Hoxha tre muaj në rrethim,si shpëtoi
pa ndihmën e Mehmet Shehut

Hoxha tre muaj në rrethim,si shpëtoi<br />pa ndihmën e Mehmet Shehut
Po të njihesh hollësisht me planin operacional të aksionit ushtarak gjerman të dimrit, kupton se objektivi i parë i nazistëve ishte kapja dhe asgjësimi i komandës partizane. Ai, pra Shtabi, ato kohë ndodhej jo shumë larg nga kryeqyteti.

Madje kishte mes tij edhe dy oficerë shumë të lartë britanikë: gjeneralin Dejvis dhe kolonelin Nikolson. Ky i fundit ishte shefi i shtabit të Dejvisit.

Në librin e tij °Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” Enver Hoxha shkruan “Gjermanët, si duket, i kishin diktuar lëvizjet tona drejt Elbasanit, drejt Shkumbinit e kthim dhe përgatitën me shpejtësi ofensivën për të na asgjësuar në rajonin e Labinotit, Shmilit, etj”.

Pak më poshtë kësaj fraze ai shkruan: “Ofensiva armike e 19 dhjetorit na gjeti në Orenjë. Në mbrëmjen e asaj dite lamë Orenjën dhe u nisëm drejt Veriut në mes pyjesh me ahe”. 

Pasi lanë në një fshat më të vjetrit në moshë dhe më delikatët në shëndet (mes tyre edhe doktor Ymer Nishanin), të prirë nga dy komandantë vendas dhe të shoqëruar prej partizanësh, Enver Hoxha përshkruan se “udhëtuam gjithë natën në pyjet e Orenjës nëpër borë e errësirë. Të nesërmen vazhduam rrugën e dolëm në Kaptinë të Martaneshit. Nata na zuri që aty por nuk ndaluam derisa hymë në pyjet e Okshtunit. Atje, pas shumë përpjekjesh, mundëm të ndiznim një zjarr, rreth të cilit  e kaluam gjithë natën. Si u gdhi, morëm përsëri rrugën dhe arritëm në Okshtun, ku qëndruam një natë”.

Pasi rrëfen vazhdimin e intenerarit të ndërlikuar dhe të pasigurt për të dalë sa më shpejt nga rrethimi dhe sidomos dëborën e të ftohtin e madh, Hoxha reagon ashpër, gjatë një bisede, me atë që ato çaste pati thënë gjenerali Dejvis: “...puna juaj mori fund. Jeni të humbur. Gjermanët kanë bërë një ofensivë të madhe e të koordinuar dhe forcat tuaja janë shkatërruar. Tani s’ka mbetur tjetër veçse ne të ikim dhe ju të dorëzoheni. Por juve ju janë errur sytë dhe nuk shikoni asgjë. Ju e keni kot, ju e humbët luftën, ju jeni të rrethuar, dy rrugë ju mbeten: Ose të vriteni, ose të dorëzoheni!”

Pas polemikës që nuk zgjati pak çaste dhe shkaktoi habi tek njerëzit e Shtabit, marshimi vijoi edhe më këmbëngulës për të dalë nga gracka e operacionit gjerman. Shkruan Enver Hoxha: “Vazhdonte të binte borë e madhe.

Ftohtë, acar. Murlani që frynte na i goditi fytyrat si me kamxhik. Ecnim dhe ndaleshim. Në mes të pyllit, nën strehën e një peme, bëmë një ndalesë më të gjatë. Koleka, siç e kish zakon, ndau rriska-rriska një kulaç dhe na dha secilit nga një rriskë dhe nga një qepë. Pasi i hëngrëm ato u nisëm. Bora binte dendur sa nuk po e gjenim dot rrugën për në Fushë Studë. U sollëm kot me orë të tëra nëpër pyll dhe, papritur, u gjendëm përsëri te vendi ku hëngrëm bukë, sepse pamë lëvoret e qepëve”.

Hoxha përshkruan të gjitha përpjekjet e tjera për t’i shpëtuar rrezikut të kapjes apo vrasjes në luftime me trupat e specializuara gjermane. Ai nuk e tregoi ndonjëherë të gjithë këtë histori të ankthshme dhe asnjëherë nuk e kthjellon nëse ia dolën të shpëtonin nga që gjetën shtegun e daljes dhe hynë në territorin ku kishin mbështetje apo sepse prej strukturave të tyre lokale u erdhi lajmi se aksioni nazist, pjesa e parë e Operacionit të Dimrit, i cili kishte si qëllim të parë likuidimin e komandës ushtarake dhe politike të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, qe ndërprerë për mungesë rezultati.

enveri
 
Gjenerali britanik jepet i pari: u dorëzohet gjermanëve. Beson se këtë do ta bëjë edhe Enver Hoxha
 
Sidoqoftë fakti historik mbetet: Enver Hoxha dhe njerëzit e tij shpëtuan. Rrethimi fatal u ça. Ai nuk u kap. Pas pak muajsh e njëjta gjendje iu përsërit Josip Broz Titos në Jugosllavi, por edhe ai ja doli të mos binte në duart e gjermanëve.

