PRISHTINË, 9 Shkurt /ATSH/- Ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim ambasadoren gjermane në Prishtinë Angelika Viets, ku biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit ministri Hoti e falënderoi ambasadoren Viets për vizitën dhe për mbështetjen e përhershme politike dhe ekonomike të shtetit gjerman që i ka dhënë Kosovës.
Ministri Hoti duke e falënderuar ambasadoren Viets për projektet kapitale, në të cilat ka investuar qeveria gjermane, tha se "ato janë të prekshme për qytetarët e Kosovës".
Ai gjithashtu e njoftoi ambasadoren për masat që po merr qeveria e Kosovës për ndryshimin e ligjeve, të cilat do të mundësojnë dhe do të ndikojnë në krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes, si dhe do të mundësojë tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.
Ministri Hoti, shprehu gatishmërinë e tij si ministër i Financave për vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ndërsa, ambasadorja gjermane Angelika Viets uroi ministrin Hoti për funksionin e ri dhe shprehu gatishmërinë e saj dhe të shtetit gjerman për mbështetjen politike dhe ekonomike edhe në të ardhmen e shtetit të Kosovës./b.j/k.s/









