BUDAPEST, 2 shkurt /ATSH-AFP/ - Disa mijëra hungarezë manifestuan dje në Budapest kundër kryeministrit konservator, Victor Orban duke kërkuar mbështetjen e kancelares gjermane, Angela Merkel.
"Zonja Merkel, shpëtoni Hungarinë", "Angela, na shpëtoni nga djalli, ne dëshirojmë të mbetemi qytetarë të Bashkimit Evropian", shkruhej në pankartat që mbanin manifestuesit.
Rreth 4 000 manifestues, të mbledhur para Parlamentit, shpresojnë që kancelarja gjermane, MerkelI të marrë parasysh kritikat e tyre kundër Orban, të cilin e akuzojnë se po cënon demokracinë dhe po largon vendin nga Bashkimi Evropian për t'u afruar me Moskën.
"Dëshiroj që Merkel të paralajmërojë Orban që të mos tregohet shumë miqësor me Rusinë", deklaroi Maria Miklosi, 54 vjeçe, kimiste, e cila mbante flamurin e BE-së në dorë.
Axhenda e takimit mes dy drejtuesve nuk është zbuluar për vizitën e parë të kancelares gjermane në Hungari që prej arrjes në pushtet të Orban në vitin 2010.
Gjermania është partneri i parë tregtar i Hungarisë, ish-vend komunist anëtar i Bashkimit Evropian që prej vitit 2004.
Orban, i cili do të presë presidentin rus, Vladimir Putin pas dy javëve, ka mbështetur sanksionet ekonomike të BE-së kundër Rusisë përsa i përket mbështetjes të kësaj të fundit për separatistët në lindje të Ukrainës./
/ec/