Enver Hoxha nuk tregon një datë të saktë të momentit të shpëtimit, daljes nga rrethimi. Ndoshta këtë e bën thjesht për shkujdesje. Sipas një radhe veprimesh të hamendësuar (për shembull gjenerali Dejvis çastet e rënda të marshimit nëpër akullimë dhe pothuaj të pangrënë, në kujtimet e tij i vendos në kohën e Krishtlindjes, pra në 24-25 dhjetor 1943) ky shpëtim, duke llogaritur shumë ngjarje të tjera të ndodhura në vijim, ka të ngjarë të jetë bërë realitet saktësisht në ditët kur në Berat po zhvillohej kongresi i Ballit, 3-5 janar 1944. 

E themi këtë sepse më 8 janar 1944, pra tri ditë pas mbylljes së tij, Enver Hoxha shkruan se “ballistët e Azis Biçakut dhe një togë ushtarësh gjermanë u vërsulën drejt staneve të Kostenjës, ku ndodheshin partizanët dhe gjenerali anglez vetë i pestë. Nga të katër anët filloi lufta e partizanëve e drejtuar nga Baba Faja”. 
Më tej Hoxha tregon se si Dejvis vendosi të dorëzohej. Justifikimi i tij ishte se qe plagosur, por kur e bëri  veprimin e vetëdorëzimit ishte larg mundësisë për t’u dalluar prej të tjerëve, përfshi edhe zëvendësin e tij, kolonelin Nikolson, nëse kishte me të vërtet nëpër trup ndonjë plumb.

Gjithsesi në librin e tij të shkruar në pasluftë, “Aventura iliriane”, gjenerali britanik do të shkruante se në kampin gjerman, ku pas vetëdorëzimit rrinte i burgosur, kushtet i kishte pasur shumë më të mira se herën e fundit me partizanët “kur po luftonim me furtunën në majën e një mali, pa ushqime dhe pa rrugëdalje”.

A e dinin ballistët në kuvendin e Beratit, të paktën ata të udhëheqjes apo edhe vetëm Mit’hat Frashëri, se ndërsa ata përgatisnin kongresin dhe i kryen punimet e tij pa lënë pas gjë të shkruar, paralelisht trupa speciale gjermano-naziste po bënin çmos ta asgjësonin fizikisht PKSH-në dhe lëvizjen e saj të armatosur? Mendojmë se përderisa këtë gjë e dinte me domosdo kryeministri Mehdi Frashëri, edhe Mit’hati duhet të ketë pasur dijeni?

berat
 
Por Hoxha nuk dorëzohet
 
Enver Hoxha në librat e tij të shumtë të kujtimeve përpiqet ta anashkalojë rrezikimin e jetës së vet dhe të tjerëve në Çermenikë të Elbasanit në funddhjetor 1943 dhe harxhon energji për të ironizuar dhe marrë nëpër gojë gjeneralin  britanik Dejvis (të rënë në duart e çetës balliste të Azis Biçakut). Ndërkaq në librin e tretë të Historisë së Luftës Nacional-Çlirimtare, botuar në 1984, shkruhet se nga rrethimi Hoxha doli dy javë pas nisjes së fazës së parë të operacionit të dimrit. 

Duke qenë se ai filloi në 19 dhjetor 1943 distanca e dy javëve në vazhdim të çon në 2-3 janar 1944, saktësisht kur nisi punimet kongresi i Ballit Kombëtar.

Por e tëra kjo është vetëm gjysma e gjysmës së të vërtetës, pra vetëm një çerek prej saj. Enver Hoxha dhe Shtabi i Përgjithshëm, përfshi edhe ndonjë eksponent tjetër të komitetit qendror të PKSH-së, shpëtuan prej likuidimit fizik, duke dalë nga rrethimi i gjermanëve dhe i grupeve vendase mercenare, vetëm në fillim të muajit mars 1944.
Pra ai dhe pjesa kryesore e udhëheqjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare kanë qenë pothuaj tre muaj jashtë funksionit. Si mund ta pohonte Hoxha këtë, ca më shumë ta linte të shpjeguar fill e për pe!

Ai bëri sikur la ndonjë shënim të vogël heroizmi dhe kaq.

Ndërkohë kishte edhe një arsye tjetër për të ushtruar censurë mbi këta tre muaj të jetës së tij, të cilat e zbulonin se pati mbetur në bisht të ngjarjeve më të ndërlikuara të luftës, operacionit gjermano-nazist të dimrit, kur formacionet partizane u goditën rëndë dhe pësuan humbje. Madje një brigadë e tërë, e dyta, pothuaj u shkatërrua. E treta jo më pak.

Enver Hoxhës ia pengonte rrëfimin e plotë edhe Mehmet Shehu.

Në librin “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”, të botuar në 1982, një vit pas vetëvrases së Shehut, në faqet e fundit të tij ai ka vendosur “tablonë sinoptike”, të quajturën analizë të veprimtarisë si poliagjent të kryeministrit. 

Në po këtë libër Hoxha, në gjysmën e parë të tij, rrëfen me kujdes periudhën nga 19 dhjetor 1943 deri, siç nënkuptohet, fundi i muajit, duke lënë përshtypjen se vetëm ato ditë qenë plot rrezik për të dhe Shtabin e Përgjithshëm, pastaj çdo gjë hyri në normalitetin e zakonshëm të drejtimit të luftës partizane.

E tëra kjo është një manovër heshtjeje për më kryesoren: periudhën nga fillim janari 1944 deri në 3 apo katër mars 1944, kur realisht ndodhi dalja nga rrethimi dhe shpëtimi real prej ndonjë kapjeje rob apo vrasjeje gjatë luftimeve.

Këtë pjesë Enver Hoxha nuk mund ta dëshmonte dhe linte të shkruar, sepse i qe dhënë detyrë brigadës së parë sulmuese, të drejtuar nga Mehmet Shehu që ta shpëtonte atë dhe Shtabin e Përgjithshëm. Sa kohë që Shehu ishte kryeministër kjo periudhë përmendej dhe flitej, konsiderohej si një marshim historik marshimi shpëtimtar i kësaj brigade. Ajo ndodhet e rrëfyer në një libër me 710 faqe, me titull “Brigada I Sulmuese, shpresë për popullin, tmerr për armikun”, botuar në 1977. Autor i saj është Ndreçi Plasari, gjatë dikataturës shkruesi më kryesor, më i privilegjuar, më i doktrinuar dhe më manipulues i viteve të luftës.

Në kreun IX, “Marshimi heroik” (shkurt-mars 1944), në libër tregohet se në Berat në ditët e para të shkurtit, për shkak të angazhimit në operacion në jug të vendit, kishin mbetur vetëm dyqind gjermanë. Po ashtu qe bërë tepër aktive me përndjekjet brenda qytetit si edhe me postkontrollet deri në fshatra, një strukturë e Ballit Kombëtar e ngritur posaçërisht në këtë qytet, e quajtur “Komanda e Operacioneve të Jugut”. 

Kështu Mehmet Shehu, i cili me brigadën e tij në një operacion spastrimi prej armiqve në krahinën e Skraparit, ndodhej më në fund në afërsi të Beratit, vendosi ta sulmojë qytetin. Kur pikërisht u bë gati ta realizonte këtë plan, në mbrëmjen e 11 shkurtit i erdhi në letër me shënimin sipër “urgjent”. 

I drejtohej atij me emër. 
Letra qe e një anëtari të Shtabit të Përgjithshëm.

Në të thuhej: “Shtabi i Përgjithshëm ka ngelë i izoluar dhe jeton nëpër pyje. Sikurse na lajmërojnë, ka rënë disa herë në përpjekje me gjermanët e ballistët. Pra...Shtabin e kemi në rrezik, prandaj duhet patjetër ta shpëtojmë. Shpëtimin e Shtabit duhet ta bëjë Brigada I...Çështjen e Shtabit duhet ta mbani shumë konspirative dhe mos ta dijë tjetër kush, veç shtabit të brigadës”.

Prej librit të shkruar nga Ndreçi Plasari vihemi në dijeni se ndërkohë Shtabi dhe Enver Hoxha kishin bërë tre përpjekje të dështuara për të dalë vetë nga rrethimi.  
 
Ia del të shpëtojë pa ndihmën e Mehmet Shehut

 
Para se në 11 shkurt t’i vinte Mehmet Shehut urdhri për të shkuar në ndihmë të udhëheqjes së Lëvizjes Nacionalçlimtare, Hoxha i pati shkruar një letër Nako Spirut: “Ditët po kalojnë në mërzitjen më të madhe sepse, në pamundësi të bëjmë diçka për të dalë këtej ose për të ndihmuar lëvizjen, ne vazhdojmë një jetë monotone, presim ndonjë vijë kalimi, por më kot...

shehu

A mendon ndopak për ne fukarenjtë e rrethuar e që mërzia e ka kapërcyer kufinë? A ke menduar ndonjë solucion daljeje për ne? Automobil, Dumre, Pezë a gjetkë? Duhet të shkruash nga të katër anët, pa zënë në gojë se jemi ne që do të dalim. Lëre të kuptojnë shokët që jemi ne (pse letrat mund të bien në duar të armikut)”.
Mehmet Shehu në krye të tre batalioneve të brigadës u nis për ta gjetur ku ndodhej Shtabi dhe Enver Hoxha si edhe për t’u hapur atyre rrethimin. Dimri qe i egër, krahina e Mokrës, ku po shkonin, duke qenë 1500 metra mbi nivelin e detit, ishte edhe më e rënduar.

Në 5 mars ata mbërritën në Shëngjergj dhe aty mësuan se fare pak ditë më parë Shtabi i Përgjithshëm ia kishte dalë vetë çarjes së rrethimit dhe kishte njoftuar se tashmë ndodhej në krahinën e Korçës, jashtë çdo rreziku.

Në librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, në 1982, Enver Hoxha do ta akuzonte Mehmet Shehun e pajetë që prej një viti, se ai në shkurt-mars 1944 ishte vonuar qëllimisht.

Hoxha e kishte fjalën se prej mbrëmjes së 11 shkurtit, kur mori letrën urgjente, Shehu e pati nisur lëvizjen drejt Shëngjergjit dhe Çermenikës dhjetë ditë më vonë: në 21 shkurt.

Madje vetë Mehmet Shehu tek 710 faqet e librit për brigadën e parë lë të kuptosh se, i shtrënguar nga rrethanat e shpërndarjes në fronte të ndryshme të batalioneve të brigadës, në përpjekje për rigrumbullim të tre prej tyre, marshimi i grupit shpëtues nisi në 23 shkurt.

Ndërkohë që zhvillohej kjo pamje e censuruar e të vërtetës për tre muajt nokdaun të Enver Hoxhës dhe vetë Shtabit të Përgjithshëm, të nxjerrë jashtë funksionit prej gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas, operacioni i dimrit po fikej. Fuqia e tij e zjarrit nisi të shuhej pak nga pak që prej rrethinave të Tiranës (Pezës) dhe Çermenikës, ku nisi fazën e parë, i shvendosur më vonë në Korçë dhe pastaj në Berat, më tej kur iu avit Përmetit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Pas dëmeve të para të mëdha që i shkaktoi partizanëve, po ashtu edhe popullsisë civile, në fund të marsit 1944 doli se Lëvizjes Nacional-Çlirimtare operacioni nuk i kishte sjellë ndonjë traumë fatale, madje po ndodhte e kundërta. Në prill ajo rilulëzoi dhe qe fort e inkurajuar jo vetëm për shkak të stinës tashmë të përshtatshme për të jetuar në mal, por edhe betejave fitimtare të papushuara të armatës së kuqe. Kjo kishte hyrë në Rumani, çfarë donte të thoshte se pati trokitur në dyert e Ballkanit.

Në 5 prill ai Shtab i Përgjithshëm me në krye Enver Hoxhën që duhej të ishte asgjësuar në funddhjetor 1943 apo në janar, shkurt dhe fillim mars 1944, u lëshoi urdhër të gjitha njësive të veta të armatosura të shpërthenin një mësymje të përgjithshme kundër trupave gjermane dhe mbështetësve të tyre nga radhët e shqiptarëve.
Thirrja ishte qartësisht ideologjike, paralajmëronte se në atë pranverë më shumë se koha e luftës për çlirim nacional qe ajo e revolucionit proletar: “Përpara mbi armikun dhe tradhëtarët! Përpara për ta hedhur jashtë okupatorin dhe për të zhdukur pa mëshirë tradhtarët dhe gjakpirësit e popullit tonë!”

Shiheni gjuhën relativisht jo fort të ashpër për pushtuesit dhe atë shumë të egër, të tërbuar, ndaj bashkëkombësve që nuk e donin komunizmin!

Ka marrë rrugën e është bërë zakon të thuhet se dhembët e diktaturës së ardhme u shfaqën në Kongresin e Përmetit, në 24 maj 1944, por mendojmë se ato janë kërcëllitur publikisht një muaj e gjysmë më parë, në këtë thirrje për t’i bërë bashkë dhe pleksur e ngatërruar me njëra tjetrën betejën çlirimtare ndaj pushtuesit me luftën e brendshme të vëllavrasjes që i hapte rrugën modelit politik të shoqërisë bolshevike.

mithat

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë