Hysen Shoshori: Si mu fal jeta
në mbledhjen e Presidiumit

Hysen Shoshori: Si mu fal jeta<br />në mbledhjen e Presidiumit
13.
Binte shi dhe në dimër Tirana është tërë lagështi. Unë kisha zënë një strehë dhe vështroja përmendoren e Ushtarit të Panjohur. E kisha harruar dhe tani sesi më dukej, si një vegim i largët. Rrugët, sheshet ishin po ato por mua më dukeshin si të huaja, të ftohta, pa jetë.
Çfarë ishte për mua liria? A mund ta marrësh me mend? E di atë historinë e të burgosurit të liruar që u kthye sërish në kamp se s’kishte ku të rrinte? Mirëpo tani çdo gjë ishte shkatërruar në Shqipëri, aty edhe burgjet, kampet, fabrikat, uzinat. Njerëzit jetonin me 80 përqindëshin e qeverisë. Premtime, premtime dhe vetëm premtime se do të na vijë parajsa.

“Ne qeverisim, bota na ndihmon!”. Kur po mendoja këto dëgjoj një zë:
- Ceni më duket, ai është, Ceni, - tha njëri. Tjetri më thirri dhe të dy u afruan.
- Mos je nga ata që u liruan mbrëmë, - pyeti më i moshuari. E njoha, ishte kuzhinier, kishte punuar te Beqir Balluku.
- Do të vish në shtëpinë time, - tha ai dhe nguli këmbë. Unë bëra të ikja, bëja shëtitje deri në Pazarin e Ri dhe kthehesha.
- Dëgjo, - foli miku im, - jashtë është me rrezik të flesh, qarkullojnë banda të armatosura. Nuk të lë vetëm, do vish me mua.

Unë kisha hallin e dorëshkrimeve të mia të burgut që i kisha fshehur dhe i mbaja në nënvete. Vajta dhe ndenja nja 40 ditë, më mbajtën mirë, tryeza rrinte plot çdo ditë dhe e mora veten.

Më pas shkova në shtëpinë e vëllait dhe të motrës, por nuk ndenja shumë. Të them të drejtën, njerëzit i shihja me dyshim se mendoja që më mbajnë për të më marrë shpërblimin e burgut dhe të përfitonin prej meje. Tani jetoj te Njaziu, një bashkëvuajtësi im, nga Çamëria me origjinë. Më ka liruar një si kthinë, atje fle, ha dhe pi. “Ec ke unë, - thotë ai. - Mos shko kurrkund. Ditën bridh ku të kesh qejf, natën këtu tek ne...”.
Në këtë botë ka njerëz të mirë, por si Diogjeni i Greqisë së lashtë, duhen kërkuar ditën për diell me qiri në dorë.

shoshori faksimile
(Foto: Faksimile e intervistës së Hysen Shoshorit dhënë gazetarit Petrit Koçiaj në prill 2006 me nënshkrimin e Shoshorit në fund të saj)
 
14.
Ceni ka filozofinë e tij dhe është krejt i pavarur në mendimet e gjykimet e tij. Pikëpamjet e të tjerëve nuk i merr si të mirëqena pa i kaluar një herë në filtrin dhe pa i analizuar në laboratorin e vet. I shqyrton pa u ngutur, ngadalë-ngadalë. Çdo njeri është një individualitet, prandaj bota është kaq e larmishme.
Diktaturat, mendon ai, qeverisin me dorë të hekurt. Ato bëjnë ligje të rrepta dhe i zbatojnë deri në fund me rreptësinë më të madhe.

Madje kursejnë as bashkëpunëtorët më të ngushtë. Me përjashtim të Njëshit, Kreut, Zeusit që lëshon rrufe. Atij nuk i kundërshton kush dhe mjerë ai që bie në dorë të tij. Nuk ka mëshirë...
Mua më dënoi populli, siç e kam përshkruar më sipër, por nuk më asgjësuan. I erdhi keq se isha ma pa njeri apo diçka tjetër, nuk e di. Po ti do të habitesh kur të mësosh se kush më shpëtoi jetën. Sa vlen jeta e një njeriu në diktaturë? Veç, jeta një herë jepet dhe njeriu duhet ta gëzojë atë. Unë mendoj se të drejtën për të marrë jetën e ka ai që e jep atë dhe askush tjetër.
 
15.
Bëhej mbledhja e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ishte një mbledhje rutinë. Anëtar i Presidiumit ishte edhe Enver Hoxha.
Kryetari Haxhi Lleshi hodhi për diskutim pikat e rendit të ditës dhe kur erdhi në fund tha:
- Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë për dënimin me vdekje të njërit që është ngritur kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor. Mendojmë ta kalojmë...
- Dale, - ndërhyri Enveri që tregonte vëmendje të madhe kur ishte fjala për jetën e një njeriu. - Çfarë ka bërë ai?
- Ka varur trakte në Tiranë, - u përgjigj Haxhiu.
- Sa veta ka qenë grupi? - pyeti sërish Komandanti. - Anëtarët të dënohen me nga 12-15 vjet, kryetari me vdekje.
- Ka qenë vetëm, shoku Enver, - sqaroi Kryetari.

- Vetëm i paska ngjitur traktet? Po ne si bënim në kohën e luftës, mo Haxhi? Njëri i shkruante, tjetri i shumëfishonte në ciklostil, të tjerët i ngjisnin e bënin roje. Ky paska qenë vetëm. Atëherë unë mendoj që t’i falet jeta...
Këto më kanë rrëfyer kur dola nga burgu. Nuk e di është tamam kështu, por jetën nga Enver Hoxha e kam, se të qe për të tjerët qiriri im do të ishte fikur me kohë. Fal ai që di të falë!
 
16.
Figurat e mëdha të politikës botërore janë tema e diskutimit të Hysen Shoshorit. Lexon, komenton dhe shfaq mendime për to. Tregon edhe rrëfenja.
- Stalini, - thotë Ceni, - ishte udhëheqës i madh, ushtarak. Të gjithë i bindeshin pa kundërshtim, madje edhe kundërshtarët ngriheshin në këmbë kur hynte ai në sallë. Zhukovi thotë që pa Stalinin Bashkimi Sovjetik nuk do ta fitonte luftën e madhe patriotike, megjithëse e kishte përzënë nga Moska. Por edhe Stalini nuk i shpëtoi intrigave dhe grackave. E eliminuan pabesisht; Bluzat e bardha.

Çërçilli ka qenë politikani më i madh britanik i shekullit të kaluar. Ai e shpëtoi popullin anglez nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me gjashtë vëllimet e shkruara mbi Luftën II Botërore, Çërçilli fitoi Çmimin “Nobel”. Ishte artist i fjalës së shkruar dhe të folur. Një gojëtar famoz. Politikani i madh arriti të realizonte dy koalicione shpëtimtare, brenda vendit midis partive politike dhe në arenën ndërkombëtare midis Fuqive të Mëdha: Bashkimit Sovjetik, SHBA dhe Anglisë. Në një kohë që dikur, në vitin 1917, Çërçilli kishte artikuluar shprehjen e famshme “Komunizmi duhet zhdukur që në djep!”.

Një herë erdhën miq dhe donin ta pyesnin atë lidhur me disa sekrete të luftës.
- Të presin pak, - porositi Çërçilli nga banja ku po lahej. Pas pak në dhomën e pritjes u shfaq figura topolake mbështjellë me një peshqir të madh bojë rozë. E hapi kat e kat robëdëshambrin dhe tha:
- E shikoni, unë nuk mbaj asgjë sekrete për ju!
Për Enver Hoxhën, Hyseni ka mendim ndryshe nga ish-të burgosurit e tjerë. Dikujt do t’i tingëllojë keq, por ai është origjinal dhe dëshiron që unë t’i theksoj qëndrimin dhe pikëpamjet e tij për Enverin.
 
17.
- As që mund të krahasohet epoka enveriane me “kohën e Zogut”, - thekson që në fillim Ceni.
Enver Hoxha dominoi tërësisht politikën shqiptare për 45 vjet rresht dhe vazhdon ende. Thelbin e kësaj dukurie ai e shpjegon vetëm nën një këndvështrim të tillë. Enver Hoxha, - thotë Hysen Shoshori, - është prototipi, sinteza e gjithë vetive të mira të shqiptarëve dhe këto veti ai i kishte në shkallën më të lartë. Ndaj arriti aq suksese. Askush dhe askënd nuk mund të ketë sukses një udhëheqës në popull, pa qenë vetë kuintesenca e fizionomia e shpirtit të këtij populli, i cili duhet ta kuptojë, ta dojë dhe ta ndjekë pas. Enver Hoxha i kishte këto dhunti dhe ai u shfaq në skenën e politikës shqiptare pikërisht në kohën kur vendi kishte nevojë për një prijës të ri. Krijoi epokë dhe u bë simboli i asaj epoke, i epokës enveriane.

E gjeti vendin të varfër kur nisi rrugën e luftës dhe të transformimeve, me organizim të vjetër fisnor e feudal, me “familje të mëdha” që pinin gjakun e popullit të vobektë. Nuk kishte shtet se vendi ndodhej i pushtuar nga fuqitë e huaja. Por ai i tregoi botës forcën e shqiptarëve për vetorganizim, shtetformim, për luftën kundër armiqve.
Ishte një prijës i shkëlqyer që bashkoi kombin, e hodhi në luftë dhe e mobilizoi në punë për të realizuar transformime të mëdha.

Ngriti një shoqëri pa klasa e pa shfrytëzim, të barabartë e demokratike. Për herë të parë u krye reforma agrare, u ndërtuan hekurudhat e para, hidrocentralet e para, u hapën minierat, u ndërtua Kinostudioja “Shqipëria e Re”, u zhvillua arsimi, kultura, sporti etj., etj. U fuqizua ekonomia dhe zëri e prestigji i Shqipërisë në botë ishte më i lartë se kurrë ndonjëherë. Shqiptari nderohej dhe respektohej nga kombet e tjerë, ai ishte plot dinjitet.

Enver Hoxha nga natyra ishte tepër inteligjent, nga kultura i kompletuar, si politikan i kujdesshëm dhe besoj se nuk e teproj kur them që inteligjenca e tij ishte e mbinatyrshme. “Gandi i Shqipërisë” e quanin. Qortimet që i bëhen sot mendoj se janë shfaqje të urrejtjet patologjike të disave. Por inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte mahnitëse edhe kur ia donte puna të gjykonte e të zgjidhte probleme jashtëzakonisht të vështira.

Ajo që i jepte epërsi të padiskutueshme përmbi gjithë të tjerët ishte erudicioni dhe maturia e gjerë, mendja e ftohtë dhe zemra e tij e zjarrtë, masa dhe urtësia. Ishte dhe mbeti protagonist i çdo ngjarjeje historike nga viti 1941 derisa vdiq. Arsyetimet emocionale kanë qenë jashtë natyrës së tij, se ai udhëhiqej nga parime të larta atdhetarie e humane. Nuk u nis nga sentimentet kur më fali jetën, por nga logjika e shëndoshë, arsyetimi, efektshmëria, pasojat dhe nga përvoja e luftës.

Enver Hoxhën mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i paanshëm duhet t’ia njohësh meritat dhe kontributet e tij si lider i popullit shqiptar dhe në lëvizjen komuniste botërore. Ai ishte dhe mbeti deri në fund një revolucionar i vendosur, një personalitet i rëndësishëm, madje unë them se Enver Hoxha ka qenë personaliteti më i rëndësishëm i historisë shqiptare. Ai lidhi miqësi me burra shtetesh të fuqishme si me Stalinin, Mao Ce Dunin e Kinës etj., dhe vendin e tij e rreshtoi gjatë Luftës II Botërore në anën e Aleatëve kundër Fuqive të Boshtit. Pse, pak janë këto?!

Koha, rrethanat dhe fati e ndihmuan, por vendimtare për mua ishin dëshira dhe vullneti i çeliktë i Enverit për zhvillim e përparim. Dhe në këtë botë egoiste askush nuk të fal badihava, përkundrazi sukseset i arriti përmes mundimesh, vështirësish dhe rreziqesh që iu desh të përballonte. Sa qe në krye, nuk ia hodhi dot njeri dhe çau përpara si shqiponjë mali. Rreth vetes mblodhi atdhetarë e trima si vetja, të zotë e të papërkulur. Bashkë me ta dhe në krye të tyre ai udhëhoqi popullin nga njëra betejë në tjetrën. “Luan që komandoi luanë!”.
 
18.
- Cili është mendimi për jetën?
- Jeta është një rrenë; një vizion dhe aq. Por ajo është dhelparake, që të afron, të gënjen, ta bën fushë me lule. Ti loz e qesh, kur të jep një dhe s’di ku të futesh. Gënjeshtare si skilja.
- Pse nuk pranon ndihma nga të tjerët?
- Asnjë. Edhe dëmshpërblimin si ish-i burgosur nuk e kam marrë. Nuk pranoj lëmoshë. Të tjerët janë strehuar nga shteti, kanë bërë vetë shtëpi e unë dimër-verë në qiell të hapur. Vetëm fillikat! Unë e quaj veten të vdekur. Më sheh ti mua të gjallë, të duket ty, ndërsa unë s’jetoj.

- Ti je ndër të gjallët, atëherë pse thua që nuk jetoj?
- E para, nuk u donte që në fillim. Siç e kam thënë në krye, që në “Zanafillë”. Sepse të tjerët, disa të veshur me pushtet, por jo pushteti vetë, donin të më fusnin në burg, ndryshe nuk mund të më merrnin tokën. Ato 20 metra ishin gjithë-gjithë, por për mua dhe familjen ishin dhe mbetën të shtrenjta.

E dyta, i vetmi, or zotni, asht si i vdekuri.
E treta, jeta e njeriut është e paracaktuar, siç thonë pleqtë e moçëm, e shkruar nga lart. Fatalist do të më quanin, por unë kështu besoj. Paracaktim nga një fuqi e mbinatyrshme, që unë e quaj “KOHA”.

- Botova librin e parë...
- Po. Dy ambasada më falënderuan dhe e vlerësuan librin, ajo serbe dhe palestineze. Në libër unë bëj këto vlerësime: kundërshtoj Amerikën agresive në botë, Zotin dhe vlerësoj Enver Hoxhën në rojë të 28 mijë kilometër katrorë. Më fiku vdekja e Enverit, ai ishte dhe mbetet idhulli dhe profeti im!
- Ç’është politika për ty?
- Politika është gjeniu i djallëzisë. Duhet të dish ta vërtitësh politikën, ndryshe të merr bran. Ja shiko Kryeministrin e sotëm, i hyri politikës i gjori pa pasur asnjë përvojë dhe kulturën e nevojshme politike e diplomatike. Një bajraktar i qëmoti dhe aq...

- Pse librin e quan “Më mirë vdekja se jeta në padrejtësi”?
- Ai është një libër-trakt, ka 67 faqe dhe e botova në tirazh të lartë. Të gjithë folën mirë, vetëm Presidenti Moisiu urdhëroi asgjësimin e librit tim.
- Pse kaq i rrezikshëm ishte ai?
- Ndoshta. Më mori policia, më vuri në korrent që të tregoja botuesin por unë s’e nxora. Ja, më sheh si eci ngadalë tani? Ata më kanë bërë... Regjimi komunist më burgosi, por në korrent nuk më vuri.

- Po tani keni frikë?
- Tani nuk kam më frikë. E kam vrarë njëherë e përgjithmonë frikën. Unë e kam provuar e hequr në kurriz frikën nga pushteti, nga njerëzit e ligj të veshur me pushtet, ndaj individit dhe njeriut...
 
19.
Ditën kur por përcillnin trupin e Enver Hoxhës për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, një ish-i burgosur kishte zënë vend në rrugën e Elbasanit dhe po qante. Bashkëvuajtësi i tij kur e pa, u hodh matanë dhe e pyeti:
- Pse po qan, ai neve...
Ish-i burgosuri fshiu sytë dhe tha:
- Të kishte rrojtur dhe disa vite, të paktën nja 5-6, se ka lënë edhe shumë njerëz pa pastruar...

20.
- Ceni, po sot?
- Aha, çdo ditë dëgjojmë vrasje, rrëmbime, arrestime. Quo vadis Shqipëria? Liri, Demokraci nuk do të thotë aspak anarki, rrumpallë dhe paturpësi të shfrenuar; askush nuk ka të drejtë të monopolizojë atdhetarinë dhe demokracinë. Unë e di që në revolucion vala e parë është shumë më pak e rrezikshme se tallazet që vijnë pas. Por jo të arrijë deri këtu, sa martirët që kanë sakrifikuar jetën e tyre të lihen rrugëve.

- Cila është hakmarrja juaj?
- Hakmarrjen s’e njoh. Përgjithësisht, tek ish-të burgosurit e ndërgjegjes mendoj se ajo nuk mund të shkojë kurrsesi deri në skajet ekstreme të verbërisë. Hakmarrja jonë është më tepër morale. Unë, për shembull, kam reflektuar butësi dhe vetëpërmbajtje me të gjithë torturuesit dhe xhelatët e mi: hetuesit, prokurorët, gjykatësit, gardianët. Sepse me hakmarrje unë kuptoj triumfin e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri.

Mirëpo, ndërsa bashkëvuajtësit e mi janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe bëjnë jetë të rregullt familjare, unë vazhdoj të endem rrugëve të Tiranës. Pse ky është shpërblimi për vuajtjet dhe sakrificat? Tani, ngushëllimi i vetëm jeni ju të gjithë, miqtë dhe shokët e mi që ju dua dhe ju respektoj shumë.
Paskëtaj unë pres i qetë vdekjen. Vdekja i fal të gjitha!
 
21.
Unë e kuptoj mirë gjendjen shpirtërore të Hysen Shoshorit. Kur shpirti dhe trupi kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë edhe sot, zemërimi dhe ndjenja e mohimit nxjerrin nga binarët edhe burra të ditur e të ndershëm. Këto dobësi njerëzore, sigurisht, duhen falur. Por ajo që nuk falet, për mua, është mënyra se si sillen sot shteti dhe organizatat joqeveritare ndaj atyre që u përballën me regjimin e egër komunist, treguan stoicizëm të lartë dhe dëmtuan veten. Kjo mungesë mirëkuptimi dhe vlerësimi të anës shpirtërore të një shërbimi në emër të lirisë, ka bërë që njerëzit të mos kenë më asnjë simpati dhe nderim për liderët e sotëm, për njerëzit e veshur me pushtetin demokratik, për të cilin sakrifikuan kaq shumë martirët si Hysen Shoshori, “Mandela e Shqipërisë”, një burrë fisnik dhe tejet i devotshëm.

Unë e di që nuk ka dhe mbase, nuk mund të ketë mirënjohje shtetërore, por një qëndrim logjik, mundësisht të ndershëm, për kontributet politike, qoftë edhe për të ruajtur emrin e mirë, nuk duhet vënë në dyshim. Demokracia nuk është art për të zënë një post drejtues e për ta përdorur sipas qejfit. Atëherë kësaj i thonë, hodha lumin të dhjefsha kalin!
 
22.
Në mbarim të bisedës sonë të gjatë, Ceni vuri buzën në gaz dhe me humorin e tij të këndshëm tha:
- Do t’u kujtoj një episod të viteve ’20-të. Një bej vete te kryeministri i atëhershëm për ta uruar dhe, midis të tjerash, i thotë se e kishin rrasur nja tri ditë brenda për shkak se dyshonin për të.
- Epo mirë, - ia pret Kryeministri me humor, - çdo njeri i ndershëm në Shqipëri duhet të provojë së paku një herë burgun...

Tani ja ku jemi të gjithë bashkë. Por ta dini, dëshirat dhe aspiratat e ish-të burgosurve të ndërgjegjes, ëndrrat dhe pikësynimet e tyre nuk janë realizuar. Realiteti i tanishëm është vetëm një kthim prapa. Ja, më shikoni mua, pa plëng e pa shtëpi, i braktisur, pa familje. I vetëm fillikat në botën e madhe. Pa përkujdesjen më minimale të shtetit demokratik dhe të shoqërisë së emancipuar. Pse për kaq sakrifikova jetën?
Por siç thoshte Noli i madh:
“Rron or rron Shqiptari!”.
 
Tiranë, 23 prill 2006            
 PETRIT KOÇIAJ
Këto që janë shkruar këtu janë të vërteta.
Tiranë, 25.04.2006
 
Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë