Në konferencën e sotme për mediat, Sali Berisha u pyet edhe për analizën brenda PD-së ër humbjen e thellë që pësoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PD-së, më herët, ka argumentuar se vonesa e analizës ka ardhur për shkak se kanë pritur që të dalë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.
Por ndërsa ka kaluar një muaj që nga publikimi i këtij raporti, Berishës iu adresua e njëjta pyetje. Ai u justifikua me angazhimet që ka pasur, duke përmendur vizitën e tij në Brazil. Berisha pretendoi se me denoncimet që kanë bërë kanë arritur që të faktojnë farsën elektorale të 11 majit.
Më tej, ai tha se "I garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit."
"Absolutisht është deklaruar haptas në mënyrë transparente, se vonesa e analizës, e diskutimit në parti për farsën elektorale dhe grabitjen e zgjedhjeve, ka pasur vetëm një shkak madhor, dhe ky shkak ka qenë pritja e publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Pra ka qenë, njëkohësisht përpjekja jonë e jashtëzakonshme që Edi Rama të ndikonte dot në ndryshimin e raportit paraprak fillestar, siç u angazhua ai me të gjithë potencialin e qeverisë dhe propagandës së tij. Ka qenë paraqitja para publikut shqiptar dhe ju jeni dëshmitar, që nga data 15 maj dhe pas, çdo ditë të fakteve dhe dokumenteve të pakundërshtueshme të cilat rrëzonin, ose faktonin për çdo shqiptar dhe botën, farsën elektorale të 11 majit.
A ia dolëm ne këtu? Ne ja dolëm plotësisht. Tani, Sali Berisha ka deklaruar me dhjetëra e dhjetëra herë para shqiptarëve, dy gjëra. Së pari, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Së dyti, unë do të mbroj votën. Kam deklaruar do të mbroj votën. PD do të mbrojë votën dhe PD e mbrojti votën. Nuk mbrohet vota me kallashnikov, vota u damkos si farsë. U rreshtuan në komunitetin ndërkombëtar një e nga një, të gjithë ata faktorë antikushtetues, antidemokratik, të gjitha ato ndërhyrje që shkelën në mënyrë flagrante dokumentet ndërkombëtare, për zgjedhjet e lira, parimin e zgjedhjeve të lira. Përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës për të grabitur zgjedhjet.
Unë besoj se kjo është e një rëndësie jetike, sepse një opozitë mund të pretendojë shumë gjëra, por ajo nuk mund të pretendojë të shpallë farsë zgjedhjet normale. Nuk mund të pretendojë të vejë në diskutim legjitimitetin e dalë nga zgjedhjet e drejta dhe të lira. Dhe ndaj përqendrimi ynë total, dhe e them këtu plotësisht i suksesshëm. Ne ja dolëm me qindra e mijëra dokumente, duke paraqitur para zyrave përkatëse të faktojmë se kjo ishte një farsë. Dhe ky proces siç e dini ju u zgjat jashtë mase dhe raporti doli nga fundi i muajit tetor.
Së dyti, sapo u ktheva nga Sao Paolo, punimet e asamblesë së përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës, në të cilën zgjedhjet në Shqipëri u damkosën siç janë. Terrori dhe dhuna politike ndaj pluralizmit mori ndëshkimin që meritoi. Narkoshteti shqiptar u shpall një rrezik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe Europën. Pra ishin këto angazhime. Por unë garantoj dhe ka filluar debati në bazë, janë krijuar grupet e punës, është formuluar udhëzuesi dhe mbi bazën e tij në të gjithë PD-në do të bëhet një diskutim me synimin më kryesor të një forcimi të kësaj partie për betejën vendimtare kundër narkoregjimit tani.
Kështu që jam plotësisht i vetëdijshëm se demokratët e presin këtë, por tek demokratët shkohet tani me ato që thashë. Zgjedhjet, për fat të mirë u arritur të mos ndryshohet raporti, për të mos thënë tjetrën që qeveria e SHBA-së jo që nuk i dërgoi urim, por nëpërmjet zëdhënësit tha se, ato nuk ishin zgjedhje të lira. Dhe kjo kishte vlerën e vet të veçantë, të madhe. Kjo është përgjigja dhe i garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit.", tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Berisha: Vendimi për pezullimin e Ballukut, i ligjshëm! Duan t'i bëjnë presion gjykatës me ankimin në Kushtetuese












