Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua në Tiranë me ambasadorët e Italisë dhe Francës.

Përgjatë dy takimeve, u diskutuan mënyrat për të forcuar më tej partneritetin strategjik, intensifikimi i dialogut politik, si dhe avancimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në një reagim pas takimit me ambasadorin e Italisë, Hoxha u shpreh:

"Një takim shumë i përzemërt me Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Marco Alberti, ku rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e thellë ndërmjet dy vendeve tona 

Theksuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik, thellimit të bashkëpunimit në sektorët kyç dhe avancimit të prioriteteve tona të përbashkëta, përfshirë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Italia mbetet një partner i ngushtë dhe një aleat thelbësor, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajonin tonë dhe më gjerë", shkroi Hoxha pas takimit me Marco Albertin.

Ndërsa pas takimit me ambasadoren e Francës, Hoxha vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

"Shumë i kënaqur nga takimi i shkëlqyer me Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ku rikonfirmuam cilësinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve tona.

Diskutuam mënyrat për të forcuar më tej partneritetin strategjik, për të intensifikuar dialogun politik dhe për të avancuar bashkëpunimin në fusha kyçe, përfshirë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, projektet ekonomike dhe të inovacionit, arsimin dhe frankofoninë, si dhe shkëmbimet kulturore që afrojnë më tej popujt tanë.

Franca mbetet një partner kryesor dhe një aleat thelbësor në angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë", theksoi Hoxha.

Foto: Catherine Suard dhe Ferit Hoxha