Humbja e PD, Oerd Bylykbashi:
Reflektim, shumë shpejt analiza

Humbja e PD, Oerd Bylykbashi:<br />Reflektim, shumë shpejt analiza
Pas humbjes përmes një statusi në Facebook, Oerd Bylykbashi shprehet se duhet reflektim dhe se shumë shpejt do të bëhet analiza për të nxjerrë shkaqet.
 
Bylykbashi kandidoi në Durrës, ku PD mori një tjetër rezultat zhgënjyes, ashtu sikur në të gjithë vendin, pasi opozita nuk mori më shumë se 43 mandate përballë 74 të PS.
 
Statusi i plotë
Faleminderit! Për të gjithë ju aktivistët demokratë që punuat në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit, në një fushatë të shkurtër, të vështirë, e të pabarabartë, por që dhatë maksimumin tuaj, përtej e përkundër dasish e mllefesh që duken kaq te vockla përballë halleve e sakrificave tuaja.
 
Për të gjithë ju miq komisionerë e vëzhgues që morët përsiper t’i dilnit zot votës së demokratëve e qytetarëve që votuan PD, në një kohë të vështirë presionesh e shantazhesh, kur të tjerë u stepën dhe u shmangën apo nuk deshën.
 
Për të gjithë ju miq numërues të votave që kryet detyrën tuaj mes sakrificash shumëorëshe, në vapë, lodhje, tension, për të mos lënë asnjë votë të vidhej e blihej nga pazarxhinjtë e votës. Për të gjithë ju miq demokratë me eksperiencë të gjatë që nuk e braktisët PD-në në këtë fushatë për asnjë lloj qefmbetjeje dhe treguat fisnikërinë tuaj pavarësisht se PD në të shkuarën ju ka pasur edhe borxhe, apo qe edhe pse patë sesi ata që u trashën me pushtet e para me mbështetjen tuaj, ju lanë në baltë në këtë ditë të vështirë.
 
Për të gjithë ju miq të rinj që me pasion e energji nuk u kursyet, ju që jeni prezent realisht dhe jo në lista fiktive anëtarësh dhe që me energjinë dhe dedikimin tuaj të mbushni me shpresë se PD e Durrësit do të hapet tek qytetaria dhe kontribuuesit pa interes pushteti, e që nuk i afrohen PD vetëm kur ndahet pushtet, poste apo interesa.
 
Në këtë ditë të vështirë, të gjithë bëjmë reflektimin tonë, kërkojmë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë brenda vetes dhe mes nesh, kemi të qartë që përballe kemi një piramidë pushteti që e ka majën në dritën e ligjit dhe bazamentin thellë në kriminalitet, por kjo nuk duhet të na shmangë nga përpjekja për t’u ringritur me dinjitet e pa njollat e korrupsionit dhe abuzimit që na ulën kokën në 2013, apo gabimet që bëmë në këto vite. Por analiza do të vijë shpejt. Sot kam vetëm këtë falënderim të madh për të gjithë ju. Faleminderit dhe do të ringrihemi e do të rifillojmë të gjithë bashkë së shpejti!

 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

‘Denari i argjendtë i Brutusit’, ndër monedhat më të vlefshmet dhe të rralla në botë! Njihuni me çmimin marramendës dhe historinë intriguese

‘Denari i argjendtë i Brutusit’, ndër monedhat më të vlefshmet dhe të rralla në botë! Njihuni me çmimin marramendës dhe historinë intriguese