Foto:Ministrat Ferit Hoxha dhe Gordan Grliç-Radman në Tiranë

Mbështetja e Kroacisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë ishte në qendër të takimit që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Tiranë me homologun kroat, Gordan Grliç-Radman.

Ministri kroat vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke e cilësuar përparimin e arritur si rezultat jo vetëm i meritws por dhe reformave të ndërmarra.

"Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe mendoj që tashmë është koha. Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka arritur në rrugën e saj evropiane. Mbyllja e tre kapitujve është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimin në BE. Shqipëria jep shembull me arritjet e saj, ajo dëshmon se procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm vetëm kur një vend respekton detyrimet e tij dhe arrin rezultate konkrete duke përmbushur kriteret e përcaktuara, ashtu siç e bëri dhe Kroacia. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara dhe Shqipëria ka arritur përparim mbresëlënës në këtë rrugë. Shqipëria po ecën me ritëm të mirë duke i tejkaluar edhe vendet e tjera kandidate dhe kjo falë meritave të saj. Ju inkurajoj të ecni në këtë rrugë dhe patjetër keni mbështetjen tonë të plotë" tha ai

 Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, tha se pas mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave, Shqipëria mbetet e vendosur të përmbushë të gjitha reformat me synimin për të mbyllur procesin teknik të negociatave brenda vitit 2027.

"Qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim e angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe reformat e kërkuara, me qëllim realizimin e objektivave të vendosura, për mbylljen e procesit teknik të negocimit brenda vitit 2027. Në këtë proces nuk ka as pauzë e as pushim. Ne mbetemi tërësisht të vendosur të ruajmë këtë moment dhe ritëm, dhe të sigurojmë që çdo reformë që ndërmarrim të sjellë përfitime afatgjata për qytetarët shqiptarë dhe të forcojë besueshmërinë e shoqërisë shqiptare në këtë proces."

Hoxha falënderoi gjithashtu Kroacinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Zagrebi ka kontribuar jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë gjatë negociatave. Nw kwtw aspekt, ai garantoi angazhimin e vendit tonw pwr njw rajon tw paqtw e tw zhvilluar.

Shqipëria do të mbetet e angazhuar për një Ballkan Perëndimor të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit, tërësisht të orientuar drejt familjes evropiane ku i takon. Në këtë rrugë, Kroacia, si vend anëtar i BE-së, mbetet një partnere aktive, e besueshme dhe domosdoshme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e Rajonit" tha Hoxha


Lajmi kryesor:

Hoxha i përgjigjet Vuçiçit: Mos i fryni zjarreve të luftës, marrëveshja Shqipëri-Kosovë-Kroaci nuk është justifikim për militarizim në rajon