Ndarja nga jeta e Ildës ka sjellë trishtim të madh në familjen e Inis dhe Ingrit Gjonit. Lajmi i humbjes së saj u bë i ditur nga familjarët në mbrëmjen e Krishtlindjeve.
Këngëtarja Ingrit Gjoni ka ndarë një postim në rrjetet sociale, një dedikim prekës për motrën e saj të ndjerë. Përveç fjalëve për të si motër, Ingriti e vlerëson si vajzë, grua, nënë, teze dhe shoqe. Ajo shpreh lutje për motrën e saj dhe i premton se do të kujdeset gjithnjë për tre fëmijët që ka lënë pas.
‘Ky është publikimi më i vështirë që kam bërë në jetën time… Nuk e kisha menduar kurrë që do të shkruaja për ikjen e motrës sime, më të mirës prej nesh.
Ilda Gjoni, nuk ishte veç motra jonë e mrekullueshme, ajo ishte vajza shembullore, nëna më e përkushtuar e Anës, Vikit dhe Rodeos, bashkëshortja e lumtur e Mikenit, shoqja që kushdo do të donte, mikesha që e kishte zemrën hapur për të gjithë. Ishte buza e qeshur, për të njohur dhe të panjohur.
Ajo ishte tezja më fantastike, që u bë mami e dytë e Paridit. Unë nuk do mundem kurrë të shkruaj as 1% të asaj që meritonte Ilda. Besoj shumë që Zoti do ta shpërblejë me parajsë për çdo gëzim që solli mes nesh në tokë. Engjëjt dhe qielli janë shtëpia e saj sot dhe unë lutem për paqen e saj. Ilda, motra të do shumë gjithmonë dhe të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu’, përfundon Ingriti.