Huaja, mazhoranca miraton
'FMN',opozita braktis Kuvendin

Huaja, mazhoranca miraton<br />'FMN',opozita braktis Kuvendin
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme, me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, marrëveshjen e Qeverisë shqiptare me FMN-në për një kredi prej rreth 331 milionë eurosh. Kjo marrëveshje huamarrjeje e ka rikthyer sot opozitën në Kuvend me debate të ashpra që nisën që orën 11:00 ndëmjet palëve, duke filluar nga rregullorja e Kuvendit, kushtet e kredisë në fjalë, aspektet pozitive dhe negative të saj e deri tek festa "prej sheikësh" e Metës, situata "katastrofike" në spitalin e Shkodrës apo sarkazmat me "virus" ndëmjet deputetes Gjylameti me ish-socialistin Islami.

Opozita mbrojti gjatë gjithë kohës, qendrimin se huaja në fjalë do të sillte pasoja të rënda në ekonominë e familjeve shqiptare, taksa të reja, ulje pagash e pensionesh për tre vjetët në vazhdim, rritje të moshës së pensionit. Ish-Kryeministri Berisha e konsideroi situatën si një imitim të skenarit grek, zbatuar në Shqipëri nga "Papandreu shqiptar" por u kundërshtua nga Kryeministri Rama që theksoi se të gjitha ato parashike e ndodhi kastrofike ishin fantazira, se nuk kishte as rritje taksash, as ulje pagash e pensionesh, as rritje çmimi të energjisë dhe as të moshës së pensionit.

Ish-Kryetarja e Kuvendit Topalli ngriti pyetjen se pse marrëveshja u firmos në fshehtësi dhe me shpejtësi; deputeti Mima e konsideroi atë hua se i bën nder portofolit të shqiptarëve, por se nuk është falas dhe djalli, sipas tij, fshihej në "depo" .

Të majtët nga ana e tyre e kanë konsideruar marrëveshjen si të domosdoshme për të minimizua dëmet e qeverisjes së PD-së, shlyerjen e borxheve të shumta, veçanërisht atyre të fshehura; ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se nuk do të ketë ulje pagash dhe pensionesh dhe as rritje taksash. Deputeti Angjeli  sqaroi se huaja e marrë nga FMN është shoqëruar me dokumentacionin përkatës “për të rritur transparencën për grupet e interesit dhe për publikun.” “Vendimi për huamarrja erdhi si pasojë e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të FMN-së”, tha ai.

Gjatë fjalimeve, spikati fjala e deputetes demokrate Jozefina Topalli, e cila,pasi e konsideroi si papërgjegjshmëri të Kryeministrit mosmbajtjen e premtimeve dhe marrjen e huave marramendësve në vetëm 7 muaj, pa përmendur emër, përmendi dhe komentoi festën e ditëlindjes të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Topalli e cilësoi atë si një festë sheikësh me përmasa faraonike, një akt arrogance oligarkësh përballë varfërisë. Në përfundim, kreu i Kuvendit nuk bëri asnjë replikë për cilësimet që iu bënë festës së organizuar prej tij, por i tha shkurt: "Të lumtë goja!".

Përkundër akuzave të lëshuara nga PD-ja për rritje taksash e çmimesh, foli Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili dha disa shembuj por në veçanti, foli për shëndetësinë duke ngritur në foltore dy kuti barnash: "Ja, tha ai, ato që premtuan. Kanë tre ditë që shiten pa TVSH dhe vetëm ky ilaç tensioni, tani kushton 4 herë më lirë sepse negociuam me prodhuesit e mëdhenj."
 
DEBATET NE SEANCEN E SOTME PARLAMENTARE 

ORA 22:00 MIRATOHET ME 76 VOTA NE PARIM, MARREVESHJA E HUASE ME FMN
Në orën 22:00, Kuvendi, i drejtuar nga N/Kryetari Vangjel Dule, ka votuar marrëveshjen e huamarrjes me FMN-në me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Opozita kishte paraqitur disa amendamente, për të cilat nuk u ra dakord në Konferencën e kryetarëve; më pas, opozita e braktisi sallën dhe Kuvendi kaloi në votim, duke i rrëzuar amendamentet e paraqitura nga opozita. Kuvendi miratoi me 75 vota edhe pr/ligjin për kujdesin shëndetësor për policët; me 76 vota, pr/ligjin për tatimin mbi të ardhurat; me 74 vota, marrëveshjen e ujit me IBRD-në dhe me 74 vota, marrëveshjen për mbrojtjen mjedisore.

