PARIS- Autoritetet kosovare priten të njihen sot me ekspertizën mjeko ligjore që përcakton dhe shkaqet e vdekjes së poetit të njohur kosovar Ali Podrimja. Në një intervistë telefonike për TvA1 Report ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj tha se ekspertet mjeko ligjore francezë pritet të nxjerrin sot shkaqet që sollën vdekjen e poetit të njohur në moshën 70 vjecare.

Ali Podrimja u gjet i vdekur ditën e shtunë, (21 korrik) 4 km larg qytetit Lodevë të Frances ku po zhvillohej festivali poetik Zërat e Mesdheut”. Trupi i tij pritet të mbërrijë shumë shpejt në Kosovë.

Autor i shumë librave me poezi, ai çmohej si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Përveç poezisë, ai njihej edhe për shkrimin e eseve dhe tregimeve që e kishin bërë fitues të shumë shpërblimeve.
(sg/shqiptarja.com)