Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë me Márton Hajdu, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, dhe Dr. Ildikó Éva Sopov, Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane.

Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, me fokus të veçantë në mbështetjen e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj integrimit evropian të Shqipërisë, që nga ratifikimi i hershëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit deri në fazën aktuale, vendimtare, të negociatave për anëtarësim.

Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin për rëndësinë e thellimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit parlamentar, përmes aktivizimit të grupeve të miqësisë dhe shkëmbimit të përvojave në përafrimin e legjislacionit me të drejtën e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.

Në këtë kuadër, Ministri Hoxha theksoi se, ndërsa Shqipëria vijon punën për mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave, një dialog më i ngushtë ndërmjet komisioneve parlamentare të të dy vendeve mund të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e procesit.

Duke nënvizuar rolin thelbësor të parlamenteve në zgjerimin e Bashkimit Evropian, Ministri Hoxha u shpreh se integrimi evropian nuk është vetëm përgjegjësi e qeverive. Parlamentet kanë një rol përcaktues në miratimin e reformave, mbikëqyrjen e zbatimit të tyre dhe, në përfundim të procesit, ratifikimin e traktateve të anëtarësimit.

Sipas Ministrit Hoxha, forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar i jep procesit të zgjerimit një legjitimitet më të thellë demokratik, duke e afruar atë me qytetarët dhe duke siguruar që përfitimet e integrimit evropian të jenë në shërbim të tyre.