Report Tv ka siguruar foton e Bleona Çobajt, e cila dje humbi jetën së bashku në Shkodër me 2 fëmijët e saj të mitur për shkak të shpërthimit të një bombole gazi.

Tragjedia e rëndë ndodhi në fshatin Domen të Shkodrës, ku 24-vjeçarja dhe dy fëmijët e saj, të moshës 18 muajsh dhe 3 vjeç, Amar dhe Anuar Çelaj, humbën jetën pranë një shtëpie të vjetër në pronësi të familjes, e braktisur prej 20 vitesh.

Ngjarja ndodhi në lagjen Plisht të fshatit Domen, në njësinë administrative Postribë.  Sipas burimeve të Report TV, familja  kishte ardhur më 15 korrik nga Gjermania për pushime dhe ishte strehuar në shtëpinë e tyre në Golem të Shkodrës dhe dy ditë më parë kishte nisur pastrimin e banesës në Domen. Edhe ditën e sotme ata kishin shkuar sërish atje por babai i 24-vjeçares dhe bashkëshorti i viktimës, Besmir Çelaj 35 vjeç janë larguar drejt qendrës së fshatit për të blerë diçka në market, ndërsa Bleona Çobaj ka mbetur në banesë me dy fëmijët.

Si ndodhi ngjarja?

Dyshimet paraprake të grupit hetimor janë se pikërisht në këtë moment ka ndodhur tragjedia. Gruaja ka ndezur bombolën 5 litroshe të gazit e cila ka shpërthyer menjëherë duke i marrë jetën asaj dhe fëmijëve.  Si pasojë e presionit të lartë ka rënë edhe çatia e banesës duke i zënë nën të.

Një qytetar ka parë zjarrin nga një distancë e largët dhe ka telefonuar zjarrfikësit. Telefonata ka vënë në lëvizje edhe efektivët e Policisë.

Problemi qëndronte në faktin se terreni ishte i vështirë dhe sipas burimeve shtëpia nuk mund të arrihet me makinë për shkak të mungesës së rrugës. 2 makina zjarrfikëse kanë shkuar deri në fund të rrugës dhe më pas zjarrfikësit kanë ecur në këmbë për 30-40 minuta për të mbërritur në vendngjarje, aty ku kanë zbuluar  një e nga një trupat e pajetë të bërë shkrumb nga flakët. Ata kanë gjetur të parën trupin e 24 vjeçares dhe më pas të dy fëmijëve të saj të vegjël, një pamje që sipas burimeve ka qenë tronditëse.