Parlamenti hungarez miratoi me shumicë dërrmuese hyrjen e Suedisë në NATO duke i hapur rrugën përfundimisht anëtarësimit të Stokholmit në Aleancën Atlantike.
Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria “mbështet anëtarësimin. NATO-ja është një aleancë e mbrojtjes. Ne bëjmë aleanca për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga jashtë. Nuk ka ndonjë angazhim më serioz se ky.”
Kryeministri suedez Ulf Kristersson e përshëndeti si “një ditë historike” pas ratifikimit hungarez të anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke i hapur rrugën hyrjes së saj në Aleancën Atlantike.
“Sot është një ditë historike. Suedia është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj në drejtim të sigurisë euroatlantike, thuajse dy vjet pas fillimit të procesit të anëtarësimit”, shtoi ai.
Vendimi u përshëndet edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani.
"Shqipëria mirëpret pranimin e Suedisë në NATO, pas përfundimit të proceseve të ratifikimit në të gjitha vendet aleate. Anëtarësimi i Suedisë do të forcojë sigurinë e rajonit tonë dhe të gjithë Aleancës", shkruan Hasani.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti sot pranimin e Suedisë në NATO.
“Mirë se vjen, Suedia, si shteti i 32-të anëtar i NATO-s”, shkroi Begaj në një reagim në platformën X.
“Aleanca jonë është tani edhe më e fortë dhe e bashkuar, duke forcuar sigurinë dhe vlerat tona kolektive”, theksoi Begaj.