Hoxha letër Topit: Të hetohet
kreu i Gjykatës së Lartë

Hoxha letër Topit: Të hetohet<br />kreu i Gjykatës së Lartë
Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxhës, personit të zhdukur prej më se 16 vjetësh dhe që dyshohet të ketë vdekur, i drejtohet autoriteteve shtetërore dhe gjyqësore shqiptare me një kërkesë për të hetuar kryetaren e Gjykatës së Lartë të cilën bashkë me Kolegjin Penal e sheh si përgjegjës për zhdukjen e Ilir Kumbaros, i dyshuar kryesor për zhdukjen e të atit.

Hoxha i ka dërguar një letër Presidentit Bamir Topi, ku kërkon që të hetohen gjyqtarët në lidhje me vonesën e shpalljes zyrtare të vendimit të datës 14 tetor 2011, që e la në fuqi masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron. Duke qenë se ky vendim nuk u zbardh në kohë, Kumbaro përfitoi për t’u arratisur nga vendndodhja e tij në Londër dhe tashmë nuk dihet se ku është.

KËRKESË PËR HETIM TË KOLEGJIT PENAL DHE KRYETARES SË GJYKATËS SË LARTË

Për: Z. Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetar i KLD-së,

Cc: Z. Kreshnik Spahiu, Nënkryetar i KLD-së,

Z. Eduard Halimi, Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë,

Znj. Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë,

Z. Alexander A. Arvizu, Ambasador i SHBA në Shqipëri,

Z. Eugen Wolfarth, Ambasador i OSBE në Shqipëri,

Nga: Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.

I nderuari z. Topi,

Në emër të familjes sime, iu drejtohem juve si institucioni më i lartë shtetëror, President i Republikës së Shqipërisë, dhe njëkohësisht edhe kryetar i KLD-së, por mbi të gjitha si një nga njerëzit e pakët skenën politike në Shqipëri që kanë mbetur me dinjitet dhe njerëzi. Babai im, Remzi Hoxha, është i zhdukur që nga data 21 tetor, 1995, nga punishtja e tij në Tiranë, nga zyrtarë të ShIK-ut të asaj kohe.

Çdo ditë, për mbi 16 vite, jetojmë në ankth dhe me dhembje të papërshkruar. Për mbi 16 vite asnjëherë nuk ka dalë asnjë zyrtar qeverie që të paktën t’i kërkojë ndjesë familjes sime për atë që na ka ndodhur në mes të kryeqytetit të Shqipërisë. Për më shumë, për 16 vite njerëzit që kanë kryer krimin, të mbështetur nga grupet mafioze politike, përpiqen ta pengojnë zbardhjen e të vërtetës së zhdukjes së babait tim në mënyra nga më të ndryshmet.

Fillimisht u pengua nga Bashkim Gazidede dhe vartësit e tij, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjo Meçe dhe të tjerë, duke zhdukur të gjitha dosjet dhe gjurmët për të cilat ata ishin në dijeni. Më pas nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i emëruar po këta njerëz në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Kurse në rastin e fundit, edhe nga Kolegji Penal dhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj.

Me këtë rast, ju lus që të urdhëroni një hetim dhe procedim penal për shkeljet flagrante që Kolegji Penal dhe Gjykata e Lartë, me në krye Shpresa Beçaj, kanë bërë duke mos zbardhur vendimin e datës 14 tetor, 2011, në lidhje me masën e arrestit të Ilir Kumbaros “Arrest me Burg”, gjë që më pas i mundësoi të arratisej nga drejtësia e Britanisë së Madhe.

Më 14 tetor, 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën vendim që masa e sigurisë “Arrest me Burg” e caktuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Ilir Kumbaros, më 5 janar, 2010, të mbetet në fuqi. Ky vendim i hapte rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri në seancën e 1 nëntorit, 2011. Mirëpo, edhe pse ligji kërkon vetëm 2 javë për zbardhjen e vendimeve, Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk e shpalli zyrtarisht vendimin për më tepër se 2 muaj, gjë që fillimisht bëri që seanca të shtyhej për datën 1 dhjetor, e më pas ia dha mundësinë e arratisjes së të implikuarit kyq, Ilir Kumbaros.

Për më shumë, edhe Ju jeni prind dhe shpresoj se e kuptoni se çfarë dhembje të madhe kemi ne si familje.

Me sinqeritetin më të madh, Ardian Hoxha. ah/Shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë