Hyjnë në fuqi masat kufizuese, në Kosovë vetëm me vaksinë dhe test COVID! Policia i kthen mbrapsht, qytetarët bllokojnë Morinën

KOSOVË- Nga dita e sotme, në Kosovë u futën në fuqi masat e reja anti-COVID të cilat do të zbatohen deri me datë 13 shtator. Të gjithë personat që do të futen në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, do duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit apo teste PCR/antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Nga kjo masë u prekën edhe shtetasit shqiptarë, të cilët paraditen e sotme u kthyen, duke krijuar kështu një fluks në pikën e kalimit kufitar Morinë. Në shenjë revolte nga masat e ndërmarra, qytetarët shqiptarë kanë protestuar për disa minuta duke bllokuar kalimin e automjeteve drejt Shqipërisë. Mirëpo, pas ndërhyrjes së policisë së Kukësit, situata është normalizuar dhe kalimi drejt territorit shqiptar ka nisur.

Të gjendur të bllokuar në kufirin ndërmjetës Shqipëri-Kosovë, qytetarët shprehen se nuk janë të informuar për masat e reja, ndërsa presin me shpresën se mund të ndryshojë vendimi siç është bërë edhe herët e kaluara, ku shtetasit shqiptarë janë përjashtuar nga masat kufizuese të Kosovës. Ndryshe nga Kosova, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë mund të futen lirisht pasi vendi ynë nuk ka të vendosur asnjë masë kufizuese.

Për mikrofonin e Report Tv, një qytetar shprehet se do të futet transit vetëm për një orë në Kosovë, pasi destinacioni final është Tropoja, por ai nuk është lejuar të kalojë kufirin sepse kishte dy persona me vete pa dëshmi vaksinimi. Në masat e ndërmarra thuhet se qytetarët pa dëshmi vaksinimi ose test COVID mund të kalojnë transit në Kosovë, me kushtin që të nënshkruajnë një deklaratë që do të largohen pas tre orësh, por si duket ky rregull nuk është zbatuar.

"Në faqen e internetit të Republikës e Kosovës së Albin Kurtit thotë shprehimisht: Çdo qytetar, çdo makinë që kalon transit në Republikën e Kosovës duhet të firmosin një deklaratë që brenda tre orësh të ikë nga Kosova. Mua më duhet 1 orë të dal nga Kosova, do të futem në Morinë e do dal në Tropojë. Unë  e kam vaksinën, por kam dy qytetarë me vete që nuk e kanë dëshminë. Por prapë se prapë nuk ka lidhje se më thotë firmos dokumentin, unë po e firmos", shprehet qytetari.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë këto masa kufizuese, me qëllim të kufizimin e pandemisë COVID-19, pasi situata me koronavirusin në vend është përkeqësuar, ku vihet re një rritje e ndjeshme e infektimeve dhe viktimave nga COVID-19. Ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë në Kosovës ka raportuar 36 viktima, numri më i lartë ky që prej fillimit të pandemisë në mars.

Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar me një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në  21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme. Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës. Ndërsa, qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë me 13 shtator, nga data 1 që ishte parashikuar nisja.

Këto janë të gjitha masat anti-COVID të marra nga qeveria e Kosovës:

Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë e mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; 2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

 3. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës  2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

4. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:

4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID19;

4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

4.6 Personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.

5.Nga data 30 gusht deri me datë 12 shtator 2021, në institucionet publike dhe private, obligohet që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial udhëzohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.

6. Punëdhënësit publik dhe privat obligohen që në bashkëpunim me punëtorët të përcaktojnë stafin esencial.

7. Punëdhënësit publik dhe privat udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit, kur kjo të jetë e mundur.

8. Nga data 13 shtator 2021, të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.

9. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një person përgjegjës, i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

10. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

11. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

12. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

13. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

14. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:

14.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;

14.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;

14.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

15. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

16. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 15.

17. Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00,

17.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);

17.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;

17.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

17.4 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohëshme sipas pikës 19, për shkak të ngjarjes së rëndësisë së veçantë.

18. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

19. Ministri i Shëndetësisë mundet që për për ngjarje të rëndësisë së veçantë, të lëshojë lejë të veçantë, sipas së cilës lejohet vetëm për nevoja të kësaj ngjarje, që kufizimi i qarkullimit të zgjatet përkohësisht për një kategori të caktuar të personave.

20. Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 shtator 2021.

21.Përjashtimisht nga pika 20, institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor vazhdojnë aktivitetin sipas udhëzuesit përkatës.

22.Nga data 13 shtator 2021, stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

23. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni arsimor sipas pikës 21, është i obliguar të caktojë një person përgjegjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve. E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.. F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

26. Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime, ngjarje kulturore). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave. 26.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale.

27. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

28. Pavarësisht pikës 26 dhe 27, për koncerte dhe festivale vlen pika 31.

29. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.

30. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.

31. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskurzioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gj. [Gastronomia]

32. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

33. Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

34. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

35. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokalave të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

35.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:

35.2 Ndërsa paguan porosinë;

35.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

35.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

36. Në rastet nga pika 35.1 deri 35.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.

37. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

38. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

39. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

40. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.

41. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

42. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

43. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

44. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

45. Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna/përdorimi i këndeve të lojrave për fëmijë. Ndërsa për shërbimet e gastronomisë në kuadër të qendrave tregtare vlen pika 33.

46. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave. J. [Transporti publik]

47. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.

48. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

49. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë. K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

50. Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021.

51. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet. L. [Sporti dhe rekreacioni]

52. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

53. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

54. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura nuk lejohet prania e shikuesve.

55. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 10 % të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.

56. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

57. Organizatorët e garës janë të obliguar caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

58. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.

59. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

60. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.

61. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit. Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

62. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

62.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

62.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

62.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;

62.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

62.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,

62.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

62.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;

62.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;

62.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

62.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

63. Udhëzuesit nga pika 62 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

64. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi. M. [Zbatimi]

65. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

66. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

67. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

68. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

69. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

70. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:55
Fluks në Morinë, radhë të gjata automjetesh në pritje për të hyrë në Kosovë

 

Ditët e ngrohta me diell nuk kanë ndaluar pushuesit nga Kosova t'i drejtohen Shqipërisë, por fundi i verës ka sjellë edhe fundin e pushimeve për disa të tjerë, duke krijuar radhë kilometrike në pikën kufitare të Morinës. Paraditen e sotme u shënuan radhë të gjata automjetesh në hyrje të Shqipërisë, ndërsa pasditen e sotme ka patur fluks për të hyrë në Kosovë.

Shkak për krijimin e radhëve janë bërë edhe masat shtrënguese anti-COVID që kanë hyrë sot në fuqi në Kosovë në pikat kufitare.

Dhjetëra qytetarë të Shqipërisë këtë të hënë janë kthyer nga pala kosovare të cilët nuk janë lejuar të futen në Kosovë pa test PCR dhe dëshmi vaksinimi. Sakaq, nga 6 shtatori, të gjithë shqiptarëve të Kosovës do të ju kërkohet pasaporta e vaksinimit për të hyrë në Shqipëri.

 

Ora 09:48
Masat anti-COVID, shqiptarët e Kosovës 'dynden' drejt bregdetit, krijohet fluks në Morinë

Edhe pse në Kosove dhe në Shqipëri është paraqitur situatë e rëndë me përhapjen e madhe të koronavirusit, duket se kjo nuk i ka ndaluar kosovarët të vijnë për pushime në bregdetin shqiptar.

Edhe pse jemi në përfundim të sezonit, masat e reja, si shtyrja e mësimit deri më 13 shtator iu ka hapur rrugë qytetarëve të Kosovës dalin jashtë kufirit.

Gjithashtu pala shqiptare në Morinë nuk kërkon dëshmi vaksinimi apo test PCR. Mëngjesin e së hënës në hyrje për në vendin tonë është krijuar fluks i madh i automjeteve

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 30/08/2021 21:31

    Para disa ditesh, amerikanet nxorren listen e vendeve ku qytetaret e tyre nuk rekomandohet te shkojne, per shkak te rasteve te larta me Covid,nje prej tyre ishte dhe Kosova.Shqiperia nuk ishte ne liste.Por duke lexuar artikullin e mesiperm, me ben pershtypje, qe ka patur raste te mepareshme,kur shqipot jane perjashtuar nga masat kufizuese! Kur do te mesojne qeveritaret dhe qytetaret e te dyja aneve te kufirit, qe patriotizmi eshte i rrezikshem e duhet lene menjane ne disa raste,vecanerisht kur behet fjale per pandemi me pasoje humbje jetesh njerezore?!

    Përgjigju
  • Malok: 30/08/2021 18:12

    Shqiperia i hapur per te gjithe te infektuar, sepse ne nuk kemi frik te vdesim, jemi te fort me raki ne goje ter dite. Nuk besojm ne covid.

    Përgjigju
  • Anonim: 30/08/2021 08:18

    Po shtetasve Kosovar a u kerkohet test kur hyn ne Shqiperi?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka