Hungaria po ushtron kontroll të fortë në linjat e trenave në kryeqytetin e vendit Budapest, për të frenuar kalimin e emigrantëve drejt Austrisë dhe Gjermanisë. Autoritetet hekurudhore të kryeqytetit kanë bllokuar lëvizjen, për ti lejuar policisë të bëjë kontrollet e nevojshme të pasaportave të refugjatëve, të cilët kanë filluar tashmë protestat.

Zyrtari i qeverisë hungareze ka sqaruar këto vonesa, duke deklaruar se qeveria e Budapestit është duke zbatuar ligjet e BE, të cilët kërkojnë pajisjen me vizë dhe pasaportë, të emigrantëve që duan të lëvizin në zonën Shengen.

Në 24 orët e fundit autoritetet hungareze kanë lejuar kalimin e mijra refugjatëve drejt Vienës dhe Berlinit. Ndërkohë ministri i jashtëm i Austrisë ka akuzuar qeverinë gjermane se politikat e ndërmarra prej saj po favorizojë kalimin e emigrantëve nga Hungaria drejt Gjermanisë duke shkelur marrëveshjen e Dublinit, e cila u lejon refugjatëve marrjen e azilit në shtetin e parë të BE ku ata hyjnë.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i kancelares gjermane Angel Merkel, e cila ka sqaruar se Gjermania nuk mban përgjegjësi për situatën në stacionet hekurudhore hungareze. E ndërsa shteti austriak është i shqetësuar për situatën e refugjatëve, qytetarët e Vienës mbushën dje sheshet kryesore të kryeqytetit me pankarta nëpër duar, për ti uruar mirëseardhjen të larguarve nga vendet e luftës.