Hungaria do të presë takimin e ardhshëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, pas mbledhjes së zhvilluar në Athinë, ku u diskutua për përparimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ministria e Jashtme hungareze theksoi se stabiliteti dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor ndikojnë drejtpërdrejt në Hungari, ndaj Budapesti kërkon që vendet e rajonit të afrohen sa më shpejt me anëtarësimin. Hungaria, e cila iu bashkua këtij bashkëpunimi të nisur nga Austria pas takimit të ministrave të Jashtëm më 10 korrik në Romë, tashmë është anëtare e plotë e grupit.

Një nga çështjet që Hungaria ngriti ishte edhe mënyra se si Bashkimi Europian duhet të përgatitet për zgjerimin.

Sipas Budapestit, BE-ja duhet të ndërmarrë reformat e nevojshme për pranimin e vendeve të reja, por këto ndryshime nuk duhet të bëjnë që anëtarët e rinj të kenë më pak të drejta sesa shtetet që janë tashmë pjesë e Unionit. Në takimin e Athinës u diskutua gjithashtu për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, ndërsa Hungaria theksoi se po e mbështet integrimin e rajonit edhe përmes dërgimit të ekspertëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.


Lajmi kryesor:

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Athinë! Kos: Shqipëria e Mali i Zi, pararojë në integrim! Gerapetritis: Duhet respektuar sundimi i ligjit! Hoxha: Thelbësor transformimi i rajonit