
"Ajo që dihet nga informacionet e fundit është se Limaj dhe Kurti deri ditën e djeshme nuk kanë arritur një marrëveshje. Sipas atyre që dihen deri tani, Limaj ka kërkuar kryeparlamentarin dhe i ka propozuar ndryshime në paketën e ligjeve për pragun zgjedhor."-tha Hoti.
Komente

