“Sido që të jetë, do besoja se, sikur ish-Kryetari të mërzitej nga lista e re e Këshillit Kombëtar, të shfaqej i inatosur e të distancohej prej saj, atëherë njerëzit nuk do kishin nevojë të dëgjonin “analistë” për të kuptuar se po lind një Parti e re.
Por lideri e dogji dhe këtë shans . E “vrau” Lulin. Doli dhe tha: Lista më përfaqësuese në historinë e PD-së.”- shkruan, ndër të tjera, në facebook Hoxha.
Hoxha shprehet i shqetësuar për zhvillimiet në Partinë Demokratike ndërsa ironizon gjithashtu dhe deklaratat publike të një sër analistësh dhe të lidershipit të kësaj partie. Duke i veshur me mangësi në komunikim, famë të keqe dhe gjithashtu me “hijen e dhunshme” të ish-Kryetarit.
Pasi përmend dhe aktivizimin në rritje në PD të fëmijëve të ish-kryetarit, dita kur lista re e Këshillit Kombëtar u bekua dhe nga Berisha, sipas Hoxhës, është një “ditë e zezë për Lulin dhe Partinë e tij të re”.
Më poshtë publikimi i plotë i Fatos Hoxhës në facebook:
“Kam ndjekur këto ditë me vëmendje të gjitha daljet publike në lidhje me Kuvendin e PD-së, sidomos zërat pro dhe kundër përbërjes së Këshillit të ri Kombëtar. Tetë ditë nga Kuvendi dhe njerëzit vazhdojnë e flasin. Ose nuk ka vend thënia se çudia më e madhe vetëm tre ditë zgjat, ose çudia më e madhe është vogëlsirë përpara kësaj ngjarjeje.
Më bëjnë përshtypje disa gjëra për të cilat ju ftoj dhe ju të gjykoni.
1. Produkti i Kuvendit të PD-së po na serviret çdo natë nga analistët “e pavarur” si “Partia e Re” e Bashës dhe njerëzit kuptojnë çdo ditë e më shumë “Partinë e vjetër” të Berishës.
2. Na thonë çdo natë “Këshilli Kombëtar më përfaqësues” në historinë e PD-së dhe gdhihen çdo ditë më të vetmuar se një ditë më parë.
Përpiqem të kuptoj: Nëse përkthimi ekzaktësisht në të kundërt i mesazhit të lidershipit nga publiku dhe demokratët, të ketë lidhje me paaftësinë në komunikim të lidershipit dhe analistëve, me famën e keqe që kanë si njerëz jo fort të sinqertë e të besueshëm apo me faktin që sa hapin gojën, prapa tyre shfaqet hija e dhunshme e ish-Kryetarit.
Sido që të jetë, do besoja se, sikur ish-Kryetari të mërzitej nga lista e re e Këshillit Kombëtar, të shfaqej i inatosur e të distancohej prej saj, atëherë njerëzit nuk do kishin nevojë të dëgjonin “analistë” për të kuptuar se po lind një Parti e re.
Por lideri e dogji dhe këtë shans . E “vrau” Lulin. Doli dhe tha: Lista më përfaqësuese në historinë e PD-së. Pastaj u tregoi shqiptarëve se sa kishin vuajtur vajza, djali, mbesa dhe dhëndri nën thundrën e tij, se si Ai, përdhunisht u kishte mohuar çdo ëndërr, ideal, ambicje dhe shpresë për t’u marrë me politikë. Shyqyr që erdhi kjo ditë dhe ATA po shpëtojnë nga tirania! Ditë e zezë kjo për Lulin dhe Partinë e tij të re. Shoh çdo ditë e më qartë, vuaj çdo ditë e më shumë.”
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)