ORA 20: 20 BRAÇE: PËRSE NUK E ÇOJMË BERISHËN PARA DREJTËSISË?
 “Të gjitha shifrat që dha Berisha  janë të rreme. Ka të njëjta tabela që kam unë dhe i jep të gjitha mashtrime. Paratë janë derdhur në thesarin e shtetit dhe kur derdhen paratë në thesar, nuk ka Sali që të gënjejë. Tani na tha që po rëndojmë mbi supet e brishta të shqiptarëve. Por për 8 vjet, i mashtroi? Se thoshte se shqiptarët ishin bërë si Herkuli nga ato që i kishte dhënë ai për të ngrënë.  Këtu po kërkoj për herë të dytë se përse nuk e çojmë Sali Berishën përpara drejtësisë. Edhe Drejtorin e Tatimeve, pasi janë pjesë e një skeme kriminale, pasi janë përgjegjës për 160 milionë dollar rimbursime që i kanë marrë nga TVSH-të. Kompani fantazmë kanë përfituar nga skema e rimbursimit të TVSH-së. Prokurori i Përgjithshëm që i ka dosjet kapic duhet të lëvizë dhe nuk duhet të rrijë në vend."

ORA 20:15 BUMÇI: KRYEFJALA JUAJ NE FUSHATE ISHTE "FALAS", POR KENI GENJYER
"Kryeministri deklaroi se legalizimet do jenë falas. Në atë projektligj që ju e votuat dhe ne e kundërshtuam, në buxhetin e shtetit që po ju miratuat vërehet se nga legalizimet do të vijnë të ardhura në buxhetin e Shqëipërisë në shifrën e 12 miliardë eurove. Kemi një qëndrim që kërkon të nxjerrë 12 miliardë euro, një tjetër që thotë 20 % më pak po paguat më shpejt, dfhe një tjetër që thotë se procesi i legalizimit janë lidhura me pagesën e energjisë. Kë duhet të besojmë ne? Pse duhet të besojmë  këtë qeveri e cila ndryshon qëndrim në këtë mënyrë?
 
Ju keni deklaruar se janë ulur taksat për 95% të qytetarëve shqiptarë. Sipas INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë konsumi është ulur. Nga një anë ka më shumë lekë nga ana tjetër qytetarët shqiptarë nuk shpenzojnë. Kryefjala juaj në zgjedhje ishte falas, sot FMN me propozimin tuaj kërkon rritje taksash, ngrirje e rritjes së pagave. Asnjë kryeministër, nuk ka folur për krizë sa ka folur qeveria shqiptare por ekonomia ka nevojë për optimizëm. Nëse vazhdojmë të themi jemi në krizë cili konsumator do të investojë?"

ORA 19:15 BERISHA: PS QE ISHTE KUNDER BORXHIT, PO VOTON BORXHIN ME 21 KUSHTE
"Jemi këtu në një situatë shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, kur PS-ja që është çjerrë ditë e natë kundër borxhit, voton sot marrjen e një borxhi jo me një e dy por me 21 kushte! Historiku ëhstë tërësisht skenari i Papandreut, që nisi në fundin e verës; u duk qartë kur ekspertë të shquar botërorë i thanë kryetarit të PS-së se me këto që thua shanset e dështimit i ke 95% dhe kjo për faktin e vetëm se mohon çdo gjë dhe për definicion, ai që mohon çdo gjë, nuk di asgjë!
FMN-ja ia tha "tullë" në një seminar: Nuk ke program! Dhe nëse deri në dhjetor nuk ke program, do të të denoncojmë botërisht!

Dhe pasi Berisha ka numëruar sukseset e Qeverisë së drejtuar prej tij, investimet publike dhe më pas, me tabela, ka rrëfyer dështimet e PS-së, tha:
“Ju ecni me iluzione! Shkojmë në Shkodër! Fonoteka “Marubi” e harruar sipas tij ka 8 botime ndërkombëtarë! 150 mijë dollarë banesa! I është bërë tërë inventarizimi! I është garantuar i gjithë fondi për t’u rikonstruktuar! Dhe ky shkon 3 herë në Shkodër për të thënë se Rama u vra për fonotekën Marubi!"

ORA 18:46 RAMA: NUK DO TE KETE RRITJE TAKSASH, AS ULJE PENSIONESH
"Jemi krenarë për marrëveshjen e nënshkruar; ajo garanton rritjen ekonomike dhe nuk bazohet në masa shtrënguese; për të kemi marre jo vetëm mbështetjen e plotë të Bordit, por edhe përgëzimet e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtare. Marrëveshje e fshehtë?! Ky është term shume interesant kur bëhet fjalë per nje institucion kaq prestigjoz dhe sesi mund te beje FMN-ja te tilla, kete mund ta thone vetem ata qe bene marreveshje me Suden apo Vehbiun! Marrëveshja jo vetëm që nuk ka qënë e fshehtë, por edhe gjithfarë ndodhish katastrofike si rritje taksash e ulje pensionesh, është pjellë e një fantazie që lidhet me pamundësinë e kuptimit të votës së 23 Qershorit, e pamundësisë për të parë veten! Ne mund të ishim gjendur në atë situatë të uljes së pagave dhe pensioneve nëse nuk do ishim angazhuar në reforma të mëdha dhe nuk do kishim negociuar me FMN-në!

