Humbi 6 palë zgjedhje radhazi, nis rebelimi në PD për largimin e Lulzim Bashës, emrat e parë që i kërkojnë dorëheqjen, Berisha asnjë sinjal nëse do ta lëshojë 

Humbi 6 palë zgjedhje radhazi, nis rebelimi në PD për largimin e Lulzim Bashës, emrat e parë që i kërkojnë dorëheqjen, Berisha asnjë sinjal nëse do ta lëshojë 

Ish- kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Lulzim Basha

Një humbës serial që nuk mëson nga gabimet. Në drejtimin e Lulzim Bashës, Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet lokale të 2015, dy palë zgjedhje të pjesshme lokale në Korçë dhe Dibër, zgjedhjet parlamentare të 2017, dorëzoi në tavolinë të gjitha bashkitë dhe braktisi zgjedhjet lokale të 2019, ndërsa sapo ka humbur zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, duke vulosur qëndrimin në opozitë të PD-së, të paktën deri në vitin 2025. Teksa me numërimin e kutive të fundit, humbja sa vjen e bëhet edhe më e qartë, nga Partinë Demokratike vijnë sinjalet e para të një ‘rebelimi’, për largimin e Lulzim Bashës, i cili mban edhe peshën kryesore të disfatës. 

Sali Berisha perceptohet si faktori përcaktues për fatin e Lulzim Bashës, nëse do të largohet nga drejtimi i PD-së apo do të qëndrojë, për të provuar edhe një herë në 2025, për të sjellë në pushtet opozitën. Në një kohë kur Berisha nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për fatin politik të Bashës, ish-anëtarja e Kryesisë së PD-së, Endira Bushati shkruan se vendi është pa opozitë. 
 “S’ka kohë për dëshpërim, vajtim e justifikim... Vendi është pa opozitë! Koha për Opozitë Pazari mbaroi! Është koha për opozitë morali!”, shkruan zonja Bushati. 

Ish-zëdhënësja e Sali Berishës, Erla Mëhilli, duke reaguar pas humbjes, ka kërkuar hapur dorëheqjen e Lulzim Bashës. “Berisha ka lënë standardin e tij në PD. Berisha dha dorëheqjen, minimumi duhet të respektojë standardin e z. Berisha. Besoj që duhet të ketë një ribashkim. Duhet të ndryshojë disa gjëra dhe PD nuk është pronë e askujt që të përdoret për interesa personale“, shkruan Erla Mëhilli. Për humbjen e Partisë Demokratike ka reaguar edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, duke i dhënë një mesazh Bashës. “Nuk kish si ndodhte ndryshe dhe nuk ndodhi nga budallallëku, por nga ligësia”, shkruan Ristani. 

Ndërkaq, ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, shkruan se Basha ka pritur që fitorja t’i bjerë në prehër, me shpresën e konsumimit të kundërshtarit. “Për të gjithë ata, që habiten se si PS mundi të marrë mandatin e tretë dhe fajësojnë shqiptarët për këtë, është mirë të themi dhe të pranojmë dy të vërteta të thjeshta: 1. Në botë nuk ekziston asnjë strategji politike që pret fitoren t’i bjerë në prehër, me arsyetimin se kundërshtari po konsumon shumë mandate. Siç thoshte Majkëll Xhordan: "po punove fort ia del, s’ka rrugë të shkurtër në jete". Majkëll Xhordan ishte lider, Ai fitonte, nuk priste që koshat t'ia bënte kundërshtari. 2. Strategjinë e gabuar politike PD e zgjodhi kur kishte përballe një kryeministër që treshin politik e kishte për zemër. Edi Rama e mbajti lehtësisht Bashkinë e Tiranës për tre mandate (mezi ia hoqi Arben Ristani). Se përse do ta trembë treshi kryeministror, vetëm "këshilltarët mizerabël" të Lulit mund ta dinë!?”, shkruan Hoxha. 

Edhe anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ka bërë përgjegjës kryedemokratin Lulzim Basha për humbjen e PD-së në zgjedhje, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e tij si kryetar i kësaj partie. Me një postim në Facebook, Kadilli thotë se Basha është një figurë që ka shteruar, ndërsa ka shpallur edhe kandidaturën e tij për të garuar për të garuar për postin e kreut të PD-së. "Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak herë edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shteruar. Me anë të këtij akti, ai jo vetëm njeh përgjegjësitë për rezultatin, por edhe respekton një standard të vendosur në Partinë Demokratike nga paraardhësi dhe themeluesi i kësaj force, Sali Berisha", shkruan ai.

Nga ana tjetër anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha po ashtu ka kërkuar dorëheqjen e kreut të PD-së Lulzim Basha, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë televizive, Hoxha thotë se duhet të  përgatitet një komision për ta çuar në zgjedhje dhe për zgjedhur lidershpin e ri të PD-së: 'Duhet të mblidhen strukturat e PD-së, madje si anëtar i Këshillit Kombëtar bëj thirrje edhe zotit Nishani për të thërritur Këshillin Kombëtar. PD duhet të kalojë në një analizë të thellë qoftë për blerjen e votës qoftë edhe për humbjen e PD-së. Duhet të përgatitet një komision për ta çuar në zgjedhje dhe për zgjedhur lidershpin e ri të PD-së. Duhet të vendosim një standard në demokraci këtë standard e ka vendosur Sali Berisha në 2013. Unë mendoj se çdo njeri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij dhe të jepet dorëheqja.'- tha Hoxha.

Ndërkaq, në rrjetet sociale, mijëra demokratë, të zhgënjyer nga humbja, kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike. Por, nga ana tjetër, rrethi i ngushtë pranë Bashës, analistë dhe gazetarë kërkojnë që PD-ja të mos njohë zgjedhje, si një manovër kjo që Basha të mos japë dorëheqjen. Nga ana tjetër, orët e fundit, ku humbja e PD duket përfundimtare, Sali Berisha është fokusuar tek çështje të tjera, të cilat nuk kanë lidhje me zgjedhjes. Berisha po sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:05
Ironia e Kullurit: Basha e realizoi objektivin, i dha mandatin e tretë Ramës! Pse duhet të ikë?

Edvin Kulluri, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, me nota ironike ka shprehur se Lulzim Basha nuk ka nevojë që të largohet nga drejtimi i PD-së pasi i ka arritur objektivat e tij. E kur flet për objektivat, ai thotë se i dha mandatin e tretë Ramës.

“Pse duhet të ikë Basha? I ka plotësuar gjithë objektivat! Ramës i dha mandatin e 3-të, paratë i merr nga oligarkët rregullisht, ca demokratë që me shumë duan kryetarin se veten i mban të lumtur, ne te tjerët qeshim dhe qajmë njëkohësisht”, shkruan Kulluri.

Nga ana tjetër, ish-ministri i PD-së, Genc Pollo e ka quajtur një ditë të trishtë për të gjithë demokratët.

“Sot është një ditë zhgënjyese dhe e trishtuar për shumë e shumë shqiptarë; por sot është ditë e hidhur për demokratët. Arsyet pse ndodhi kështu janë të shumta dhe përgjithësisht të njohura.  Sot duhen falenderuar kandidatët e aktivistët tanë për fushatën cilësore e duhet shprehur mirënjohja për votuesit tanë besnikë e të shumtë. Por tashti është edhe momenti i përgjegjësisë, qartësisë dhe i urtësisë. Roli i mëtejshëm i Partisë Demokratike është kyç për demokracinë e ligjshmërinë si dhe për perspektivën europiane të vendit. Ashtu si dhe nevoja për të filluar konceptimin e një projekti të ri besimi e shprese”, shkruan ai.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë