Mungesa e një reflektimi nga lidershipi blu, pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 11 majit, e më tej edhe mos hyrë me kandidatë të vet në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit po nxit një tjetër rebelim në radhët e demokratëve.

Një grup figurash të rëndësishme të PD, që morën numrin më të lartë të votave qoftë në primaret në prag të zgjedhjeve të 11 majit, por edhe në listat e hapura të garës së pranverës janë bërë bashkë për të diskutuar mbi fatin dhe aksionin e Partisë Demokratike, në kushtet e humbjeve të njëpasnjëshme.

Report Tv ka mësuar se pjesë e këtij takimi kanë qenë Ilir Alimehmeti, Hysen Kadiu, i pari i primareve si dhe Aulon Kalaja, Qani Xhafaj apo Tedi Kopliku.

Mes tyre, edhe Ervin Salianji, i cili i ka pasur jo të pakta edhe kritikat publike në drejtim të lidershipit blu, duke thënë se PD ka humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar e për të bërë betejë, e duke kërkuar reflektim të thellë përmes një analize.

Por kreu i PD Sali Berisha e ka të parapërgatitur përgjigjen. Duke pranuar pakënaqësitë në rritje, ai tha sot se analiza e brendshme është vonuar pasi po priste raportin i ODIHR-it për zgjedhjet.

“Ka filluar debati në bazë, janë krijuar grupet e punës, është formuluar udhëzuesi dhe mbi bazën e tij në të gjithë PD-në do të bëhet një diskutim me synimin më kryesor të një forcimi të kësaj partie për betejën vendimtare kundër narkoregjimit tani. I garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit",- tha Berisha.

Por, revolta e demokratëve nuk kufizohet vetëm te ata që u votuan por nuk morën dot një vend në parlament.

Mbrëmjen e së mërkurës u përhap me shpejtësi një video ku anëtarët e PD përplaseshin me Flamur Nokën.