Deri më tani kemi paguar 120 milionë dollarë borxhe të fshehura dhe të prapambetura, që e kishin marrë Shqipërinë peng dhe po shndrroheshin në një lak për ekonominë dhe shqiptarët.

Për energjinë...Ka një propagandë shumë të mëdha që do ketë rritje shumë të madhe të faturës së energjisë.  Ne këtu do jemi dhe do dIskutojmë vjeshtën e ardhshme dhe le t’i ballafaqojmë faturat e energjisë.  Ndryshimi i atyre që ishin dje me ne është se ne mbajmë përgjegjësi për ato që themi e nëse në ndonjë rast s’do jemi aty ku duhet, s’do ta kemi të vështirë ta pranojmë.

Nuk do ketë taksa të reja dhe as rritje taksash në një vit ku kemi tërësisht nën kontroll të ardhurat dhe sot ato janë mbi planin qoftë në tatime, qoftë në dogana, në një vit ku ekonomia do të fillojë të performojë sidomos në pjesën e dytë të vitit!

Edhe reformën e pensioneve padyshim që do ta bëjmë; është e munguar prej 20 e kusur vjetësh. Ne nuk mund të bëjmë sikur mund të presë dhe t’ia lëmë pastaj në kurriz, të ardhmes. Do ta bëjmë reformën, por jo ashtu siç kujtoni dhe propagandoni ju e fatkeqësisht, edhe ashtu si mendoni ju, sepse e vetmja gjë që mendoni ju është se për reformë do të duhet të rrisësh moshën. Kjo nuk do të ndodhë. Edhe në pensionet, ne do të zbatojmë progresivitetin dhe ata që janë në pension nuk do ndiejnë asnjë lloj peshe, sepse atë do ta mbajnë ata që punojnë dhe duhet të përgatiten të dalin më vonë në pension." Fjala e Kryeministrit Rama në seancën e sotme‏

ORA 18:10 ADEMI - TOPALLI KUNDER BEQAJT: SPITALI I SHKODRES ESHTË KATASTROFË
Deputetet e PD-së Ademi dhe Topalli kanë ngritur zërin në Parlament në veçanti për situatën e rëndë, sipas tyre, në spitalin e Shkodrës, ku nuk ka absolutisht asgjë: as ilaçe, as doreza, as ushqim, asnjë lloj trajtimi, asnjë lloj kushti për të sëmurët. Me to debatoi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ademi: “Situata në spitalin rajonal të Shkodrës është katastrofike! Atje nuk ka asgjë! Pikërisht sot atje nuk ka pasur as drita, as ujë. S’e bëjmë për opozitë, por për njerëzillëk! Merrni masa”

Beqaj: "Ju. zonjë, nuk duhet të kishit lejuar që spitali të kishte 19 lidhje të paligjshme. Fole për ushqimin. Por atje ka një specifikë, se kuzhina është e rrethuar me shirit “Zonë krimi”. Ti ke qënë prefekte dhe mban përgjegjësi për atë kohë. E ka rrethuar Prokuroria, sepse është abuzuar me atë ndërtim dhe po hetohet, është Prokuroria që nuk lejon të ndërtohet në të kuzhina e re."

Topalli: “Z.Ministër! Spitali i Shkodrës nuk ka asnjë ilaç, as doreza! Mjekët e atij spitali janë heronj. Dhe a e dini cili është ushqimi i spitalit? Oriz me ujë se nuk ka vaj! Prej një muaji nuk ka as bukë! Dhe së fundi: sëmundjet e mushkrive, spitalin e tuberkulozit e kanë vendosur ngjitur me neurologjinë. Ju lutem, ta shikoni. Por të paktën bukë çoni në spitale.”

ORA 18:00 BERISHA: SKENARI GREK PO ZBATOHET TEK NE NGA "PAPANDREU SHQIPTAR"
Pas fjalës së deputetes socialiste Ermonela Felaj, e cila mbrojti marrëveshjen, replikoi ish-Kryeministri Berisha, lidhur me uljen e të ardhurave. Sipas tij, "kjo që po shihni është dëshmia më autentike e zbatimit të skenarit të Papandreut në Shqipëri e që po e zhvillon "Papandreu shqiptar". Ulja e të ardhurave ka vetëm një qëllim, Shqipërinë në reçension se ulja e të ardhurave është hapi i parë në zhytjen e skenarit të Papandreut."
Pas ndërhyrjes së N/Kryetarit të kuvendit, Vangjel Dules, Berisha iu tha deputetëve të majtë: "Ju këshilloj të mos përdorni emra, se ndryshe unë do rri këtu, do përgjigjem!"

ORA 17: 46 MIMA: POPULLI DUHET TA DIJE SE KREDIA ESHTE E MIRË, POR JO FALAS
"Qeveria ka frikë të thotë tërë të vërtetën; ka frikë të informojë publikun që do të paguajë për këtë kredi. Ekspertët vlerësojnë se kredia është e mirë, i bën nder portofolit të shqiptarëve, por ajo nuk është falas dhe populli duhet të paguajë 30 milionë euro komision në fund të periudhës. Kredia vlerësohet e mirë, por kjo është vetëm vitrina e dyqanit, sepse në depo janë detajet. Pra, djalli qëndron në depo! Një nga pyetjet që kam: Kush e ka shkruar këtë listë me taksa të reja dhe moshë pensioni që ndryshon në fund të dokumentit? Kam kurajon të them se FMN-ja as e di që Shqipëria ka taksë për makinat e vjetra, apo që Shqipëria ka dashur të taksojë fluksin e telefonatave në hyrje etj. Pra, këto janë shkruar e shtuar në marrëveshje nga shqiptarët, jo nga FMN-ja.  Dy masa ju “groposin” si forcë e majtë: rritja e çmimit të energjisë dhe e moshës së pensionit!

ORA 17:07 SARKAZËM NDËRMJET KASTRIOT ISLAMIT TË PD-së DHE BLERINA GJYLAMETIT TË PS-së
Pas fjalës së deputetit demokrat, ish-socialistit Kastriot Islami, që nisi me "Ne si opozitë...", deputetja e PS-së Blerina Gjylameti ironikisht bëri propozimin: "Të mbajmë një minutë heshtje pë vdekjen e së djathtës shqiptare!"
Islami: Nuk më takon të replikoj me një zonjë që vjen për herë të parë në parlament. Por në francë, ministrat në qeverinë e re janë mbi 50 vjeç; unë po replikoj në mënyrë asimetrike. Do t’i kërkoja zonjës që të mos lexonte mesazhet prej “gjyleje” të një Kryeministri që nuk reflekton (dhe sheh nga Kryeministri i sapoardhur në seancë).
Gjylameti: Nuk kuptova asnjë nga ato që tha, po do doja të dija se çfarë mikrobi humbi e majta dhe çfarë fitoi e djathta.
Islami: Unë vazhdoj të mos replikoj me një virus të infektuar nga një sëmundje e rëndë. Nuk je ti sëmundja, mikrobin e keni këtu (duke nënkuptuar Ramën).

ORA 16:56 ISLAMI: SI OPOZITE E DIME: MARRËVESHJA DO T’I BËJË SHQIPTARËT TË SHTRËNGOJNË RRIPIN
Sot ne si opozitë synojmë vetëm të bëjmë transparencën e një marrëveshjeje që qartësisht jo vetëm shtrëngon rripin e çdo familjejej shqiptare dhe individi, por edhe që reçensioni dhe kriza ekonomike nuk përjashtohen. Kjo marrëveshje, së pari, bie ndesh me shumicën e premtimeve populiste e të fryra të fushatës; e dyta, kushtet janë të disfavorshme për vendin. Lajmi i vetëm i mirë është se kjo Qeveri do të mbahet e monitoruar mirë nga FMN-ja, siç mbahen nxënësit ngelës në klasë. Lajmi i keq është se shqiptarët për tre vjet duhet të presin lajmë jo të mira për familjet e tyre si rritje taksash, çmimesh etj.

ORA 16:17 BEQAJ DEL ME ILAÇE NE FOLTORE: JA BARNAT QE PREMTUAM, PA TVSH
“Ne po lidhim një marrëveshje serioze me FMN-në, që e ka bazën tek programi ynë. Çfarë patëm thënë? Që do ta ulnim taksën për biznesin e vogël. Që nga janari ajo u përgjysmua. Në shëndetësi, 15 mijë infermiere që nga janari përfitojnë të ardhura 8.5% më të larta; edhe mjekët përfituan, një gjysëm page më shumë. Pra, më shumë se ajo rritja që premtuat ju. Thamë që do hiqnim TVSH-në e barnave. Ja pra, ka tre ditë që e hoqëm TVSH-në sepse negociuam me prodhuesit e mëdhenj (e duke treguar ilacet e tensionit në foltore, Beqaj bëri krahasimin) Ja, ky ilaç pas negociatave me prodhuesit e mëdhenj, kushton 4 herë më lirë.
Sa për shifrat, shikoni se sa e latë fondin e pensioneve dhe sa është sot; ndërkohë që nuk bëtë kurrë ndonjë reformë në pensione. Qëllimi juaj është të mbillni pasiguri tek biznesi, tek qytetarët, tek kërkesa konsumatore. Jemi angazhuar të lajmë borxhet, ato që ju i morët. Mirë që nuk paguat rrugët, po si është e mundur që nuk paguar faturat e dializës, që janë për jetë njerëzish?! Kjo marrëveshje na mundëson që ne të vazhdojmë rrugën për daljen e ekonomisë nga pika e vdekur ku ndodhet."

ORA 15:47 TOPALLI: KRYEMINISTRI BUM...BUM, OLIGARKET E FESTAVE FARAONIKE PO MENDOJNE PER PASURIM
“Sot është një seancë shumë e rëndësishme dhe me papërgjegjshmëri absolute, mungon Kryeministri dhe të paktën 15 ministra. Kjo marrëveshja u firmos në ilegalitet, siç e kanë për stil këto dhe po na e sjellin me procedurë të përshpejtuar. Kryeministri ka firmosur rritjen e çmimit të energjisë, të taksave të reja, rritjen e moshës së pensionit 67 vjeç. Këto janë e kundërta e asaj që premtoi në fushatën elektorale, kur i premtoi bum...bum. Kryeministri ka mbajtur vetëm premtimin e fundit, tritol dhe bum bum bum në çdo sektor. Pse kjo marrëveshje u krye në fshehtësi? Do të rriten të gjitha taksat, akciza e naftës, çmimet e shërbimeve, do të ngrijnë pagat e pensionet – pra, do të bëhet e kundërta e asaj që u premtua në fushatë. 100% e shqiptarëve do paguajnë më shumë taksa dhe do bëhet edhe më keq nga rritja e borxhit në këto 7 muaj. Vetëm në 7 muaj, 1.4 miliardë dollarë që duhet t’i paguajnë shqiptarët; kjo është papërgjegjshmëri!
Ndërkohë, festa superluksoze të krahasueshme me festa sheikësh; festuat me rreth 600 të ftuar politikanë, pronarë mediash dhe biznesmenë të ftuar. Të ftuarit thonë se festa e luksit me puro e palma të ngulura në rërë, ka kushtuar qindra mijëra dollarë, festa e ditëlindjes së Ilir Metës dhe bashkëpunimit Meta – Rama. Askush nuk e di sa kushtoi kjo festë e luksit faraonik, ku janë gjetur e deklaruar të ardhurat.
Ajo ishte vetëm arrogancë përballë varfërisë. Ajo ishte shfaqje e sundimit të oligarkëve; heqja e kreut të ILKD-së është një mënyrë për të fshehur të ardhurat për festat faraonike. Oligarkët nuk njohin interes publik, nuk njohin shtetin; nuk kanë dhembshuri për ata që jetojnë në mjerim por mendojnë vetëm për pasurim personal që nesër me para e forcë të blejnë përsëri pushtetin." 

15:25 HAXHINASTO: TË GJITHA SHËRBIMET DUHEN KTHYER NË NORMALITET, NDAJ DUHET KJO KREDIMARRJE
“Me anë të kësaj kredimarrjeje që po bëjmë, do të duhet të kthehen në normalitet shërbimet e transportit, sepse koncepti ynë nuk është për furgonat, por të atij niveli siç e kanë fqinjët tanë; e njëjta gjë edhe shërbimin e transportit ajror, që po kthehet në normalitet pas monopilit që ishte; po ashtu, normalitet duhet edhe në transportin detar e atë hekurudhor, që është thuajse totalisht i shkatërruar. Le të vazhdojmë pastaj tek shërbimet jetike të furnizimit me ujë, që duhet shumë punë për t’i kthyer në normalitet: 20% e shqiptarëve s’e kanë fare furnizimin me ujë, 40% kanë problem me cilësinë. Normaliteti duhet të kthehet edhe në vetë marrëdhëniet me biznesit, që kërkon korrektësi e ajo fillon nga siguria."

ORA 15:17 SPAHO QEVERIA PO IA HEDH POPULLIT, BARRËN E PROGRAMIT TË SAJ
“Nuk eshtë vetëm propaganda që po rrëzon besimin e konsumatorit dhe të biznesit, por edhe propaganda e Qeverisë. Nëse Ministri i Energjisë mbledh investitorët italianë për tu thënë që energjinë do t’ua blejë me çmim të ulët, ata do mendojnë të ikin e jo të ikin. Marrëveshja e sotme do të ketë tre efekte të mëdha në jetën e vendit. Si pjesë e saj, qeveria ka premtuar se do bëjë investime dhe do të bllokojë për tre vjetët e ardhshëm të pagave dhe pensioneve; e para herë që ndodh kjo. Nga ana tjetër, Qeveria premton të heqë fashën prej 300 kW/h për qytetarët, por kjo është e rëndë, se pjesa më e madhe e pagesave vijnë nga kjo fashë. Qeveria në vend të rrisë nivelin e arkëtimeve, rrit çmimin. Të njëjtën zgjidhje Qeveria po afron edhe skemën e sigurimeve shoqërore, pasi qeveria do të rrisë masën e kontributeve dhe moshën e rritjes në pension. Qeveria ka zgjedhur që gjithë barrën e programit të saj t’ia kalojë qytetarëve nëpërmjet bllokimit të rritjes së pagave dhe pensioneve, rritjes së çmimit të energjisë, të masës së kontributeve etj."

ORA 15:10 HYSI: DO TE RIKUPEROJME DEMIN QE BERI QEVERISJA E KALUAR
“Përfitues i kësaj huaje nuk është vetëm biznesi që lëngon, por edhe ne qytetarët e tjerë që presim shumë nga biznesi. Rritja e investimeve private në ekonomi është synim kryesor dhe rritja e ekonomisë nuk do të thotë vetëm pasurim të një klase, por rritje e shërbimeve për njërëzit. Unë do ta votoj sot këtë projektligj që i jep të drejtë qeverisë të marrë këtë hua dhe të zvogëlojë dëmet që ka shkaktuar korrupsioni i qeverisjes së kaluar. Le ta votojmë këtë projektligj që të minimizojmë dëmet që shkaktoi qeverisja e kaluar. "

ORA 14:26 BERISHA: KRYEHORRI PËRDORI FJALOR ORDINER PËR TË FSHEHUR FERRIN E MARRËVESHJES
Seanca parlamentare e dy javëve më parë e cila shënoi dhe shkelje të etikës në Kuvend në fjalët e mbajtura nga deputetët, vecanërisht ish kryeministri Berisha dhe kreu aktual i qeverisë Edi Rama, është sjellë sërish në vëmendje nga deputeti demokrat. Berisha është shprehur sërsish me tone të ashpra dhe fyese ndaj Ramës duke e cilësuar “kryehorr”. Sipas tij, fjalori i përdorur nga kryeministri në atë seancë është bërë për të mbuluar të fshehtat e marrëveshjes me FMN e cila sot vjen për diskutim në Parlament.

“Nuk dola t’i përgjigjem zotërisë por më erdhi ndërmend njëshprehje, sepse dy qyqarë dhe një gomar vodhën një thesar. Bosi i tij përdori të gjithë fjalorin e paimagjinueshëm për një zyrtar, vetëm i ndikuar nga kjo marrëveshje. Për pozicionin që ka i takon të jetë një kryehorr, kurse ky është një horr i vogël (duke iu drejtuar Canit) krahasuar me të. Duhet të kesh zbrastinë morale të tyre që të përpiqesh të fshehësh me sharje ordineri kushtet e rënda, rezultat toal i mosbesimit të fondit për realizimit tuaj.  Këtë rrukullisje do ta kompesoni me rritjen e 12 taksave, kujtoni se do tallni shqiptarët, ky është cinizmi më ekstrem, për cdo biletë udhëtimi, që rrisni me 50 % taksën për makinat e përdorura, do i zgjasni pensionin në 67 vite. Këtë marrëveshje e keni ferr dhe tmerr sepse kjo përbën rëndimin më të madh në 23 vite mbi qytetarët shqiptarë, dhe është marrëveshje e mosbesimit total ndaj jush nga gërma e parë në gërmën e fundit”. tha Berisha. 

ORA 13:51 CANI: MARRËVESHJA ME FMN MË E MIRA, KEMI NISE LARJEN E BORXHEVE
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka sqaruar disa pika në lidhje me huanë që Shqipëria po merr nga FMN. Në fjalën e tij, para se të parashtronte marrëveshjen për deputetët, Cani tha se, nuk do rriten taksat, nuk do ulen pensionet, janë larë borxhet etj.
 
1: Nuk ka marrëveshje për këtë hua dhe kërkojmë miratimin e Kuvendit për është në dorën tuaj të çomi nëse doni apo nuk doni ti njiheni instrumentet e rinj që dita ditës dolin në skelën dhe është detyrim ynë ti njohim dhe ti përdorim.
 
2: Nuk ka fshehtësi, nuk ka terr, ju kemi dhënë dokumentet, atë që këkton huaja për t’ju lënë të qetë në mendimin tuaj. Kërkesa jonë është të mos u mundoni të spekuloni dhe terrorizoni shiqptarët.
 
3: Nuk do të rriten taskat, nuk do të ulen pagat, nuk do të ulen pensionet, ne të kundërtën në 1 janar 2014 indirekt dhe direkt secili shqiptar, kanë futur në shtëpinë e tyre shtesën në pagën e tyre,
 
4: Kushtet e huasë nuk janë më të mirat, janë shumë herë më të mira, janë 7 herë më të mira nga kushtet e huaja që jua keni marrë.
 
5: Borxhet juaj të fshira kriminalisht do të paguhet nga kjo hua. Janë pagur deti tani 120 milionë dollarë.
 
6: Do të merret me këtë hua në 36 muaj, 295 milon SDR, para të FMN-së, apo afërsisht 330 milionë euro. Por kjo paket shoqërohet me një tjetër paket nga BB si dhe me një grant nga BE, së bashku në 3 vitet bëhet fjalë për 1 miliardë euro. Por ekonomia nuk do ta bazohet vetëm tek huaja, sic bëhet ju, ne do të rrisin ekonominë e vendit.
 
7: Ne kemi realizuar në 6 muaj të ardhura në 150 milionë dollarë më shumë se çkeni realizuar ju në kohën përkatëse. Nëse kjo ju duket mosrealizim është në gjykimin tuaj.

Ministri Cani i cilësoi deklaratat e deritanishme e  opozitës thjeshtë “spekulime për të terrorizuar qytetarët shqiptarë”. Sipas Canit, termat e kësaj huaje janë shumë më të mira dhe të favorshme se çdo hua e marrë deri tani dhe “do të shkojë për shpagim të borxhit të brendshëm mundësisht pa u mbyllur viti”.  “Kushti i vetëm nga FMN-ja është që qeveria të jetë serioze në punën e saj. Asnjë kusht siç shpifni, siç mashtroni, nuk keni lënë vend kohë e hapësirë për të spekuluar dhe terrorizuar qytetarët shqiptarë. Kjo është një hua në kushte të favorshme për të paguar një borxh të fshehur në mënyrë kriminale nga ju”, tha ministri i Financave.

Qëllimi i kësaj huaje sipas Canit , “nuk është fare pjesw e negociatave rritja e taksave dhe ulja e pagave por rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve në favor të popullit shqiptar”. Sipas ministrit, qeveria e kaluar “ka fshehur në mënurë kriminale 720 milionë dollarë të certifikuar nga FMN dhe Banka Botërore. Ne guxojmë të nxjerrim në shesh ato borxhe që ju e fshehët dhe ne do ta paguajmë. 

Duke folur në seancë Cani tha se, “ju nuk besoj se jeni mësuar që të mbushni dokumente për kredi në ndonjë bankë, pasi keni vila, apartamente luksoze. Ju e groposët dy herë Shqipërinë, për energjinë dhe borxhet. Në historinë e financave shqiptare keni thyer rekord, pasi keni lënë borxh thesarin dhe keni lënë borxhe për muaj”.
 
“Na akuzoni se po marrim hua. Pse po e marrim borxhin? Duhej të zhyteshit, por tani skeni ku të zhyteni pasi më parë kishit kompjuterat dhe fshihnit kokën dhe bëri gabim ai që i hoqi. E theksoj, kjo hua nuk ka kushte. Ju vazhdoni të trumbetoni me gënjeshtrat tuaja. Jo që nuk keni realizuar të ardhurat. Ne kemi realizuar 150 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë në kohën tuaj”, theksoi Cani.
 
“E terrorizuat popullin se, do ulen pagat, pensionet, por ja që FMN pati besim dhe na e dha huanë. Berisha dhe Bode ne kemi një dallim bashkë. Nuk gënjej dhe nuk fsheh realitetin. I dërrmuat financat shqiptare. Latë një thesar borxh me 100 milionë euro, keni lënë një borxh të fshehur prej  720 milionë dollarësh, shitët çfarë mundët”, deklaroi ministri i Financave.
 
Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se, kreu i financave të qeverisë Berisha e ka lënë Shqipëri dy herë tokë të djegur. “Ministri i Financave ka lënë dy vendin tokë të djegur. Binomi dy B është binomi i krizës. Si në 1997, edhe tani rritja ekonomike është 10 herë më pak. Kemi hapur një dialog me biznesin dhe kemi ndryshuar klimën me të. Nga një biznes që në praninë tuaj nuk guxonte të thoshte se kishte borxh, sot artikulon fuqishëm kërkesa për qeverinë shqiptare”, deklaroi Cani.
 
“Së shpejti do të kakarisni kështu pasi së shpejti në këtë vend, maksimumi muaji maj, vjen një tjetër huamarrje nga BB, që ju bën që të humbni mendjen. FMN, BB, BE, na beson dhe na ka dhënë mbështetjen, pasi jemi një qeveri serioze dhe inovative e çdo ditë shtohet besimi në publik”, theksoi ai.
 
“Ju nuk e besoni dhe i thoni njëri-tjetrit se, si është e mundur që kjo qeveri të arrijë këto marrëveshje. Si fjalë të fundit unë ju them: Drejtësia vonon pak por nuk harron, prandaj secilit do ja japë vendin që meriton se dhe këtë detyrë kemi ne”, përfundoi fjalën e tij, ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

ORA 13:45 BREGU: MOS U BËNI QESHARAKË DUKE LOZUR ME TERMINOLOGJINË
“Ju e keni emërtuar një huamarrje që do të thotë se, qeveria merr borxh në një institucion ndërkombëtar. Në mërrëveshjen tuaj, thuhet që qeveria shqiptare merr një marrëveshje me FMN që do ja kthejë. Ky është një projektligj për marrëveshjet ndërkombëtare dhe kjo ratifikohet me ligj. Edhe ju lejeni këtë lojë fjalësh që të mos bëheni qesharak duke thënë është apo nuk është marrëveshje”, theksoi deputetja e PD-së, Majlinda Bregu.
 
ORA 13:40 POLLO: KËRKOJMË KOHËN SIPAS LIGJIT, 20 MINUTA ÇDO DEPUTETI
“Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në konferencën e Kryetarëve tha se, amendimet e opozitës nuk ishim me vend, pasi kemi të bëjmë me një marrëveshje. Por ne nuk na shkoi mendja se, një nen që është në fuqi prej 23 vitesh do cënohej në këtë sallë. Ne nuk kërkojmë që të bëjmë dy javë debat, por të respektohet ai nen që i jep çdo deputeti 20 minuta kohë”, tha deputeti i PD-së. Genc Pollo.
 
ORA 13:35 MEDIU: KOHA SE SA FLET NJË DEPUTET ËSHTË E PËRCAKTUAR
“Parlamenti është kthyer në një shtojcë të qeverisë. Gjithë ky debat është i pavlefshëm. Se sa flet një deputet, varet nga deputeti dhe kjo gjë është e përcaktuar në rregullore”, deklaroi kreu i PR-së, Fatmir Mediu.

ORA 13:35 HALIMI: NA KENI THËNË SE ËSHTË MARRËVESHJE, JO DISKUTIM NË PARIM SI ARMËT KIMIKE
 Pas marrjes së 10 minutave pushim për shkak të debateve mes deputetit Halimi dhe nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule, seanca ka rinisur sërish me fjalën e Eduard Halimit. Ai ka sqaruar se marrëveshja me FMN është ndërkombëtare dhe sipas Kushtetutës, në këtë rast çdo deputeti i takon të flasë 20 minuta. Vetëm nëse nuk e vlerësoni marrëveshje, tha Halimi, por thjesht se e kni diskutuar në parim siç bëtë me armët kimike, atëherë na thoni- përfundoi ai.
 
“Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që drejtuesi i grupit parlamentar të opozitës të ketë kërkuar fjalën dhe t’i merret. Ne sot po diskutojmë marrjen e huasë së qeverisë shqiptare. Kushtetuta, neni 121, thotë se qeveria mund të marrë përsipër detyrimet financiare vetëm me ligj, me marrëveshje, nuk mund të ngrihet një ministër dhe të marrë ca hua pa ligj. Kjo marrëveshje duhet të vijë në parlament, se po nuk erdhi në parlament nuk hyn në fuqi.  Ne kemi marrëveshje ndërkombëtare dhe hyjmë te neni 48, dhe koha që duhet të diskutojë çdo deputet është 20 minuta. Nëqoftëse do ktheheni dhe do thoni nuk kemi bërë marrëveshje dhe e kemi diskutuar në parim siç bëtë me armët kimike, na thoni.
 
“Nëqoftëse ju keni marrë përpër që do hipni në atë karrige për të shkelur Kushtetutën dhe rregulloren (i drejtohet nenkryetarit te Kuvendit, Vangjel Dule) bëjeni të qartë. Opozita e ka të drejtën e fjalës 20 minuta.  Nëqoftëse jeni të mërzitur se opozita do të flasë gjatë, këtë hall opozita nuk jua zgjidh dot”, tha gjatë fjalës së tij deputeti, Eduard Halimi.

ORA 13:00 DEBATE TOPALLI-DULE PËR DREJTIMIN E KUVENDIT
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e nisi reagimin në seancën duke i dhënë ‘mësime’ kryesuesit të Kuvendit, Vangjel Dule.
 
Topalli tentoi të marrë disa herë fjalën, duke arsyetuar se në bazë të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare deputetët kanë të drejtë të marrin fjalën më shumë se zakonisht.
 
“Unë e marr fjalën në zbatim të rregullores duke u bazuar në një eksperience 20-vjeçare. Kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare, në bazë të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, kemi të drejtë të flasim më shumë. Kryesuesi i Kuvendi duhet t’i respektoj ata që janë zgjedhur nga populli. E vetmja gjë që e keni për detyrë të bëni zoti kryesues i Kuvendit është ta lexoni rregulloren dhe Kushtetutën”, tha Topalli drejtuar Vangjal Dules, kryesuesi i seancës së sotme plenare.


  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi