Hoxhaj: Rruga e Kosovës drejt
BE-së është e pakthyeshme

Hoxhaj: Rruga e Kosovës drejt<br />BE-së është e pakthyeshme
PRISHTINE- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian është e pakthyeshme.

Në një shkrim autorial të botuar në revistën prestigjioze evropiane “The Parliament Magazine”, Hoxhaj ka prezantuar sukseset e shumanshme të Kosovës gjatë gjashtë viteve të fundit, në proceset e brendshme shtetndërtuese, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, raportet bilaterale me shtete e rajonit dhe me gjerë, si dhe në avancimin e agjendës integruese europiane.

“Në vitet e kaluara, Kosova ka ndërmarrë reforma gjithëpërfshirëse si dhe ka bërë progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimeve evropiane, siç ilustrohet me reformën e administratës publike, avancimin e aspekteve që lidhen me sundimin e rendit dhe të ligjit, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e komuniteteve si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne po ashtu kemi qenë faktor stabiliteti dhe promotor të fuqishëm të fqinjësisë konstruktive me të gjitha shtetet në rajon”, shkruan ministri Hoxhaj.

Lidhur me procesin dyvjeçar të dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në, ai ka theksuar se Kosova ka bërë progres të madh në listën e reformave të kërkuara nga BE-ja. Megjithatë, siç shprehet ministri Hoxhaj, kriteret e liberalizimit të vizave për Kosovën kanë qenë më të komplikuara sesa për shtetet tjera në rajon.

“Kosova mbetet shteti i vetëm në rajon, qytetarët e të cilës nuk mund të udhëtojnë në BE pa një vizë Schengen”, shkruan Hoxhaj.

Duke iu referuar rezultateve të arritura, Hoxhaj thekson se tashmë Kosova është në fazën finale të përmbylljes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, “e cila do të vendos marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në”.

“Ky hap vendimtar për integrimin në BE të Kosovës do të ketë efekte pozitive për stabilitetin e brendshëm dhe rajonal, zhvillimin demokratik dhe ekonomik dhe modernizimin social”, shkruan Hoxhaj, duke shprehur besimin se zgjerimi do të mbetet prioritet i Parlamentit dhe Komisionit Europian, në mandatin e ardhshëm.

Duke shprehur përkushtimin e Kosovës për të përmbushur kriteret për proceset integruese evropiane, Hoxhaj ka thënë se megjithatë uniteti brenda BE-së është vendimtar për të siguruar se progresi i bërë nga Kosova të njihet dhe të shpërblehet siç e meriton, në mënyrë që Kosova të mbetet në këtë rrugë konstruktive drejt Bashkimit Europian.

Marrë nga "Kosova Press"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike