Bashkimi Europian është gati për raundet e ardhshme të zgjerimit, por përparimi i vendeve kandidate do të varet nga zbatimi i reformave. Këtë e deklaroi komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë takimit ministror të grupit informal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Athinë, ku përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy nga katër vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit.
“Më në fund, pas 23 vitesh nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, po japim rezultate. Në grupin e katër vendeve që kryesojnë procesin kemi dy nga Ballkani Perëndimor, Malin e Zi dhe Shqipërinë, dhe shpresoj që kjo t'i nxisë edhe të tjerët të japin rezultate. Kemi mundësi të mira për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, pasi zgjerimi është sërish përparësi e BE-së. Është e qartë se vetëm vendet që zbatojnë reformat mund të ecin përpara. Kur flas për reforma, pjesa më e rëndësishme lidhet me çështjet themelore. Po jetojmë në kohë të vështira gjeopolitike dhe është e rëndësishme që BE-ja të japë rezultate. Kjo është arsyeja pse publikuam komunikatën për gatishmërinë e BE-së për zgjerim dhe përgjigjja e qartë është PO, BE-ja është gati për raundet e ardhshme të zgjerimit. Kemi propozuar disa përshtatje, por shpresoj që me raundin e ardhshëm të zgjerimit, BE-ja të mund të bëhet më e fortë. Jam shumë e lumtur që po takohemi në Athinë, Greqi. Mbështetem te presidenca greke, në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, që të punojë pa u lodhur për procesin e zgjerimit”, deklaroi Kos.
Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt e anëtarësimit dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj ndërkohë që nëse respektohet kalendari kapitujt e fundit do të mbyllen gjatë presidencës greke në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Lajmi kryesor:
Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Athinë! Kos: BE gati për zgjerimin, Shqipëria mes 4 vendeve kryesuese! Gerapetritis: Duhet respektuar sundimi i ligjit! Hoxha: Thelbësor transformimi i rajonit







