Boiken Abazi, kandidat i pavarur nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë në një shkrim në mediat sociale se nëse vendoset drejtësi për krimin e elektoral ekziston mundësia që ta fitojnë mandatin në Tiranë. Abazi shkruan më tej se arsyeja se pse shumica e votave të tij janë shpallur të pavlefshme është sepse kanë vendosur një “X” të dytë në fletën e votimit. Më tej Abazi thekson se do të kërkojnë hetim të plotë dhe rinumërim në të gjithë Qarkun e Tiranës për të gjitha qendrat e votimit.

'Të vendoset drejtësi për krimin elektoral! Nuk është largmendsh ta kemi fituar mandatin në Tiranë. Rezultatet paraprake tregojnë se kemi marrë vota në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës, në qytet e në fshat, nga Shën Gjergji në Rrogozhinë, nga Vora në Kavajë, nga Kamza në lagjet e qendrës së Tiranës. Kjo është edhe arsyeja pse shumica e votave tona janë shpallur të pavlefshme duke vendosur një “X” të dytë në fletën e votimit, ose duke ia kaluar subjekteve të tjera politike (kryesisht te PS). Për këtë krim elektoral tashmë kemi grumbulluar mjaftueshëm prova nga vëzhguesit tanë. Deri tani janë shpallur mbi 81.000 vota të pavlefshme në rang Republike dhe mbi 17.000 vota të pavlefshme vetëm në Tiranë. Pas vjedhjes industriale që na kanë bërë, i kemi tashmë rreth 3.000 vota në Qarkun Tiranë sipas rezultateve paraprake të KQZ-së. Ne do të kërkojmë hetim të plotë dhe rinumërim në të gjithë Qarkun e Tiranës për të gjitha qendrat e votimit! Drejtësia duhet të veprojë ndaj atyre që kanë vjedhur vullnetin e qytetarëve. Ekipi ynë ligjor ka dalë në përfundimin se ekziston realisht mundësia ta kemi fituar mandatin në Tiranë.'- shkruan Abazi.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga KQZ, Boiken Abazi ka fituar 2692 vota ose 0.77%, duke bërë në këtë mënyrë që mos ta fitojë mandatin e deputetit.