Sot do të mbahen homazhet për Enea Mekollin, efektivit 34-vjeçar që humbi jetën gjatë një operacioni në Lozhan të Maliqit, një ditë më parë.
Homazhet do të mbahen në orën 12:00 në Pogradec dhe do të prehet në varrezat e vendlindjes.
Protokolli parashikon që Dëshmorët e Atdheut të prehen në varrezat në Tiranë, por ishte dëshira e familjes që për djalin e tyre të veprohej kështu. Efektivi kishte ndjekur rrugën e vëllait për të veshur uniformën e policisë, i cili gjithashtu kishte humbur jetën për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Me humbjen e vështirë të dy djemve, familjarët kanë kërkuar që ata të varrosen pranë njëri-tjetrit.
Përcjellja e Enea Mekollit për në banesën e fundit do të bëhet në orën 14:00.
Një ditë më parë, pranë familjes së të ndjerit, u gjendën për të shprehur ngushëllimet Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Në operacionin që rezultoi i fundit për Mekollin, gjashtë efektivë të Shqiponjave u nisën me një furgon për të arrestuar të shumëkërkuarin Violand Braçellari, por ky i fundit hapi zjarr duke lënë të vdekur me një plumb në kohë efektivin Enea Mekolli dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri, me dy plumba në kokë e qafë.
Edhe Braçellari mbeti i plagosur në dorë e bark, por jashtë rrezikut për jetën.
Komente










